Njëra nga dy urat mbi Ibër, në fazën përfundimtare
Ura e dedikuar për automjete duket të jetë në fazën përfundimtare të ndërtimit. Urat e reja mbi Ibër të Mitrovicës synojnë ta lehtësojnë qarkullimin dhe të nxisin bashkëpunim mes qytetarëve në të dyja anët e lumit.
Njëra për automjete dhe tjetra për këmbësorë, janë pjesë e një projekti të infrastrukturës publike, që kap vlerën e rreth tre milion eurove. Punimet në urën për këmbësorë nuk kanë ecur me ritmin e njëjtë, si ato në atë të dedikuar edhe për trafik. Megjithëkëtë, është dhënë zotimi se në shtator punimet do të përmbyllen.
Pesë javë pas vënies së gurthemelit, njëra nga dy urat e reja që po ndërtohen mbi lumin Ibër, i cili ndan Mitrovicën e Jugut me Mitrovicën e Veriut, po merr formë.
Pavarësisht se zyrtarët komunalë, këtë projekt e kanë parë me prapavijë politike, ekspertët e sigurisë kanë vlerësuar se urat pos që do të kenë ndikimin në zvogëlimin e rëndësisë do të shërbejnë edhe për shtrirje të sovranitetit. E qytetarët ndajnë mendime të ndryshme .
“Mirë është, në rregull është me u hap ura pse mos me u hap. Na e kemi edhe urën këtu kryesore, I mbaj mend edhe urat e vjetra kur kanë qenë, mirë është me u hap ura nuk ka asgjë të keqe këtu edhe andej edhe nja 100m më tutje hapet edhe ajo, pse mos me u hap”, tha për RTK, Afrim Zhubi, qytetar.
“E mira e të mirës kish me qenë të lirohet kjo e jo të harxhojmë pare atje badihava, por apet edhe ajo sa më shumë me pas më mirë është edhe ajo. Por po them gjithë ai kapital me shkuar atje tuj kanë ura këtu me u lëshue kishte qenë më së miri”, tha Izet Haxhiu, qytetar.
“Kam mendim pozitiv, d.m.th kam mendim të mirë edhe jo veç ura, por çdo gjë që ndreqet në Kosovë është në të mirë të Kosovës. Ura është edhe simbol që i lidh njerëzit ndërmjet veti i lidh pjesën tjetër të lumit me pjesën tjetër. Nga ana ime sa më shumë ura, sa më shumë duke u ndërtuar është pasuri e Kosovës”, tha Gani Osmani, qytetar.
Ndonëse punimet vazhdojnë, projekti që kap vlerën e rreth tre milionë eurove, është përcjellë me reagime politike dhe hetime ligjore. Për shkak të dyshimeve për keqpërdorim të mundshëm të fondeve publike në procesin e lidhjes së kontratës me kompaninë përkatëse, projekti është vënë nën hetim të Prokuroria Speciale e Kosovës. E deri ku kanë arritur hetimet, ndonëse RTK ka bërë përpjekje për të marrë informacione, Prokuroria Speciale deri në këto momente nuk kanë kthyer përgjigje.
Ndërkohë, kanë mbetur pak a shumë edhe tri javë deri në ditën kur njëra urë është premtuar se do të do të inaugurohet.