Në kohë tensioni, SHBA forcon lidhjet me Kosovën
Në vizitën e tij të parë në Kosovë, Zëvendës ndihmës Sekretari Amerikan i Mbrojtjes për Politikat Evropiane dhe ato të NATO-s, David Baker, ka takuar zyrtarë të lartë të vendit, përfshirë presidenten Vjosa Osmani, kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci.
Fillimisht, zyrtari i lartë amerikan u takua me presidenten Osmani. Pas takimit, presidentja deklaroi se Kosova mbetet e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara në fushën e mbrojtjes.
“Kur Amerika qëndron përkrah nesh, Kosova është më e fortë, më e sigurt dhe më e zhvilluar. Kosova mbetet e përkushtuar për thellimin e bashkëpunimit me Shtetet e Bashkuara në fushën e mbrojtjes, përfshirë edhe në industrinë e mbrojtjes, si një mundësi me përfitime të ndërsjella për të dyja shtetet. Anëtarësimi i Kosovës në NATO është një objektiv strategjik dhe mbështetja e SHBA-ve në këtë proces është jetike,” tha Osmani.
Pas takimit me presidenten, të shtunën Baker u takua edhe me ministrin në detyrë të Mbrojtjes, Ejup Maqedonci, i cili njoftoi se në takim u konfirmua partneriteti mes Kosovës dhe Shteteve të Bashkuara.
“Konfirmuam partneritetin mes dy vendeve tona dhe theksova angazhimin tonë për ta forcuar edhe më tej këtë bashkëpunim. Me Shtetet e Bashkuara si partnerin tonë të besueshëm, Kosova gëzon një siguri të shtuar dhe luan një rol të rëndësishëm në promovimin e paqes dhe stabilitetit, si në nivel rajonal ashtu edhe në atë global. Ne jemi të përkushtuar për të avancuar këtë partneritet në nivele edhe më të larta!” shkroi Maqedonci në Facebook.
Në mbrëmjen e së shtunës, Baker u prit në darkë nga kryeministri në detyrë Albin Kurti, i cili njoftoi se gjatë takimit diskutuan për raportet bilaterale dhe bashkëpunimin që tashmë kanë dhe që do ta zhvillojnë më tej, veçanërisht në fushën e mbrojtjes.
“Duke qenë gjithmonë mirënjohës për mbështetjen e vazhdueshme të Shteteve të Bashkuara të Amerikës ndaj Republikës dhe popullit tonë, angazhohemi çdo ditë për miqësi edhe më të thellë, partneritet edhe më të gjerë dhe aleancë edhe më të fortë,” shkroi Kurti në rrjetin e tij social Facebook.
Gecaj: Prania e zyrtarit amerikan në Kosovë, përgjigje ndaj përpjekjeve destabilizuese të Serbisë
Këtë vizitë, eksperti i sigurisë, Hyseni Gecaj, në një prononcim për “Bota sot” e ka quajtur një sinjal i qartë i mbështetjes strategjike të vazhdueshme të SHBA-së për Kosovën.