Ekskluzive: gjyqtari i kushtetueses Safet Hoxha dyshohet se është duke u shantazhuar me një diplomë false të lëshuar nga Universiteti i Kragujevcit në Serbi
Gjykata Kushtetuese e Kosovës më 8 gusht publikoi vendimin e saj lidhur me krizën institucionale në Kuvendin e Kosovës, duke vendosur që zgjedhja e Kryetarit të Kuvendit duhet të bëhet me votim të hapur.
Ky vendim kundërthënës i Gjykatës Kushtetuese shkaktoi përplasje te ashpra në mes pozitës dhe opozitës. Partitë Opozitare e përshëndetën vendimin e Gjykatës Kushtetuese duke quajtur si fitore të demokracisë ndërkohë deputetw e ministra nga Lëvizja Vetëvendosje e kundërshtuan duke thënë se ky vendim në vetvete është kundërthënës pasi që gjykata ka shkruar norma të reja kushtetuese duke qenë se në vendimet e saja të mëparshme e njëjta gjykatë kishte paraparë edhe votimin e fshehtë.
Deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje hodhën akuza ndaj gjyqtarëve të kushtetueses duke thënë se shumica prej tyre janë zgjedhur në kohën e qeverisjeve të kaluara dhe po ju shërbejnë atyre.
Në fakt disa gjyqtar të kushtetueses padyshim se janë të lidhur me partitë e opozitës pasi që ata kishin pasur edhe pozita të ndryshme në institucione shtetërore të lidhura direkt me politikën para se të bëheshin gjyqtar të Gjykatës Kushtetuese.
Safet Hoxha i cili është emëruar gjyqtar në Gjykaten Kushtetuese në vitin 2018, para se të dekretohej në këtë pozitë nga ish presidenti Hashim Thaçi kishte qenë asamblist i Partisë Demokratike të Kosovës në Komunën e Suharekës.
Megjithë kundërshtimin e shoqërisë civile dhe opinionit në atë kohë për mos dekretim për shkak të politizimit të Gjykatës Kushtetuese, ish-presidenti Thaçi kishte vendosur që ta dërgonte Hoxhen si gjyqtar duke i bërë kapje flagrante nga politika institucionit më të rëndësishëm gjyqësor në vend. Hoxha kishte kandiduar edhe në zgjedhjet e përgjithshme për Këshill Drejtues të PDK-së në vitin 2013.
Momenti i dekretimit të gjyqtarit Safet Hoxha nga ana e ish-presidentit Hashim Thaçi, po në këtë ditë ishte dekretuar edhe gjyqtari serb Radomir Llaban i propozuar nga Lista Serbe.
Me mbështetjen e fuqishme të PDK-së, në kohën sa ishte rektor i Universitetit të Prizrenit Ramë Vata (ish deputet i PDK-së), Safet Hoxha u angazhua si ligjërues në këtë universitet duke dhënë mësim si doktor shkence.
Po ashtu që nga viti 2010 e deri në vitin 2018 kur u emëruar gjyqtar në kushtetuese Hoxha kishte qëndruar për shumë vite në krye të Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik (KRPP).
Por a janë duke u shantazhuar apo kontrolluar nga dikush disa nga gjyqtarët e Gjykatës Kushtetuese e në këtë rast edhe gjyqtari Safet Hoxha?
KosovaNews ka siguruar një diplomë të doktoratës e cila pretendohet të jetë e gjyqtarit Safet Hoxha ku sipas burimeve tona ai për një kohë të gjatë është shantazhuar pikërisht me këtë diplomë.
Në fakt kjo diplomë është tërësisht e falsifikuar dhe ajo që është më skandaloze është se kjo diplomë e doktoratës është lëshuar në Kragujevc të Serbisë.
Në fillim të vitit 2020 në Serbi kishte plasur një skandal i madh me diploma false të lëshuar nga Universiteti i Kragujevcit. Ndërkohë në në gusht të vitit 2022 ishte arrestuar rektori i Universitetit të Kragujevcit Nebojsha Arsenijeviq nën dyshimin se ai në cilësinë e rektorit kishte lëshuar me qindra diploma false në këmbim të parave.
Sipas mediave serbe në atë kohë rektori Arsenijeviç kishte lëshuar diploma kryesisht për shtetasit e huaj si kroatë, maqedonas por edhe shqiptarë.
Madje mediat serbe kishin publikuar edhe emrat e 15 shqiptarëve të Kosovës të cilët ishin pajisur me këto diploma e në mesin e këtyre emrave ishte edhe emri i Safet Hoxhës, gjyqtarit të sotëm të Gjykatës Kushtetuese.
Aty thuhej se Hoxha kishte mbrojtur disertacionin e doktoratës me titullin “Prokurimi publik – zhvillimi ligjor dhe praktik në Kosovë” është “doktor i shkencave juridike”.
Kjo diplomë ishte lëshuar nga UNIVERSITETI PËR PAQE I KOMBEVE TË BASHKUARA, QENDRA EVROPIANE PËR PAQE DHE ZHVILLIM (ECPD) në bashkëpunim me Universitetin e Kragujevcit dhe mban nënshkrimin e ish rektorit Nebojsha Arsenijeviq dhe rektorit të ECPD Branisllav Shoshkiq.
Ky lajm kishte kaluar pothuajse në heshtje të plotë në mediat e Kosovës.
Për çudi lajmin e dha RTK-ja duke e publikuar një pjesë të diplomës së Safet Hoxhës mirëpo ishte hequr pas pak minutash!?
Me 24 mars 2021 portali zyrtar rtklive.com kishte publikuar lajmin me titull: Ballkan-Gjendet diploma e dyshuar si false e gjyqtarit Safet Hoxha
Sipas burimeve të KosovaNews brenda RTK-së ky lajm kishte qëndruar për rreth 30 minuta në web faqen e RTK-së dhe më pastaj ishte hequr pa dhënë ndonjë shpjegim.
KosovaNews ka siguruar një print screen të lajmit të publikuar në web faqe dhe në rrjetin social facebook.
Ky është linku që të dërgon tek lajmi mirëpo nëse klikojmë vërtetohet se lajmi është fshirë…
https://www.rtklive.com/sq/news-single.php?ID=510404&fbclid=IwY2xjawMFH8VleHRuA2FlbQIxMQBicmlkETFpZ29hZGNKdWw3OUtPZFJlAR65phJ0ruRkciQtS8diYHeeXvhBye-AtfmC5whXNu3r5UjQ9J6Aj30sH5_D9Q_aem_ybEVyl2AKJ2N08nDvV5w-w
Se cila është e vërteta e diplomës dhe e doktoratës së gjyqtarit të kushtetueses Safet Hoxha i cili dyshohet ta ketë marrë krejtësisht të falsifikuar në Universitetin e Kragujevcit, KosovaNews ka filluar me një hulumtim të thellë dhe ta publikojmë në ditët në vazhdim…