Kurti: Presidentja nuk e dinte kush vendos në Kushtetuese – por ne do ta respektojmë vendimin
Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, lidhur me vendimin e presidentes Osmani për tërheqjen e kërkesës së nga Gjykata Kushtetuese tha se presidentja nuk ka qenë në dijeni se ai do të jetë kryesuesi i çështjes që do të trajtohet nga Gjykata Kushtetuese. Kurti shtoi se do ta respektojë vendimin e Kushtetueses.
“Atëherë pati aplikuar për t’u bërë anëtar i Gjykatës Kushtetuese. Deputetja jonë, në emër të Grupit Parlamentar, asokohe ishim në opozitë, Albulena Haxhiu i pati shkruar letër Zyrës së Presidentit, por fatkeqësisht as presidenti i atëhershëm më vitin 2018, as kryetarja e Gjykatës Kushtetuese në vitin 2018, nuk e kanë parë të arsyeshme që ta ndalin një proces të tillë, sepse është absurde që dikush i cili, sipas informacioneve që kemi nga institucionet e sigurisë, është i papërshtatshëm dhe rrezik për rendin tonë kushtetues tash të gjykojë mbi një çështje kushtetuese”, tha Kurti.
Ai shtoi se do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese.
“Mendoj që duhet të presim edhe fare pak ditë, do të na njoftojnë se çfarë kanë menduar se do të ndodh pas 30 ditëve. S’e di cila do të jetë zgjidhja, por ne kemi thënë se e respektojmë aktgjykimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Kurti.
Ndërsa lidhur me takimin me me emisarin Special i BE-së, Peter Sorensen, Kurti tha se ishte një takim i gjatë me ç‘rast diskutuam për gjendjen e komuniteteve në Kosovë, në veçanti për komunitetin serb
“Ishte një takim i gjatë me emisarin Special i BE-së, zoti Sorensen me ç‘rast diskutuam për gjendjen e komuniteteve në Kosovë, në veçanti për komunitetin serb. Unë e njoftova atë për të drejtat e komunitetit serb që i gëzon sipas Kushtetutës së Kosovës dhe, përveç se i kanë ulëset e rezervuara në Kuvendin e Republikës, gjithashtu gjuha zyrtare serbe është jo vetëm në komuna ku ata janë shumicë serbe, por gjithandej në çdo nivel”, tha Kurti.
Kurti mes tjerash bëri të ditur se rreth 100 serbë të rinj janë punësuar në veri të vendit, pasi kryetarët atje janë shqiptarë, të cilët kanë nënkryetarë serb.
Ndërkaq për thirrjet antishqiptare në Maqedoninë e Veriut, kryeministri në detyrë, Albin Kurti, tha se për këtë ka reaguar ambasada jonë atje, si dhe deputeti i Vetëvendosjes në kuadër të VLEN-it.
“Për këtë ka reaguar ambasada jonë dhe kam konsideruar që është shumë më mirë që së pari të reagojë ambasada e Republikës së Kosovës në Maqedoninë e Veriut. Gjithashtu ka reaguar deputeti ynë Bekim Qoku, i cili është anëtar i Lëvizjes Vetëvendosje, në Kuadër të VLEN-it dhe ishte një lehtësim kur morëm vesh se kanë reaguar të gjitha institucionet e Maqedonisë së Veriut, përfshirë edhe kryeministrin Mickoski që më herët nuk ka pasur raste të tilla më herët. Por ne bëjmë thirrje që policia atje, në praktikat evropiane t’i zhvillojë hetimet për këto raste që janë qartazi shoviniste, që janë të papranueshme dhe si të tilla duhet të jenë të dënueshme ”, tha Kurti.