“Kushtetuesja nuk e zgjidhi problemin, vendimi i saj pa rrugëdalje”, juristët komentojnë aktgjykimin
Gjatë ditë së premte, Gjykata Kushteutese mori njw vendim që konstituimi i Kuvendit, përfshirë zgjedhjen e kryetarit apo kryetares, të bëhet përmes votimi të hapur dhe brenda tri tentativave për të njëjtin kandidat, duke i ftuar të gjithë deputetët të marrin pjesë dhe të votojnë.
Në këtë vendim Kushtetuesja theksoi se duhet zgjatur masën e përkohshme që ndalon çdo veprim parlamentar nga 27 korriku deri më 8 gusht.
Pra, vendimi i fundit i Kushtetueses shtyn përfundimin e seancës konstituive duke e detyruar Kuvendin të veprojë përmes votimit të hapur dhe të përfshijë gjithë deputetët, për të dalë nga bllokada politike në të cilën është futur institucioni.
Ky vendim i kësaj gjykate është parë në shumë këndvështrime.
Një qëndrim për këtë vendim gjykate e ka edhe profesori universitar, Prof.Dr. Fejzulla Berisha.
Ai thotë se, vendimi i fundit i Gjykatës Kushtetuese të Republikës së Kosovës lidhur me moskonstituimin e Kuvendit përbën një moment kulmor në evoluimin e jurisprudencës kushtetuese të vendit.
Berisha: Ky vendim, për pasojë, ka implikime të dyfishta: juridike dhe politike
“Ky akt nuk është thjesht një interpretim teknik i dispozitave të Kushtetutës, por një ndërhyrje me peshë të gjerë politike e institucionale, që prek drejtpërdrejt funksionalitetin e organeve shtetërore dhe stabilitetin e rendit demokratik. Çështja themelore, pamundësia për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit brenda afateve kushtetuese, ka krijuar një bllokadë institucionale me pasoja serioze mbi arkitekturën e ndarjes së pushteteve dhe ushtrimin efektiv të sovranitetit popullor. Ky vendim, për pasojë, ka implikime të dyfishta: juridike dhe politike”, vlerëson profesori.
ImageProf.Dr. Fejzulla Berisha.Foto galeri
“Nga aspekti juridik, nëse vendimi respekton parimet themelore dhe mbyll boshllëqet pa tejkaluar kompetencat e Gjykatës, ai përfaqëson një zgjidhje optimale brenda kornizës kushtetuese. Nga aspekti politik, qëndrueshmëria afatgjatë kërkon jo vetëm saktësim procedurash, por edhe mekanizma automatikë që parandalojnë bllokadat. Pa këtë element, vendimi mbetet i rëndësishëm, por jo final”, vlerëson ai.
Tutje, profesor Berisha thotë se, vendimi i Gjykatës Kushtetuese ka potencial real për të zhbllokuar krizën institucionale, por efikasiteti i tij praktik varet nga vullneti politik për zbatim të plotë e të ndershëm, presioni i opinionit publik dhe shoqërisë civile, aftësia e institucioneve për zbatim të qëndrueshëm.
“Përvoja ndërkombëtare tregon se interpretimi kushtetues duhet të jetë i qartë, detyrues dhe pa hapësira për keqinterpretime, duhet të ketë afate të përcaktuara dhe mekanizma automatikë për të shmangur vakuumin institucional, vullneti politik është faktor kyç dhe i pazëvendësueshëm për zbatimin e çdo vendimi juridik. Prandaj, reforma kushtetuese dhe përmirësimi i Rregullores së Punës së Kuvendit janë domosdoshmëri për të mbyllur çdo zbrazëti juridike dhe për të garantuar stabilitetin e institucioneve të Republikës së Kosovës. Çdo tentativë për të shmangur ose deformuar interpretimin e dhënë nga Gjykata Kushtetuese — sidomos kur tentohet të manipulohet nga pushteti ekzekutiv në detyrë, mund të prodhojë pasoja të drejtpërdrejta juridike dhe të rrezikojë rendin kushtetues të vendit”, tha ai.
Burjani: Votimi i hapur e obligon opozitën të votojë, por ka pak rëndësi për zgjidhjen, sepse opozita nuk do të votojë për Albulenën ose ndonjë kandidat të papërshtatshëm për të
Ndërkaq juristi dhe profesori universitar, Blerim Burjani thotë për ‘Bota sot’ se, vendimi, aktgjykimi në mënyrë të prerë kërkon që vetëm tre herë mund të provohet të votohet.
“Nëse jo, nuk thotë asgjë më, as nuk i jepet përsëri e drejta që VV apo partia fituese të propozojë një kandidat tjetër. Pra, është terr ligjor, nuk ka fare sqarim. Pastaj, nuk thotë se çfarë ndodh me Avni Deharin; sipas opinionit sqarues, ai nuk mund ta udhëheqë Kuvendin për shkak të shkeljes së procedures”, thotë Burjani.
ImageBlerim BurjaniFoto galeri
Tutje, ai thotë se ky aktgjykim nuk e ka lehtësuar procesin, por ka mbetur ende pa rrugëdalje.
“Kohëzgjatja e afatit prej 30 ditësh nuk ka kuptim në aspektin e domosdoshmërisë për formimin e institucioneve, por ata e shikojnë sipas parametrave kohorë – një muaj pasi të botohet vendimi në Gazetën Zyrtare. Ky vendim nuk e ka lehtësuar aspak procesin; problemet mbeten të njëjta dhe nuk ka rrugëdalje”, thotë ai.
Profesor Burjani tha se ka pritur që me këtë vendim pas 30 ditësh, në rast dështimi presidentja te merret vesh me partitë politike për organizimin e zgjedhjeve.
“Unë kam pritur që kjo gjykatë, të paktën, të thotë se pas 30 ditësh, në rast të dështimit sërish, presidentja të merret vesh me partitë politike për organizimin e zgjedhjeve të jashtëzakonshme. Votimi i hapur e obligon opozitën të votojë, por ka pak rëndësi për zgjidhjen, sepse opozita nuk do të votojë për Albulenën ose ndonjë kandidat të papërshtatshëm për të”, nenvizoi Burjani.