OPINIONTË FUNDIT

A mund të shkarkohet Radomir Llaban? – Njohësit e drejtësisë flasin për kufizimet kushtetuese

Radomir Llaban është aktualisht gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, por që së fundi e gjithë vëmendja është kthyer drejt tij.

Kjo erdhi si pasojë, e njoftimit të Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në lidhje me tërheqjen e një kërkesë drejtuar në korrik Gjykatës Kushtetuese për të kërkuar sqarim se çfarë do të ndodhte nëse Kuvendi i Kosovës nuk do të konstituohej deri më 26 korrik – afati i përcaktuar nga gjykata më herët përmes një aktgjykimi.

Ajo tha se arsyeja e tërheqjes së kërkesës së saj është gjyqtari serb në Gjykatën Kushtetuese, Radomir Llaban.

Osmani tha se caktimi i Llabanit si raportues në shqyrtimin e kërkesës së saj, “është jo vetëm shqetësues, por edhe i rrezikshëm”.

Llaban ishte emëruar gjyqtar nga ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, në gusht të vitit 2018.

Fillimisht, në maj 2018, Thaçi refuzoi ta dekretojë Llabanin deri në kryerjen e një verifikimi të plotë nga organet e drejtësisë, por e dekretoi atë disa muaj më vonë.

Në vitin 2011, Llaban ishte shpallur fajtor nga një gjykatë në Serbi për veprën penale të marrjes së ryshfetit. Ai ishte dënuar me gjashtë vjet burgim.

Në vitin 2017, Serbia i ka dërguar EULEX-it një kërkesë për arrestimin e Llabanit, mirëpo misioni kishte thënë se nuk ka mandat ta bëjë një arrestim të tillë.

Radomir Llaban u propozua nga Lista Serbe për të qenë gjyqtar i Gjykatës Kushtetuese, derisa deputetët e Kuvendit të Kosovës miratuan zgjedhjen e tij në këtë pozitë.

Megjithatë, gjithë këto vite nuk ka pasur reagime nga asnjë parti politike për pozitën e tij apo rrezikshmërinë që ky gjatës serb paraqet.

E në lidhje me atë se a duhet të ndërmerren veprime (edhe pse të vonshme) ndaj këtij personi që po thuhet se ka cenuar sigurinë kombëtare, folën njohësit e drejtësisë.

Kryeziu: Dyshimet nuk janë kategori e mjaftueshme juridike për veprim ndëshkues kundër dikujt

Së pari, për këtë temë, në një prononcim për “Bota sot” foli ish-nënkryetari i Gjykatës Kushtetuese, Kadri Kryeziu.

ImageKadri Kryeziu.Foto galeri
Si fillim, ai u shpreh i habitur me reagimin e presidentes Osmani dhe mos marrjen e hapave konkret për të hapur një proces penal.

“Dyshimet nuk janë kategori e mjaftueshme juridike për veprim ndëshkues kundër dikujt. Për mua është e habitshme si Presidentja bën akuzë publike dhe kjo gjë nuk përcillet me veprim konkret, pra hapje të procesit penal”.

Krahas kësaj, ish-nënkryetari i Kushtetueses tha se është dashur të pritet deri në ngritjen e një akuze peneale, pa bërë gabim në hapa dhe dëmtim të funksionimit të institucioneve.

“Nëse nuk ka bazë të mjaftueshme për akuzë penale është dashur të pritet. E gjitha është nguti dhe gabim në hapa, rrjedhimisht një dëm për stabilitetin dhe funksionimin e institucioneve”, përfundoi Kadri Kryeziu për “Bota sot”.

Jashari: Tash është shumë vështirë të shkarkohet

Kurse, avokati Arbër Jashari tha se institucionet të cilat e kanë akredituar Llabanin, do duhej të verifikonin profilin e tij.

ImageArbër JashariFoto galeri
Ai në prononcimin për “Boa sot” tha se kjo gjë i ka takuar Komisionit Përzgjedhës dhe Presidentit.

“Llaban, në kohën kur është emëruar, është dashur që institucionet përgjegjëse, ta verifikojnë përshtatshmërinë e tij, për pozitën e gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese. Kjo i ka takuar Komisionit Përzgjedhës dhe Presidentit”.

Ndërsa, sa i përket mundësisë së shkarkimit të Llaban, avokati tha se një gjë e tillë është shumë vështirë të ndodhë.

Për këtë, ai dha disa arsye dhe thekoi se një iniciativë e tillë duhet të vijë nga gjykata.

“Tash është shumë vështirë të shkarkohet, duke qenë se sipas nenit 118 të Kushtetueses, gjyqtari mund të shkarkohet vetëm në rast se kryen ndonjë vepër penale të rëndë, ose shkel rëndë detyrat e punës. Iniciativa duhet të vijë nga gjykata”, përmbylli Arbër Jashari për “Bota sot”.

Gjykata Kushtetuese, në faqen e saj në Facebook, ka lëshuar një sqarim sa i përket tërheqjes së lëndës nga presidentja Osmani, e cila si arsye përmendi caktimin e gjyqtarit Radomir Llaban në cështjen e ngritur nga ajo. Ajo tha se Llaban është rrezik për sigurinë kombëtare. Kushtetuesja ka thënë se ndarja e lëndëve për shqyrtim bëhet në bazë të rregullave të qarta procedurale dhe vendimet e saj i merr në përbërje të plotë.

“Bazuar në nenin 113 [Juridiksioni dhe Palët e Autorizuara] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, Gjykata Kushtetuese trajton të gjitha çështjet e dorëzuara në mënyrë ligjore nga palët e autorizuara. Ndarja e lëndëve për shqyrtim tek gjyqtarët raportues dhe kolegjet shqyrtuese në Gjykatën Kushtetuese bëhet në bazë të rregullave të qarta procedurale, të cilat kjo Gjykatë i respekton me përpikëri. Gjykata Kushtetuese, si organ kolegjial, vendimet e saj i merr në përbërje të plotë. Në këtë kontekst, është e drejtë e palëve para Gjykatës që të kërkojnë tërheqjen e kërkesave të parashtruara, të cilat Gjykata Kushtetuese i trajton bazuar në Kushtetutë, Ligjin për Gjykatën Kushtetuese dhe Rregulloren e saj të punës.”

Gjykata thotë se Llaban është i punësuar në këtë institucion që nga viti 2011 dhe se nga 9 gushti i vitit 2018 ushtron detyrën e gjyqtarit pasi i është nënshtruar të gjitha procedurave kushtetuese e ligjore.

“Sa u përket çështjeve të ngritura përkitazi me Gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese Radomir Laban, siç jeni të informuar, i njëjti ka qenë i punësuar në Gjykatën Kushtetuese që nga viti 2011, në pozitën e Këshilltarit juridik, dhe që nga data 9 gusht 2018 ushtron funksionin e Gjyqtarit të Gjykatës Kushtetuese, pasi i është nënshtruar të gjitha procedurave kushtetuese e ligjore, për propozimin e tij nga Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe dekretimit nga Presidenti i Republikës së Kosovës. Në anën tjetër, procedurat për shkarkimin e gjyqtarëve janë të përcaktuara qartë në Kushtetutë.”

Tutje thuhet se Gjykata Kushtetuese i trajton të gjitha kërkesat e dorëzuara nga palët e autorizuara me paanshmëri, përkushtim dhe profesionalizëm.

“Gjykata Kushtetuese si autoriteti përfundimtar në Republikën e Kosovës për interpretimin e Kushtetutës, në përputhje me përgjegjësitë dhe mandatin e saj, i trajton të gjitha kërkesat e dorëzuara nga palët e autorizuara me paanshmëri, përkushtim dhe profesionalizëm, ashtu siç përcaktohet në Kushtetutën e Republikës së Kosovës”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *