TË FUNDIT

Pa kompromis politik, as Kushtetuesja s’e shpëton Kosovën nga ngërçi”, politologu nga Brukseli paralajmëron paralizë institucionale

Të premten, Gjykata Kushtetuese ka urdhëruar përsëri deputetët e Kuvendit të Kosovës ta konsitutojnë përbërjen e re parlamentare – e dalë nga zgjedhjet e 9 shkurtit – por këtë herë me udhëzime më të qarta.

Ata urdhërohen ta konstituojnë Kuvendin brenda një afati 30-ditor dhe ta zgjedhin kryeparlamentarin përmes votimit të hapur, duke e hedhur në votim të njëjtin kandidat jo më shumë se tri herë.

Vendimi është mirëpritur nga partitë që mandatin e kaluar ishin në opozitë, por është kritikuar nga partia fituese e zgjedhjeve, Lëvizja Vetëvendosje (LVV).

LVV-ja e quajti vendimin arbitrar, Partia Demokratike e Kosovës (PDK), dhe Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cilësuan fitore kushtetuese e demokratike, ndërsa Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) foli për rrëzimin e diktatit.

Ndërsa, politologu Ramadan Gjanaj, thotë se vendimi duket përpjekje e rëndësishme për të ruajtur rendin kushtetuese, por nuk ofron një rrugë konkrete për zhbllokim të plotë.

Sipas tij, Gjykata nuk e ka rolin për të gjetur zgjidhje për një problem, por duhet përgjigjur pyetjeve ashtu si i janë paraqitur.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese për të shpallur të pavlefshme seancat e Kuvendit nga 27 qershori deri më 26 korrik 2025, për të vendosur një afat 30-ditor për konstituimin e tij dhe për të kërkuar zgjedhjen e kryeparlamentarit me votim të hapur, duket si një përpjekje e rëndësishme për të ruajtur rendin kushtetues dhe për t’i dhënë kohë palëve politike për të gjetur një zgjidhje. Ky vendim synon të shmangë dëme të menjëhershme institucionale dhe të detyrojë deputetët të respektojnë procedurat kushtetuese. Megjithatë, siç kanë theksuar disa njohës të drejtësisë, vendimi është kritikuar si i paqartë ose konjukturor, pasi nuk ofron një rrugë konkrete për zhbllokim të plotë, por vetëm shtyn krizën, duke lënë suksesin në varësi të vullnetit politik të deputetëve, i cili deri më tani ka munguar. Megjithatë, Gjykata Kushtetuese nuk ka rolin për të gjetur një zgjidhje për një problem që lidhet me mosgatishmërinë e deputetëve dhe të partive politike. Prandaj, Gjykata i është përgjigjur pyetjeve ashtu si i janë paraqitur dhe ka dhënë interpretimin e saj. Pavarësisht kësaj, duhet theksuar se, edhe nëse vendimi nuk i kënaq të gjitha partitë politike, ai në parim duhet të respektohet nga të gjithë, pasi është një vendim i organit më të lartë kushtetues, dhe të gjithë aktorët duhet t’i nënshtrohen atij për të shmangur kaosin institucional dhe, mbi të gjitha, për të mbrojtur shtetin ligjor”, shprehet Gjanaj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *