Kurti e shfrytëzoi ngecjen e dialogut për të konsoliduar veriun, Vuçiqi është i tensionuar”
Kosova ndonëse po vazhdon situatën e ngërҫit politik, përveç çështjeve politike të brendshme, po ngel prapa edhe në tema të tjera. Njëra ndër to që ka stagnuar tash e sa kohë është edhe ajo e dialogut me Serbinë.
Takimet e fundit në Bruksel janë quajtur si të dështuara, pasi nuk kanë sjellë ndonjë rezultat.
Por tani, pas vendimeve të Gjykatës Kushtetuese, Kuvendi nuk është konstituuar plotësisht dhe vendi ka qeveri në detyrë, gjë që e pamundëson përfaqësimin e plotë dhe të legjitimuar në bisedime ndërkombëtare.
Duke qenë kështu, kjo situatë e krijuar në Kosovë po ndikon plotësisht tek vazhdimi i dialogut me Serbinë.
Lidhur me këtë çështje, analisti politik Nexhat Bexheti vlerëson se procesi i dialogut Kosovë–Serbi, i nisur që nga viti 2013 nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, është në krizë të thellë për shkak të zhvillimeve të fundit politike dhe moskonstituimit të institucioneve të reja në Kosovë. Ai thekson se me gjithë marrëveshjet e nënshkruara, përfshirë atë të Brukselit dhe Ohrit, progresi është minimal, ndërsa tensionet janë rritur dukshëm.
“Nëse e shikojmë nga viti 2013, Evropa synonte stabilitet në Ballkan. Mirëpo me shpërthimin e luftës në kontinent dhe përshkallëzimin e tensioneve gjeopolitike, edhe dialogu Kosovë–Serbi është rënduar”, deklaron Bexheti.
Nexhat Bexheti: Vuçiq po kërcënon drejtpërdrejt
ImageNexhat BexhetiFoto galeri
Ai thotë se në periudhën kur dialogu ishte ndërprerë, kryeministri Albin Kurti ka shfrytëzuar vakumin për të konsoliduar funksionimin e shtetit në pjesën veriore të Kosovës.
“Kurti e rumbullakësoi funksionalitetin e shtetit në veri në kohën kur nuk kishte presion ndërkombëtar. Ai e përdori ngecjen e dialogut për të realizuar fragmentimin e ri institucional. Dhe në këtë kuptim, Kurti fitoi terren në praktikë”, thotë analisti.
Sipas tij, presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, po e ndien veten të humbur politikisht dhe po reagon me nervozizëm.
“Vuçiqi është i tensionuar. Po sillet si politikan që po humb kontrollin. Deklaratat e tij të fundit, sidomos ajo e 20 korrikut, janë kërcënime të drejtpërdrejta ndaj Kosovës. Ai është komandant suprem i ushtrisë – kjo nuk është vetëm retorikë personale, por kërcënim shtetëror”, shprehet Bexheti.
Ai paralajmëron se një retorikë e tillë mund të destabilizojë më tej Ballkanin Perëndimor, duke u bërë thirrje faktorëve ndërkombëtarë që ta kuptojnë seriozitetin e situatës.
Bexheti gjithashtu thekson se Kosova ndodhet në një pozitë të brishtë, pasi ende nuk janë konstituar institucionet pas zgjedhjeve.
“Kosova është në krizë parlamentare. Institucionet janë gjysmake dhe qeveria në detyrë nuk ka mandat të freskët. Kjo qeveri nuk mund të përfaqësojë Kosovën në dialog, sepse nuk ka as legjitimitet të ri, as platformë të përditësuar politike. Kjo është arsyeja pse edhe Brukseli po heziton të thërrasë ndonjë takim të ri”, thotë ai.
Analisti nënvizon se vendimet e marra nga një qeveri pa mandat të qartë nuk do të pranohen ndërkombëtarisht, dhe se çdo përpjekje për rifillim të dialogut duhet të paraprihet nga konsolidimi i institucioneve shtetërore.
“Pa parlament funksional, pa qeveri të re dhe pa ministri të jashtme të konstituar, nuk mund të ketë bisedime të nivelit të lartë. Këto janë rregulla të qarta ndërkombëtare”, thotë Bexheti.
Në fund, ai apelon që fokusi politik të zhvendoset te qytetarët dhe rimëkëmbja e brendshme institucionale.
“Diskutimet e analistëve dhe oponentëve politik për dialogun janë të kota pa institucione. Tash për tash, Kosova duhet të merret me krizën e vet të brendshme dhe jo të niset në dialog të dobët e të pambështetur”, përfundon Bexheti.
Leon Duhanaj: Qeveria Kurti nuk ka mandat për të udhëhequr dialogun
ImageLeon DuhanajFoto galeri
Ndërkaq analisti politik Leon Duhanaj ka dhënë një qëndrim të ashpër lidhur me gjendjen aktuale politike në Kosovë dhe rolin e Qeverisë Kurti në procesin e dialogut me Serbinë. Sipas tij, Kosova aktualisht nuk ka një qeveri legjitime dhe për këtë arsye, nuk ka kushte kushtetuese e politike për t’u përfshirë në ndonjë angazhim në kuadër të dialogut.
“Qeveria Kurti jo tani, por që nga marrja e pushtetit, ka pasur qasje jotransparente dhe të dëmshme në raport me dialogun me Serbinë. Marrëveshjet që ka pranuar janë të paqarta dhe lënë hapësirë të madhe për interpretime që tejkalojnë kompetencat kushtetuese të Kosovës”, deklaron Duhanaj.
Sipas tij, këto marrëveshje jo vetëm që nuk e ndalën projektin e Asociacionit, por hapën rrugë për koncepte edhe më të rrezikshme për sovranitetin e vendit.
“Kurti erdhi në pushtet duke e luftuar Zajednicën, por ironikisht ka pranuar marrëveshje që janë më të rënda sesa vetë asociacioni. Disa nga këto lëvizje çojnë në drejtim të autonomisë politike për serbët, çka është e papranueshme”, thekson ai.
Duhanaj shpreh shqetësimin se aktualisht në Kosovë mungon një qeveri funksionale dhe legjitime, duke theksuar se kriza politike dhe institucionale e ka bllokuar plotësisht çdo perspektivë për dialog.
“Sot nuk kemi qeveri legale në pushtet. Kryeministri dhe ministrat janë të certifikuar si deputetë, prandaj nuk kanë më të drejtë ligjore të ushtrojnë funksionet ekzekutive. Në këtë kuptim, kemi një qeveri të jashtëligjshme – uzurpatorë që nuk kanë kompetencë ligjore as të hyjnë në zyrat qeveritare, e lëre më të angazhohen në procesin e dialogut”, thotë ai.