TË FUNDIT

Armend Gashi mohon lajmin e publikuar në media: Gruaja ime nuk ka përfituar nga MKRS – do ndjekim rrugë ligjore

Armend Gashi, i njohur në publik si frizeri personal i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe i ministres Albulena Haxhiu, ka reaguar ndaj një sërë lajmesh të publikuara sot në disa media online, përfshirë Gazeta Express, Gazeta Metro, ku pretendohet se bashkëshortja e tij ka përfituar mijëra euro nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS).

Lajmet, të cilat janë shpërndarë me tituj si:

“Gruaja e frizerit të Kurtit e të Haxhiut përfiton mijëra euro nga Ministria e Çekut – kishte qenë edhe zyrtare në MD”, dhe

“Ish-zyrtarja e MD dhe gruaja e frizerit të Kurtit e Haxhiut përfiton mijëra euro nga MKRS”,

kanë ngjallur reagime të shumta në publik dhe rrjete sociale, duke vënë në pikëpyetje etikën e ndarjes së fondeve publike dhe mundësinë e konflikteve të interesit.

Por Armend Gashi i ka quajtur këto raportime të pavërteta dhe shpifëse, duke theksuar se gruaja e tij, Brikena Kelmendi Gashi, nuk ka përfituar asnjëherë nga MKRS dhe se emri i saj është ngatërruar me një person tjetër me të njëjtin emër.

“Lajmi që është publikuar sot në Gazeta Express, dhe që pastaj ka filluar të shpërndahet me shpejtësi edhe në media tjera, është krejtësisht i PAVËRTETË. Gruaja ime, Brikena Kelmendi Gashi, asnjëherë nuk ka përfituar nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit. Brikena Gashi për të cilën po flitet në këtë lajm është ndonjë grua tjetër që ka emrin e njëjtë si bashkëshortja ime”, ka deklaruar Gashi.

Ai ka kërkuar nga të gjitha mediat që e kanë shpërndarë këtë lajm ta tërheqin menjëherë dhe të kërkojnë falje publike, përndryshe paralajmëroi masa ligjore për shpifje dhe dëmtim të reputacionit personal dhe familjar.

“Kërkoj nga këto media që menjëherë ta tërheqin këtë lajm dhe të kërkojnë falje për shpifje dhe dëmtim të reputacionit të Brikenës dhe timin. Përndryshe, do t’i ndjekim rrugët e tjera ligjore”, thuhet në reagim.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *