TË FUNDIT

Maqedonci: Planifikohet fabrikë shtetërore ushtarake me investitorë amerikanë

Ministri në detyrë i Mbrojtjes i Kosovës, Ejup Maqedonci, në një intervistë për “Balkan Talks” në Euronews Albania, ka folur për bashkëpunimin ushtarak mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Ai ka dhënë detaje mbi marrëveshjen e parë kornizë të mbrojtjes mes Kosovës dhe SHBA-së, ndërsa foli edhe për vizitat e tij në SHBA.

Maqedonci shpjegoi përfitimet që i vijnë Kosovës nga nënshkrimi i marrëveshjeve dypalëshe të cilat, sipas tij, thellojnë dhe zgjerojnë bashkëpunimin mes dy vendeve në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë.

“Kemi një thellim dhe zgjerim të raporteve me SHBA, e veçanërisht në fushat e mbrojtjes dhe sigurisë. Që nga koha kur kam marrë detyrën e ministrit para dy vjetëve, kam pasur tre vizita në Departamentin e Mbrojtjes. Gjatë vizitës së fundit, së bashku me ndihmëssekretarin e Mbrojtjes, jemi dakorduar për rrugën e bashkëpunimit midis vendeve tona në fushën e mbrojtjes. Konkretisht, kemi rënë dakord për disa pika ku do të fokusohemi dhe do të punojmë bashkarisht për implementimin e tyre, që Kosova të jetë e vetëqëndrueshme në aspektin e mbrojtjes dhe në të ardhmen të ketë kapacitete të afta për ta mbrojtur territorin dhe jetën e qytetarëve të saj”.

“Kemi dakordim për trajnime dhe stërvitje të përbashkëta, si dhe për pjesëmarrje në misione në vende të huaja, si ajo që kemi bërë në Kuvajt. Po ashtu, kemi dy pika të veçanta: industrinë e mbrojtjes dhe një rritje të bashkëpunimit për përgatitjen e shoqërisë për të reaguar dhe për t’i mbështetur institucionet e sigurisë për të mbajtur qëndrueshmërinë në rast lufte. Do të kemi një fabrikë shtetërore ushtarake, ku së fundmi kemi pasur një takim në Prishtinë për sinkronizimin e investitorëve ushtarakë amerikanë me kompanitë tona, ku përveç sektorit publik, po punojmë edhe me sektorin ushtarak privat amerikan, që është një nga prioritetet e kryeministrit dhe për mua personalisht, për të fokusuar këtë industri jo vetëm për vendin, por edhe për eksport”, tha Maqedonci.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *