Geci godet ashpër këta politikanë: Ju njohim mirë — s’ju shpëtojnë as kravata, as gjipat, as milionat!
Halil Geci, në postimin e tij të fundit në Facebook, kritikoi ashpër ata politikanë që dikur u zotuan për atdheun si luftëtarë dhe idealistë, e sot sipas tij janë shndërruar në “bojkotues të tij” — duke humbur lidhjen me rrënjët, me popullin dhe amanetin që dikur përfaqësuan.
Ai i quan “servilë”— ish-këta bashkëluftëtarë që tani, të zhytur në pushtet dhe privilegje, e kanë harruar vetë thelbin e moralit dhe përgjegjësitë që dikur mbartën.
“Por sot, të dehur nga pushteti dhe të veshur me kostume të shtrenjta, silleni sikur jeni pronarë të gjithçkaje. Harroni që dikur ishit në të njëjtën radhë me ne, në të njëjtat rrugë, me të njëjtat halle. Harroni se pa popullin që ju votoi, nuk do të ishit askush.
Mos u bëni zotër të rremë të planetit, sepse pushteti nuk është kurorë mbretërore — është barrë përgjegjësie. Dhe kur të vijë dita e gjykimit të historisë, as kravata, as shthurjet, as gjipat e zinj, as milionat e vjedhur, as pallatet që keni ngritur anembanë botës, as titujt nuk do t’ju shpëtojnë nga e vërteta”, shkroi Geci, përcjell “Bota sot”.
Shkrimi i plotë
Zotërit e krevatave, robër të mendjemadhësisë
“Disa nga politikanët e dalë nga lufta, që dikur u betuan për atdheun, sot janë bërë bojkotues të tij. Ju i keni shndërruar në aleatë tuaj ish-servilët dhe bashkëpunëtorët e pushtuesit, në forma të ndryshme e të fshehta. Të dehur nga pushteti, ata kanë harruar rrënjët, njerëzinë dhe arsyen pse dikur u besuam.”
Ata që dikur ishin bashkë me ne në rrugë, sot sillen si zotër të gjithçkaje, të verbuar nga pushteti dhe arroganca.
Mësoni të hiqni dorë nga krenaria e tepruar dhe mendjemadhësia, duke mos u përpjekur të jeni ata që nuk jeni. Sepse jeni rritur mes nesh, ju njohim mirë, ua dimë babën, gjyshin, stërgjyshin, katragjyshin e pesëgjyshin. Ju nuk keni ardhur nga qielli, as nuk jeni të dërguar nga ndonjë fuqi hyjnore. Jeni bij të këtij dheu, të këtij populli, të kësaj toke që ju rriti në mesin tonë.
Por sot, të dehur nga pushteti dhe të veshur me kostume të shtrenjta, silleni sikur jeni pronarë të gjithçkaje. Harroni që dikur ishit në të njëjtën radhë me ne, në të njëjtat rrugë, me të njëjtat halle. Harroni se pa popullin që ju votoi, nuk do të ishit askush.
Mos u bëni zotër të rremë të planetit, sepse pushteti nuk është kurorë mbretërore — është barrë përgjegjësie. Dhe kur të vijë dita e gjykimit të historisë, as kravata, as shthurjet, as gjipat e zinj, as milionat e vjedhur, as pallatet që keni ngritur anembanë botës, as titujt nuk do t’ju shpëtojnë nga e vërteta.
Disa prej jush, që dikur ishit në radhët e popullit, fukarenj e bythështjerrur, pa tlinë dhe me opinga të grisura, sot shëtisni me marka të shtrenjta e shërbeni si skllevër të bosëve. Populli ju njeh mirë: ju ka parë në varfëri dhe ju sheh sot si rreckamanë të shpirtit, që e këmbeni dinjitetin për një karrige.
Harrojeni: populli ju njeh fort mirë dhe ua di të kaluarën. Ju, servilë të pushtetit dhe zuzare që shisni shpirtin për përfitime, duhet ta mbani mend mirë: pa gjakun dhe mundin e njerëzve të thjeshtë, nuk do të ishit askush.
Sot, kur s’ka mbetur asnjë pikë njerëzie në trupin tuaj, e zëvendësuar nga etja për lavdi dhe pushtet, jeni shndërruar në hijet e vetes që dikur ishit.
Koha kërkon përulësi dhe shërbim ndaj popullit, jo arrogancë të shitur si dinjitet. Historia nuk fal dhe populli nuk harron se ju ishit burimi i të gjitha të këqijave të luftës dhe pasluftës.