OPINIONTË FUNDIT

Shitja e “Testamentit të Skënderbeut” te rusët nga igumeni i kishës së Shën Gjonit, shënimi në ditarin e priftit

Dokumentet që kanë lidhje me Gjergj Kastriot Skënderbeun, për vetë faktin se hedhin dritë mbi veprën e jetën e heroit tonë kombëtar, kanë një rëndësi të posaçme, si për historianët edhe për lexuesit shqiptarë. Prej dokumenteve më me rëndësi janë ato të shkruara nga vetë ai.

Një testament i Gjergj Kastriotit do të ishte krejt kuptimshëm një dokument me rëndësi të veçantë historike. Mjafton të përmendim vëmendjen ndaj testamentit të rremë që shfaq aventurieri Stefan Zanoviç (1751-1786) në librin e tij të mbushur me sajime për Skënderbeun. Libri i tij nuk përbën asnjë referencë serioze dhe nuk merret në konsideratë. Por, krejt ndryshe nga ky aventurier spekulues, një tjetër rast në të cilin përmendet testamenti i heroit, është ai i fjalës së Papës Pali VI, në janar të vitit 1968, kur u përkujtua në Romë 500-vjetori i vdekjes së Heroit Kombëtar, Gjergj Kastriotit (“Do të vërtetohet, kështu, testamenti i Skënderbeut e, sërish, do të shkëlqejë plot lavdi Atdheu juaj”). Por, as në këtë rast (përveç kësaj fjale të vetme: “testament”) nuk kemi asnjë provë apo dokument që të konsiderohej si testament i lënë nga Skënderbeu. Nuk përjashtohet mundësia që fjala testament të jetë përdorur në mënyrë metaforike. Me sa u tha, treguesit në lidhje me një testament të mundshëm të Skënderbeut nuk shterojnë këtu. Do të trajtojmë në këtë shkrim dëshmitë arkivore dhe literaturën që mund të çojë drejt një shtegu nëpër të cilin të ecet për vërtetimin e ekzistencës së një dokumenti të tillë.

Para disa vitesh, në një diskutim publik i cili lidhej me historinë dhe trashëgiminë shqiptare, studiuesja Nevila Nika bëri një deklaratë e cila pati një farë jehone. Ajo duke iu referuar ditarit të një prifti, të lënë në dorëshkrim, i cili sillte një informacion të rrallë, tha: “Unë vij nga bota e dokumenteve dhe dua të ndaj me ju diçka që kam lexuar disa vite përpara në lidhje me një dokument, ditari i një prifti dhe që ishte i pabotuar, një ditar dhe një libër historie i jashtëzakonshëm, por që ka përshtypje për fqinjët tanë, por edhe për ne sigurisht dhe, në ditar, ka një shënim të tillë: Prifti i Manastirit të Shën Vladimirit gjatë vizitës së një arkeologu rus, i ka dhuruar testamentin e Gjergj Kastriotit. Nuk e di se sa është e vërtetë. Ishte viti 1924. Jemi munduar të zbulojmë se kush është ky personazh që ka ardhur nga Rusia dhe i dhurohet ky testament dhe nuk e kemi gjetur deri tani. Këtu është fjala për dokumente të rralla që nëse nuk ekzistojnë më, na prishin shumë punë” (Nevila Nika, “Testamenti i Gjergj Kastriotit, në duart e një arkeologu rus”, 17 korrik 2017).

RRËFIMI I PRIFTIT

Prifti që ka mbajtur këtë ditar, i cili përmendet këtu më sipër, duket si i është referuar një dokumenti (ose mund të kemi të bëjmë me të njëjtën dëshmi). Dokumenti [besoj se është ai] që jep me shkrim dore informacionin e priftit që citon znj. Nika, ndodhet në Arkivin Qendror Shtetëror (AQSH), në fondin 133, “Urdhri Françeskan”, brenda dosjes nr. 915, e cila ka përshkrimin: “Dëshmi e vërtetuar nga Provincialati Françeskan në Shkodër mbi sendet e ndryshme të mbledhura nga kultura popullore shqiptare për në ekspozitën e Vatikanit në vitin 1924 si dhe një dokument pa firmë e pa adresë mbi grabitjen nga Manastiri i Shëngjonit Elbasan të testamentit të Skënderbeut nga një arkeolog rus”.

Ky dokument është një fletë e vetme, e shkëputur, e palidhur me ndonjë pjesë tjetër të shkruar. Në dorëshkrim, në krye të faqes, dy fjalë janë thuajse të palexueshme prandaj në transliterimin e sjellë këtu, ato janë futur në kllapa katrore. Dokumenti lexohet si në vijim:

“[Te shtojca e pasme (?)] gjinden këto mbishkrime

D. N. FLAVIO VALCO

P. FINVAV.

Sot me 17-VIII-924.

Z. Papa Jorgji më tha se kohën e ungjit të ti Visarit, Kryepeshkvit të Durrësit, kishte arthë nji Rus arkeolog te Manastiri i Shenhjonit t’ Elbasanit e marrë sa shkrime ndër të cillat edhe Testamentin e Skandërbeut. Kur i ka diftue i parë i Kuvendit të Shen Hjonit, se i ka bâ ndere Rusit e nder tiera i kishte pasë thanë”

(AQSH, Fondi 133, “Pa vit”, Dosje 915, fleta 1).

Fatkeqësisht, vijimi i kësaj dëshmie nuk njihet, pasi nuk gjendet në arkiv fleta tjetër, pasuese e kësaj, e cila mund të ketë pasur detaje të shtuara rreth këtij rrëfimi. Papa Jorgji që përmendet këtu si dëshmitar, është ish-arkimandriti ortodoks, atë Jorgji Germanos (1858-1929), ose i njohur ndryshe edhe si Papa Jorgji Theohari, i cili u konvertua në katolicizëm. Kjo fletë, e shkruar me laps plumbi, është dëshmi e humbjes së një dokumenti tejet të rëndësishëm për historinë e Shqipërisë. Testamenti i Skënderbeut krahas vlerës historike, do të përfaqësonte edhe një vlerë të madhe simbolike për identitetin kombëtar shqiptar, si gjurma, apo si fryma e fundme, e heroit tonë kombëtar. Sipas dokumentit, Testamenti gjendej në bibliotekën e manastirit të Shën Gjon Vladimirit, në Elbasan. Kjo bibliotekë dikur ka pasur një koleksion të begatë tekstesh të rralla. “Me shkatërrimin e Akademisë së Voskopojës, për t’u shpëtuar përndjekjeve, shumë dijetarë gjetën strehë në manastirin e Gjon Vladimirit. Manastiri u kthye në qendër ku u bënë shumë përkthime, me anën e të cilave u kultivua gjuha shqipe. Këtë fakt e vërtetojnë dorëshkrimet e shumta që janë gjetur në manastir. Duhet theksuar se Elbasani në atë kohë ka qenë rezidenca e Mitropolitit të Durrësit, prandaj manastiri i Gjon Vladimirit u kthye në vendin ku shkrimet shqipe gjetën vend të përshtatshëm, sepse aty kanë punuar dhe jetuar personalitete të fuqishme të kohës si Papa Totasi, Dhaskal Todri, Imzot Visarion Xhuvani etj. (Andrea Llukani, “Manastiri i Gjon Vladimirit, qendër e rëndësishme për shkrimet shqipe”, Albanon, 2(1). Elbasan, 2021, f. 78).

Pothuajse të gjitha këto dorëshkrime janë zhdukur, shkatërruar ose grabitur. Të interesuar për marrjen e tyre kanë qenë edhe të huaj që ua kanë ditur vlerat, ose që synonin zhdukjen e kulturës shqiptare. Ndër këto grabitje që janë bërë është edhe Testamenti i Skënderbeut.

