“Gjueti shtrigash”, juristi ‘shpërthen’ pas arrestimit të shqiptarëve nga Serbia: E papranueshme që…
Serbia po vazhdon me arrestimet e shtetasve të Kosovës, ku së fundi arrestoi Behar Preniqi nga Obiliqi.
Preniqi e arrestua nga autoritetet serbe, derisa po kthehej nga Gjermania për në Kosovë, nën pretekstin se kishte qenë pjesë e UÇK-së, ndonëse një gjë e tillë u mohua nga familjarët dhe nga OVL-UÇK.
E në lidhje me arrestimet që policia serbe po ua bën shtetasve tanë, në një prononcim për “Bota sot” foli juristi Blerim Burjani.
Në radhë të parë, ai potencoi se Beogradi përmes këtyre arrestimeve, Beogradi po tenton të hakmerret ndaj dënimeve që po i shqiptojnë gjykatat e Kosovës.
“Serbia po e bën këtë në shenjë hakmarrjeje, për shkak të dënimeve nga gjykatat kosovare. Kjo po ndodh si një hakmarrje ndaj qytetarëve të Kosovës. Është e papranueshme që njerëz të pafajshëm të ndalohen në territorin serb, pa lidhje dhe pa ndonjë bazë ligjore, vetëm për të treguar dhe përhapur frikë te qytetarët e Kosovës”.
Krahas kësaj, Burajni kërkoi që këto veprime t’i trajtoj edhe BE dhe t’a ndal këtë “gjueti” të Serbisë ndaj shqiptarëve.
“Këto veprime duhet të trajtohen në të ardhmen në Bruksel, për të ndalur këtë “gjueti shtrigash” ndaj njerëzve të pafajshëm, që nuk kanë të bëjnë fare me luftën”.
Ndër të tjera, juristi u bëri thirrje mërgimtarëve që të mos udhëtojnë përmes Serbisë, pasi një gjë e tillë nuk duhet të ndodhë.
“Bashkatdhetarët tanë nuk duhet të udhëtojnë përmes Serbisë, pavarësisht shumë thirrjeve që janë bërë. Është e kot – duhet të kuptohet se përmes Serbisë nuk duhet as të udhëtojnë e as të kthehen drejt Perëndimit”, përmbylli Blerim Burjani për “Bota sot”.