Tha se është i gjallë dhe po bënë hapat e tij, publicisti serb ‘kundërpërgjigje’ Sorensenit, ja çka i thotë për dialogun
Emisari evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Peter Sorensen, të mërkurën ka qëndruar për vizitë në Kosovë.
Gjatë kësaj vizite zyrtari evropian pati takime me presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin në detyrë, Albin Kurti dhe liderë partiakë.
Pas takimeve, diplomati danez deklaroi se dialogu Kosovë-Serbi është i gjallë dhe po i bënë hapat e tij.
Pas takimeve që zhvilloi gjatë ditës, Sorensen, e bëri një postim në X në mbrëmje rreth qëndrimit në Prishtinë.
“Vizitë produktive në Kosovë sot. Në të gjitha takimet e mia, theksova nevojën urgjente për të zbatuar Marrëveshjen e Ohrit, tani më shumë se kurrë”.
“Rruga drejt integrimit kalon përmes përparimit domethënës në Dialog. Është koha për të ecur përpara”, shkroi ai.
Në anën tjetër, presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka deklaruar se gjatë takimit me Sorensen ka theksuar nevojën e avancimit të procesit të integrimit evropian të Kosovës, si dhe theksoi rëndësinë e largimit të masave të padrejta, të cilat po prekin më së shumti qytetarët e Republikës së Kosovës.
“Në kuadër të diskutimit, u trajtua edhe procesi i konstituimit të Kuvendit dhe institucioneve të tjera, si dhe rëndësia që këto institucione të funksionojnë në mënyrë demokratike për të avancuar objektivat e përbashkëta. Presidentja trajtoi edhe çështjen e arrestimeve arbitrare të qytetarëve të Kosovës nga ana e Serbisë duke kërkuar angazhim të bashkësisë ndërkombëtare në mënyrë që Serbia t’i ndalë këto veprime të paligjshme ndaj qytetarëve të Kosovës”, thuhet në njoftimin e Presidencës.
E para e shtetit ka thënë se “Kosova mbetet e përkushtuar ndaj rrugës së saj evropiane dhe thelbësisht e orientuar drejt reformave demokratike, të cilat duhet të shpërblehen me hapa konkret nga ana e Bashkimit Evropian”.
“Tutje, Presidentja Osmani nënvizoi rëndësinë e integrimit të Kosovës në organizata ndërkombëtare, me theks të veçantë në Këshillin e Evropës, si dhe në organizata të tjera të rëndësishme”, thuhet tutje në njoftim.
Ndërlidhur me Dialogun, Vjosa Osmani theksoi rëndësinë e një procesi të drejtë e të paanshëm, duke përcaktuar objektiva të qarta, gjë që do të kontribuonte po ashtu në avancimin e paqes, stabilitetit dhe perspektivës evropiane të rajonit në tërësi.
Rundi i fundit i dialogut Kosovë-Serbi, që ndërmjetësohet nga BE-ja, ishte mbajtur më 10 qershor. Pas këtij takimi mes kryenegociatorëve të dy shteteve, Sorensen deklaroi se po bëheshin përgatitje për një takim të nivelit të lartë.
Takim të nivelit të lartë në dialog Kosova dhe Serbia nuk kanë zhvilluar që nga shtatori i vitit 2023. Ai takim, ishte zhvilluar disa ditë para se një grup i serbëve të armatosur të sulmonte Policinë e Kosovës në Banjskë të Zveçanit, duke vrarë një rreshter.
Kosova për këtë ngjarje fajëson Serbinë, por Beogradi mohon se ka gisht në të. Ndërkaq, BE-ja ka kërkuar që përgjegjësit të përballen me drejtësinë.
Në anën tjetër, publicisti serb Zlatoje Martinov, duke folur për “Bota sot”, ka thënë se dialogu Kosovë- Serbi në kuptimin dhe formatin e vërtetë nuk ekziston më.
Sipas tij, nëse do të ishte një Amerikë para Trump atëherë do të ishte e dëshirumeshme përfshirja e saj.
“BE-ja nuk po e menaxhon më dialogun midis Serbisë dhe Kosovës, ai dialog në kuptimin dhe formatin e vërtetë nuk ekziston më. Niveli i ekspertëve mbeti. A duhet të përfshihet SHBA-ja? Nëse do të ishte një Amerikë para Trumpit, do të ishte në rregull, madje e dëshirueshme, që Amerika të merrte përsipër dialogun. Amerika e Trumpit, megjithatë, është shumë e paparashikueshme dhe shpesh e paqëndrueshme. Trumpi i ndryshon vendimet e tij çdo orë”, deklaron Martinov.
Por, ai shton se Kosova duhet të ruajë një marrëdhënie të fortë me Trumpin.
“Megjithatë, gjëja më e rëndësishme për Kosovën është të ruajë një marrëdhënie të fortë me Trumpin, gjë që Kurti nuk ka qenë gjithmonë në gjendje ta bëjë. Është shumë e rëndësishme për Kosovën që forcat e NATO-s të mbeten në Bonsteel. Mosndjekja e pakënaqësisë ndaj Trumpit në asnjë mënyrë është e domosdoshme për sigurinë dhe stabilitetin e Kosovës”, shton publicisti.