“Sipas traditës gojore biblioteka e manastirit të Shën Gjon Vladimirit ka pasur shumë libra, por fatkeqësisht, gjithçka është zhdukur. . . Edhe të huajt kanë synuar të grabisin vlerat kulturore të manastirit, nën petkun e mikut dhe herë nën petkun e armikut. Thuhet se rreth viteve 1900, konsulli rus i Manastirit vizitoi manastirin e Shën Gjon Vladimirit dhe mori kodikun e dhuruesve” (Llukani 2021, f. 80).

Në vijim sillet i plotë një tjetër dokument arkivor i AQSHsë lidhur me këto grabitje. Në një dorëshkrim të hershëm të Papa Anastasit, jepet dëshmia e zhdukjes së dokumenteve me vlerë nga manastiri i Shën Gjon Vladimirit, në Elbasan. Në vend të arkeologut rus, të përmendur në dokumentin e parë, në këtë dokument të dytë, vizitori rus, përmendet si “mbreti” i Rusisë (“konsull”). Ja se ç’thotë kjo dëshmi e dytë për dorëshkrimin e Skënderbeut:

“Sot 2/5 – 2/6 vjet erth nga manastiri i dyti mret i Rusiës n’Elbasan edhe bashkë me Jorg Bufin çelën në çardhak të Kishës Shjonit disa arka me libra të vjetër. Gjetën nji librë të madh me mukavà dërrase edhe të tjera ndër të cilat edhe një ferman të Sk/beut edhe i murën si dorovitën igumenin Haxhi Grigorin e Papa Anastasin e sotme qi ish ahere çun, me nji grusht minxhi— [mexhite? – A.H.], murën ene ikonën vjetër të proskomidhiës qi ish shkru në të afierotà që nga Karllo Topia e masandej. (Papa anastasi )”

(AQSH, Fondi 138, “Pa vit”, Dosje 16, fleta 9).

Ky dokument i dytë, dëshmon se Jorgj Bufi, ishte dëshmitar i kësaj ngjarjeje. Në këtë dokument përmendet një ferman (kartë?) i Skënderbeut i ruajtur në arkat e drurit të bibliotekës së manastirit. Ky “ferman” mund të jetë dokument i ndryshëm nga Testamenti, të cilin vetë papa Jorgji ka treguar se e bleu arkeologu rus; por mund të jetë edhe i njëjti. Lind pyetja nëse arkeologu rus dhe konsulli rus (ndoshta ishin të dy së bashku) kanë marrë të njëjtin dokument të Skënderbeut. Dokumenti i parë arkivor që i referohemi (AQSH, f. 133, d. 915) është shkruar në vitin 1924; në dokumentin e dytë (AQSH, f. 138, d. 16) jepet informacioni se vizita ka ndodhur 25-26 vjet më parë. Nëse e konsiderojmë edhe dokumentin e dytë, të vitit 1924 (me përafërsi) atëherë vizita e rusëve në manastir duhet të jetë bërë aty nga viti 1899-1900. Meqenëse na del në dy burime, e marrim të mirëqenë dëshminë e Papa Jorgji Bufit se dokumenti i blerë nga rusët ishte Testamenti i Skënderbeut; në rastin më të keq, ky dokument që ata kanë marrë është një tjetër dorëshkrim i Skënderbeut dhe jo testamenti. Edhe nëse është kështu, mund të jemi përballë një dokumenti tjetër të panjohur, të Skënderbeut, që fle diku në ndonjë koleksion ose në arkivin rus. Le të përpiqemi të zbardhim me sa të mundemi se cilët ishin rusët e ardhur në Elbasan, të cilët futën në dorë Testamentin e Skënderbeut.

NË GJURMË TË RUSËVE

Vizita e rusëve në Elbasan dhe marrja e dokumenteve të vjetra, duhet parë në kornizën e gjerë të strategjisë që ata kishin për shfrytëzimin e kulturës ortodokse sllave me qëllim zgjerimin e ndikimit dhe të interesave ruse; për këtë qëllim ata dërguan ekspedita studiuesish në Ballkan – këtu duhet kërkuar gjurma e atyre që morën Testamentin. Gjatë fundshekullit të nëntëmbëdhjetë, pjesa evropiane e Perandorisë Osmane ishte në fokus të interesit të posaçëm rus, si të politikave edhe të publikut e të studiuesve. Maqedonia kishte një vëmendje të madhe dhe nuk shikohej me interes nga rusët, vetëm për aktivitetet separatiste të nacionalistëve, por edhe nga fakti se ajo ishte një lloj “terra incognita”, në të cilën ishin ruajtur kushtet e jetesës, që nga kohët paramoderne.

Në vëllimin III të veprës së tij “Studime mbi historinë e kulturës ruse”, botuar në vitin 1901, historiani dhe politikani i njohur liberal rus, Pavel Nikolajeviç Miljukov, e përshkruante rastin e Maqedonisë si një “eksperiment sociologjik”, për shkak të metamorfozës kombëtare të popullsisë, të nxitur nga konkurrenca midis politikave arsimore serbe dhe bullgare. Hulumtimet e Miljukovit për Maqedoninë filluan me dy ekspedita shkencore, gjatë të cilave ai ishte në gjendje të demonstronte njohuritë e tij në fushën e monumenteve kulturore sllave. Në vjeshtën e vitit 1898, ai iu bashkua një ekspedite të Institutit Arkeologjik Rus të Kostandinopojës, të udhëhequr nga bizantologu Fedor I. Uspenski, e cila kishte për qëllim të studionte ndërtesat kishtare, afresket dhe mbishkrimet me origjinë sllave. Në të njëjtën kohë, nën kujdesin e institutit, Miljukovi arriti, gjithashtu, të siguronte leje nga autoritetet osmane për gërmime në Liqenin e Ostrovos.

Në pranverë, vëmendja e Miljukovit ishte përqendruar te gjetjet arkeologjike që ishin zbuluar gjatë ndërtimit të një linje hekurudhore jo shumë larg vendbanimit të Patelit. Punimet në vendin e varrimit të Epokës së Bronzit, të cilat u drejtuan kryesisht nga Miljukovi dhe sekretari shkencor Boris V. Farmakovski, zgjatën nga mesi i tetorit deri në mesin e nëntorit. Gjatë një ekskursioni që çoi përgjatë kufirit shqiptar nga ana jugore e Liqenit të Prespës, përgjatë bregut perëndimor të Liqenit të Ohrit, deri në Ohër, në fshatin German, në juglindje të Liqenit të Prespës, u zbulua një epitaf i viti 993, i carit bullgar Samuel. Më 9 gusht 1899, Miljukovi lexoi një raport mbi gjetjet e ekspeditës, në Kongresin XI Arkeologjik në Kiev dhe botoi një katalog në Izvestiia Arkheologicheskogo instituta, po atë vit. Pasi Miljukovi u kthye në Shën Petersburg, si një ekspert i njohur për Maqedoninë, ai u ftua sërish për t’iu bashkuar ekspeditës së Akademisë Imperiale të Shkencave të udhëhequr nga bizantologu Nikodim P. Kondakov [ky ka botuar edhe librin për arkeologjinë në Maqedoni: Nikodim P. Kondaktov. Makedoniia: Arheologicheskoe puteshestvie. St. Petersburg: Tipografiia Imperatorskoi Akademii Nauk, 1909], në verën e vitit 1900. Qëllimi i kësaj ekspedite ishte të mblidhte materiale arkeologjike si dhe materiale filologjike për studime historiko-etnografike (Thomas M. Bohn. Russian Historiography from 1880 to 1905. Berghahn Books, 2024, f. 140).

