Sërish rigjykim ndaj ish-kryetarit të LDK-së në Drenas i akuzuar për pastrim parash
Gjykata e Apelit e ka kthyer në rigjykim rastin ndaj Bedri Nikës ish-kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Drenas dhe nipit të tij, Albian Nika të akuzuar për pastrim parash.
“Me aprovimin e ankesave të akuzuarit Bedri Nika dhe mbrojtësit të tij, av.Granit Hadergjonaj, si dhe ankesës se mbrojtësit të akuzuarit Albian Nika, av. Përparim Haliti, dhe sipas detyrës zyrtare, aktgjykimi i Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, …, i datës 26.11.2024, ANULOHET dhe çështja i kthehet të njëjtës gjykatë në rigjykim dhe vendosje”, thuhet në vendimin e Apelit, raporton “Betimi për Drejtësi”.
Pas kthimit në rigjykim nga Supremja, Themelorja me 26 nëntor 2025 kishte dënuar me 1 vit burgim dhe 15 mijë euro gjobë ndaj ish-kryetarit të LDK-së në Drenas, gjashtë muaj burgim e 3 mijë euro gjobë për nipin e tij.
Ndryshe, edhe në rigjykimin tjetër me datës 28 tetor 2024, dy të akuzuarit janë shpallur fajtorë për veprën penale në bashkëkryerje “Shpëlarje e parave”.
Gjykata Themelore në Prishtinë më 14 prill 2023, kishte shpallur aktgjykim duke e dënuar të akuzuarin Bedri Nika me 1 vit burgim dhe 15 mijë euro gjobë për veprën penale “pastrimi i parasë”, ndërsa e kishte liruar për veprën penale “blerja, pranimi dhe fshehja e sendeve të përfituara me vepër penale”. Kurse të akuzuarin Albian Nika për veprën penale “pastrim i parasë” e kishte dënuar me 6 muaj burgim dhe 5 mijë euro gjobë.
Gjykata e Apelit e kishte vërtetuar aktgjykimin e Gjykatës Themelore në Prishtinë.
Por, Gjykata Supreme më 22 janar 2025 kishte konstatuar se aktgjykimi i gjykatës së shkallës së parë nuk është përpiluar duke u bazuar në dispozita ligjore, pasi që si dispozitivi, ashtu edhe arsyetimi nuk përmbajnë sqarime të duhura në lidhje me “aktivitetin kriminal”, që konsiderohet element esencial i figurës së veprës penale për të cilën i dënuari Nika është shpallur fajtor.
Sipas të njëjtit aktgjykim thuhet se shkeljet esenciale të dispozitave të procedurës penale me të cilat janë përfshirë aktgjykimet e shkallës së parë dhe së dytë janë të asaj natyre që nuk kanë mundur të evitohen nga Gjykata Supreme e Kosovës, kështu që të njëjtat kanë qenë arsye që kanë imponuar që detyrimisht kjo çështje penale të kthehet në rigjykim në gjykatën e shkallës së parë, e cila duhet të marrë një vendim të drejtë, të ligjshëm dhe të arsyetuar mjaftueshëm për çdo pikë të aktgjykimit.
Sipas Apelit, shkalla e parë vendimin nuk e ka përpiluar bazuar në dispozitat ligjore duke mos sqaruar aktivitetin kriminal që është element esencial i figurës së veprës penale të pastrimit të parave.
Gjithashtu, Apeli ka theksuar se edhe Gjykata Supreme në vendimin e saj ka përmendur formën e aktivitetit kriminal që është nocion i formës së paligjshmërisë dhe se pas vendimit të Supremes, Apeli ka sqaruar se nuk pajtohet me vendimin e Themelores në Prishtinë.
Gjithnjë sipas vendimit të Apelit thuhet se nga provat e administruara nuk rezulton se kanë prejardhje të paligjshme që të arrihet në përfundimin se ato para kanë derivuar nga një aktivitet kriminal.
Apeli ka potencuar se jo gjithçka që është e paligjshme nënkupton se është kriminale.
“Kolegji penal i Gjykatës së Apelit thekson se jo detyrimisht mund të konstatohet se ajo çka nuk është e ligjshme është edhe çdo herë kriminale, pasi që paligjshmëria është një nocion më i gjerë se sa nocioni i ndonjë forme të aktivitetit kriminal…” thuhet në vendim.
Tutje, Kolegji ka konstatuar se kur bëhet fjalë për veprën penale të pastrimit të parave, legjislacioni ynë penal ka akceptuar formatin e “formës së aktivitetit kriminal”, andaj edhe si e tillë duhet të zbatohet në praktikën tonë gjyqësore, që dallohet nga formati i “formës së aktivitetit të paligjshëm”.
Në këtë mënyrë, edhe për arsyet e cekura më lart, pikëpamjet dhe arsyetimet e gjykatës së shkallës së parë që ndërlidhen me “aktivitetin kriminal” janë të papranueshme, pasi që nuk gjejnë mbështetje në shkresa të lëndës dhe në dispozita përkatëse ligjore.
Sipas aktakuzës së ngritur më 20 dhjetor 2021, Bedri Nika ngarkohej me veprat penale “Blerja, pranimi dhe fshehja e sendeve të përfituara me vepër penale” dhe veprën penale “Pastrimi i parasë”, me të cilën vepër ngarkohej edhe i akuzuari Albian Nika.