Llaban, një “Kalë Troje” në zemër të institucionit më të rëndësishëm, çka pas tërheqjes së kërkesës nga Presidentja?
Në kohën kur u mendua se Kosova ndodhej në javën vendimtare përsa i përket vendimit të Gjyaktës Kushtetuese në lidhje me konstituimin e Kuvendit, gjërat si duket po marrin kthesë tjetër.
Pas kërkesës së presidentes Vjosa Osmani dhe partive politike LDK, PDK e AAK, Gjykata Kushtetuese ua kishte ndaluar deputetëve çdo vendim dhe veprim pas kalimit të afatit 30-ditor që e pati përcaktuar në aktgjykimin e parë (pas kërkesës së AAK-së).
Kjo ndalesë vlen nga 27 korriku deri më 8 gusht. Ndërsa kanë mbetur vetëm edhe dy ditë deri në përfundimin e afatit të ndalesës, presidentja Vjosa Osmani ka njoftuar të martën se e ka tërhequr kërkesën e saj drejtuar Gjykatës Kushtetuese në lidhje me moskonstituimin e Kuvendit deri më 26 korrik.
Kjo tërheqje erdhi pasi gjyqtari serb në Gjykatën Kushtetuese, Radomir Llaban, ishte caktuar si raportues për këtë rast.
“Këtë vendim e kam marrë si reagim të menjëhershëm ndaj informatës tashmë të konfirmuar se gjyqtari raportues në këtë rast është Radomir Llaban, për të cilin institucionet tona të sigurisë kanë dorëzuar informacione zyrtare lidhur me veprimtarinë e tij të rrezikshme në vitet 2018, 2021 dhe 2024,” deklaroi Osmani.
Në lidhje me këtë çështje për gazetën “Bota sot” ka folur publicisti Gani Qarri, i cili e konsideron të drejtë vendimin e presidentes Osmani për tërheqje të kërkesës.
Ai ka kujtuar faktin se Llaban u dekretua si gjyqtar i Kushtetueses edhe përkundër se ishte shpallur fajtor për marrje ryshfeti në Serbi.