Në fillim të 1900-s një ekspeditë kërkimore ruse shkoi në Maqedoni. Pas udhëtimeve të gjata dhe studimeve të thella, etnografë, gjuhëtarë, historianë, etj., autoritarë, arritën në përfundimin se: “Tek sllavët maqedonas kemi një grup kombëtar i cili është shumë e qartë së i përket kombësisë që banon brenda vetë Bullgarisë” (International revieë of military history. International Committee of Historical Sciences, 1984, f. 121).

Për Miljukovin, çështja maqedonase ishte para së gjithash një çështje sllave. Ajo përbënte fokusin e analizave të tij historike për problemin ballkanik, të botuara në vitin 1899, dhe zinte një pozicion kyç në lidhje me konceptimin politik të Ballkanit në veprimtarinë e tij të mëvonshme si deputet (Bohn, po aty). “Zbulimi i gurit me mbishkrim nga fshati German, afër Prespës, drejt fundit të shekullit XIX, shënoi një kthesë historiografike në interpretimet mbi Perandorinë e Samuelit. Edhe kësaj here, ishte Rusia ajo që nisi gjithçka, përmes Fedor Uspenskit (1845-1928), Drejtor i Institutit Arkeologjik Rus në Kostandinopojë, i cili promovoi gjetjen në qarqet akademike në vitin 1899. Zbulimi i këtij guri ishte rezultat i një ekspedite të veçantë të Institutit, në Maqedoni, e ndërmarrë në vitin 1898. E përqendruar në periudhën mesjetare, ekspedita synonte “të njihte monumentet arkeologjike të këtij vendi interesant dhe pak të studiuar.” Sipas dëshmisë së historianit rus Pavel N. Miljukov [i konsideruar edhe si një ekspert për Ballkanin], ekspedita vizitoi fshatin German pasi mori lajmin se ishte gjetur një mbishkrim i vjetër sllav. Menjëherë, ata e pranuan gurin me mbishkrim si autentik dhe e interpretuan atë si një përkujtimore të Samuelit për prindërit dhe vëllanë e tij David, në vitin 993: “Në emër të Atit, Birit dhe Shpirtit të Shenjtë. Unë Samueli, shërbëtor i zotit, vendos këto kryqe në përkujtim të atit tim, nënës sime dhe vëllait tim. Emrat e tyre ishin [Ni]kolla, shërbëtor i zotit, […]a, David. Shkruar në vitin 6501, nga krijimi i botës, në indikcionin e gjashtë [më 993].”

Fakti që mbishkrimi tregonte se emri i të atit të Samuelit ishte Nikolla, e shtyu Uspenskin të sugjeronte se emri i tij i murgut ishte Shishman, duke deklaruar se: “Akuza ndaj Samuelit për vrasjen e të atit të tij është e pabazë.” Edhe sllavistët Liubomir Miletich (1863-1937) dhe Timofei D. Florinski (1854- 1919) mbështetën autenticitetin e gurit me mbishkrim në punimet e tyre shkencore” (Mitko B. Panov. The Blinded State: Historiographic Debates about Samuel Cometopoulos and His State (10th-11th Century). Brill, 2019, f. 281).

Miljukovi iu përkushtua në periudhën e azilit të tij nga Rusia, studimit të Bullgarisë dhe veçanërisht të politikës së jashtme të saj; po ashtu ai u interesua edhe për Maqedoninë. Aty nga viti 1900 ai bëri një vizitë edhe në Korçë, duke udhëtuar shtëpi më shtëpi, nga dhjetë orë në ditë nëpër male, në fshatra të cilët synonte t’i bashkoheshin bullgarëve (Thomas Riha. A Russian European; Paul Miliukov in Russian politics. University of Notre Dame Press, 1969, f. 35).

Interesi arkeologjik e historik rus lidhej kryekëput me politikën e jashtme ruse dhe synimet e ndikimit rus në Ballkan. Kjo politikë shihet e pasqyruar edhe te orientimet që i jepeshin asokohe konsullit shumë aktiv rus në Maqedoni, Aleksandër Arkadieviç Rostkovskit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *