Pse majtistët luftojnë “për historinë” dhe jo për komb?!
Nga Prof. Dr. Enver Bytyçi
Ali Ahmeti prej 25 vitesh është lider i pakontestueshëm në politikën shqiptare në Maqedoninë e Veriut. Ai ka bërë kompromise përtej ideologjisë majtiste të cilën ai e beson. Por dje në protestën e OVL-ve dhe qytetarëve të Kosovës në Prishtinë thirri në ndihmë një lloj klisheje, të cilën e artikulojnë, së paku në Shqipëri e në Kosovë, vetëm të majtët ekstremë. Tha se „Historinë nuk mund të na e bëjnë të huajt“, duke dashur të thotë se Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë, duke mbajtur në izolim katër ish-drejtues të UÇK-së, po përpiqen ta ndryshojnë historinë e luftës çlirimtare të Kosovës. Në këtë rast ai gjykatën që vetë Kosova e ka krijuar e konsideron si të huaj!
Në periudhën e komunizmit diktatori Hoxha na thoshte se „Komunizmi është historia më e ndritur e Shqipërisë në shekuj“! Thoshte se ne „e kemi bërë historinë me pushkë në dorë”! Dhe sipas kësaj ai kishte merak se mos historianët merren edhe me prapësitë e regjimit komunist që ai ndërtoi e aplikoi në Shqipëri. Fatos Nano më vonë thoshte se “Historia fillon me mua”! Edi Rama i tanishëm njëmijë here ka përsëritur se “Raportin e kam me historinë”. Hashim Thaçi duke rendur pas lavdisë historike pagoi 500 mijë dollarë amerikanë që autorë nga SHBA-të të shkruanin një monografi për historinë e tij. Dhe i gjithë libri ka në piskamë fabulën “Nuk ishte Ibrahim Rugova themelues i shtetit të Kosovës, porse i tillë ishte “i madhërishmi Hashim”!
Në të gjitha qasjet liderët e së majtës nga ekstremja e deri te moderatorët e këtij spektri duket se kanë një merak: – Do të hyjnë në histori, apo do të mbeten jashtë saj”! Me këtë moto u shfaq dje protesta në Kosovë,. Aty u tha se në Hagë po gjykohet historia”! Historia e kujt? Gjykata dhe Prokuroria e Posaçme e Kosovës në Hagë e kanë bërë të ditur se lufta e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është e pastër. Por të majtët identifikojnë gjithmonë liderin me popullin, komandantin me ushtrinë, partinë me atdhenë! Kështu kanë bërë gjithnjë liderët e së majtës në Shqipëri, në Kosovë, e jo vetëm. E ndërkohë, bëhen aq të pacipë sa të vetëquhen parti e spektrit të qendrës së djathtë.
Shumë nga lidershipi i majtë janë historianë. Si të tillë ata e dinë se historinë nuk e bëjnë veprat dhe jo fjalët. Historinë e bëjnë aktorët realë të ngjarjeve dhe fenomeneve shoqërore dhe politike. Pra historia është si flija në tepsi. Nëse e ha flinë, mbetet tepsia si dëshmi e saj. Ashtu është dhe fakti historik. Nëse dikush përpiqet ta fshijë nga teksti historinë, e vërteta nuk fshihet nga ajo. Ndërkohë duhet thënë se në shoqërinë njerëzore të vërtetën nuk e provon askush më mirë se gjykata. Nuk ka ndonjë instrument tjetër për të provuar sa më realisht ndodhitë, ngjarjet dhe gjithçka tjetër në veprimtarinë politike dhe shoqërore. Për këtë arsye protesta e djeshme në Prishtinë nuk pati adresë të qartë, kundër kujt po zhvillohej. Kundër gjykatës që e krijoi vetë ai që gjendet atje, apo kundër drejtësisë?! Folësit nuk na thanë pse drejtësia në këtë rast po bën padrejtësi! Thjesht bënë retorikën e radhës në funksion të fuqizimit të partive politike që spekulojnë me luftën e UÇK-së! Mesa duket për shkak zgjedhjesh elektorale.
Spekulatorë u shfaqën gjithashtu Isa Mustafa, Përparim Rama dhe Lutfi Haziri. Të tre këta dolën hapur në mbështetje të protestës kundër Gjykatës Speciale të Kosovës, në emër të mbrojtjes së UÇK-së. Edhe këta e njësuan Hashim Thaçin me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Të njëjtën gjë bëri kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Dhe pavarësisht se çfarë shpallen këta politikanë, ata kanë mendësinë e diktaturës. Njëshin e identifikojnë me shtetin, me popullin, me atdheun, me kombin, e jo vetëm me partinë. Ndaj dhe flasin për të shkruarit të historisë nga njëshi, nga lideri, sipas shijes së tij dhe me përkujdesjen e tij. Duan që ta bëjnë historinë sipas dëshirës së tyre. Isa, Përparimi dhe Luta nuk e kuptojnë se histori është edhe Fetah Rudi në karrocë, për shkak të atyre që duan ta shkruajnë historinë. Histori e Kosovës janë gjithashtu Enver Maloku, Xheimal Mustafa, Smajl Hajdari, Ukë Bytyçi, Bardhyl Ajeti, Shaban Manaj, Tahir Zemaj e dhjetëra dëshmorë të tjerë, vrasësit e të cilëve askush nga LDK nuk deshi ose nuk guxoi t’i zbulojë. Por të jeni të sigurt se këta jo vetëm dëshmorët pas lirisë në LDK, por edhe liderin historik të shtetit të Kosovës, Ibrahim Rugovën e kanë mohuar!
Ndërkohë, të gjithë këta që flasin për historinë, duhet të dinë se histori është edhe koha dhe përpjekjet e Hashim Thaçit për ndarjen fillimisht të Mitrovicës e më pas të Kosovës. Janë të shënuara të gjitha këto, pavarësisht se Ali Ahmeti, Edi Rama dhe të tjerë duan ta shkruajnë historinë, sipas dëshirës së tyre. Dhe mbi të gjitha duhet të kuptojmë se kur i huaji të çliron nga armiku yt shekullor, ka të drejtë edhe ta shkruajë historinë tënde. Në fakt, në këtë rast ky “i huaji”, SHBA-të dhe NATO, e kanë bërë dhe e kanë shkruar historinë si kurrë më parë në historinë e njerëzimit! Historia nuk fillon e nuk kufizohet vetëm te liderët paranojakë dhe “lavdiplotë”, të etur për lavdi e pushtet. Historia është e pamëshirshme. Ajo të lartëson, por edhe të ndëshkon. I ndëshkon sidomos ata liderë politikë, që luftojnë ose punojnë për lavdinë e egon e tyre, duke harruar se janë shërbëtorë të njerëzimit.
Nëse Hashim Thaçi, Jakupi, Kadriu, Rexhepi, apo vetë Ali Ahmeti kanë luftuar për lirinë e atdheut duke menduar se “do të hyjnë në histori”, ata në fakt që në nisje të veprimtarisë së tyre kanë bërë një mëkat të madh. Qëllimi i mirë është njeti i njeriut të ndershëm. Veprimtaria për lavdi dhe prestigj është ligësia e njeriut! Ligësia nuk shkruhet në histori për mirë, përkundrazi.