TË FUNDIT

“Asociacioni ‘kancer i Kosovës’, e bën Serbinë hisedare në Kosovë’, publicisti reagon ashpër ndaj shteteve të Quint-it

Analisti politik Idriz Zeqiraj ka reaguar ashpër ndaj presionit të shtuar të shteteve të Quint-it për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Kosovë, duke e cilësuar këtë kërkesë si “fatale” për shtetin e Kosovës.

Sipas tij, Serbia për dekada ka luajtur një politikë të dyfishtë, duke u paraqitur si partnere e Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara, ndërkohë që ka mbetur një aleate e bindur e Rusisë.

“Edhe pse këtë e dinin mirë amerikanët dhe evropianët, paradoksalisht e toleruan Serbinë, me shpresën se do ta largonin nga tutela ruse. Por ndërkombëtarët dështuan, ndërsa Kosova u shantazhua vazhdimisht me krijimin e Asociacionit”, ka theksuar Zeqiraj.

Ai kujton se njohës vendorë dhe ndërkombëtarë, profesorë e analistë nga SHBA, Gjermania, Britania, Austria, Kanadaja e vende të tjera, e kanë cilësuar Asociacionin si “kancer i Kosovës”, ndërsa përjashtim, sipas tij, bën vetëm analisti Alon Ben-Meir, të cilin e akuzon se “po shantazhon Kosovën dhe përkrah Serbinë”.

Zeqiraj paralajmëron se krijimi i Asociacionit do ta kthente Serbinë në “hisedare në Kosovë”, duke e krahasuar me rastin e “Republika Srpska” në Bosnje dhe me situatën në Krime, ku autonomia e pjesshme u shndërrua në mjet për ndarje territoriale.

“Kosova ndodhet përballë një sfide të rëndë. Quint-i po përsërit kërkesën për themelimin e Asociacionit, madje në çfarëdo forme qoftë. Por kjo është një kërkesë e rrezikshme dhe duhet refuzuar kategorikisht”, ka thënë ai.

Zeqiraj ka kritikuar ashpër partitë e koalicionit PAN, duke thënë se “ekspontët e saj janë peng të Hashim Thaçit” dhe se protestat që po organizojnë “janë të pakuptimta dhe kundër interesit të Kosovës”.

Sipas tij, qytetarët po e mbështesin Lëvizjen Vetëvendosje si të vetmen forcë që garanton ruajtjen e sovranitetit dhe integritetit territorial të vendit.

“Populli i Kosovës nuk i beson PAN-it, sepse eksponentët e tij janë peng i Hashimit. Njësoj si shefi i tyre, duan ta këmbejnë ndarjen e Kosovës, me lirimin e Hashimit! Prandaj edhe protestojnë, marrëzisht dhe idiotisht! Andaj, populli i Kosovës po e voton Lëvizjen Vetëvendosje, si shpresën e vetme për ruajtjen e sovranitetit tokësor të Atdheut-Kosovës”, thekson Zeqiraj.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *