Kosova në qendër të ‘sulmeve inteligjente’, ekspertët e sigurisë thonë se duhet bashkëpunim me SHBA, NATO e BE
Kosova ka qenë shpesh në qendër të interesimit të shërbimeve inteligjente të huaja, sidomos nga vendet që nuk e njohin pavarësinë e saj apo kanë interesa gjeopolitike në Ballkan.
Në raste të ndryshme, Kosova është kërcënuar nga agjentura të huaja, e sidomos nga ato ruse e serbe. Kërcënimet e provokimet e huaja vazhdimisht e kanë prekur Kosovën.
Në vitin 2024, janë arrestuar dy persona me shtetësi kosovare e që dyshohet se kanë bashkëpunuar me shërbimin intelegjent serb ‘’BIA’’.
Por duke qenë se është përballur në situata të tilla, sa është i përgatitur është shteti i Kosovës? A ka dëshmi që sugjerojnë përfshirje të shërbimeve të huaja inteligjente (si BIA e Serbisë, GRU e Rusisë apo struktura të tjera)?
Lidhur me këtë ҫështje, ka folur për ‘Bota sot’, general major Muhamet Racaj.
Ai thekson se ndikimi i shërbimeve të huaja inteligjente në destabilizimin e brendshëm të Republikës së Kosovës është një realitet i dokumentuar dhe i pranuar si nga institucionet vendore, ashtu edhe nga ato ndërkombëtare të sigurisë.
Prof.dr. Racaj: AKI dhe Prokuroria Speciale kanë realizuar veprime konkrete, përfshirë hetime, arrestime dhe deportime të individëve të dyshuar për lidhje me inteligjencën e huaj
“Veçanërisht pas vitit 2022, me përshkallëzimin e luftës në Ukrainë, janë intensifikuar operacionet hibride të Rusisë dhe Serbisë në Ballkanin Perëndimor – me Kosovën si një ndër targetet kryesore për ndërhyrje destabilizuese. Shërbime si FSB (Shërbimi Federal i Sigurisë së Rusisë) dhe BIA (Agjencia e Sigurisë dhe Informacionit e Serbisë), përmes rrjeteve të tyre të ndërlidhura në Beograd dhe strukturave ilegale në veri të Kosovës, kanë përdorur një kombinim të taktikave që përfshijnë infiltrime në institucione, mbështetje për grupe të armatosura, propagandë anti-perëndimore dhe dezinformim në hapësirat mediatike dhe digjitale. Raportet e Qendrës për Studime të Sigurisë në Evropën Juglindore (2023), të inteligjencës kroate, si dhe të Komisionit Evropian (2024), konfirmojnë përpjekje të qëllimshme për minimin e rendit kushtetues dhe të sovranitetit të Kosovës, përmes nxitjes së tensioneve ndëretnike, veçanërisht në komunat me shumicë serbe në veri”, vlerëson prof.dr. Racaj.
ImageMuhamet RacajFoto galeri
Ai thotë se, operacionet e inteligjencës së huaj kanë përfshirë mbështetjen për krimin e organizuar, krijimin e rrjeteve informale të kontrollit lokal dhe nxitjen e perceptimit të një shteti të brishtë e jo-funksional.
“Rasti i dëbimit të diplomatëve rusë nga autoritetet kosovare në vitin 2022, për shkak të aktiviteteve të fshehta që kërcënonin sigurinë kombëtare, është një shembull konkret i gatishmërisë së institucioneve për të ndërmarrë masa preventive. Përballë këtyre sfidave, shteti i Kosovës ka ndërmarrë hapa të rëndësishëm për përforcimin e kapaciteteve të sigurisë. Janë ngritur baza të qarta ligjore kundër spiunazhit dhe ndërhyrjeve të huaja, është zhvilluar Strategjia e Sigurisë Kombëtare, dhe janë krijuar mekanizma të koordinuar ndërinstitucionalë për të parandaluar dhe trajtuar kërcënimet hibride. Agjencia e Kosovës për Inteligjencë (AKI) dhe Prokuroria Speciale kanë realizuar veprime konkrete, përfshirë hetime, arrestime dhe deportime të individëve të dyshuar për lidhje me inteligjencën e huaj”, vlerëson ai.
Tutje, gjenerali Racaj thotë se pavarësisht përparimit, kërcënimi mbetet real dhe i vazhdueshëm. Sfida të tilla si mungesa e kapaciteteve të avancuara teknologjike për kundërzbulim, nevoja për profesionalizim të mëtejshëm të strukturave të sigurisë dhe mungesa e një strategjie të posaçme për luftimin e ndërhyrjeve hibride, vazhdojnë të ndikojnë në gatishmërinë e plotë të shtetit.
“Periudhat e krizës politike e institucionale janë veçanërisht të favorshme për ndërhyrjet e inteligjencës së huaj, gjë që kërkon vigjilencë të shtuar, bashkërendim të qëndrueshëm institucional dhe mbështetje të vazhdueshme ndërkombëtare. Në përmbledhje: Kosova është pjesërisht e përgatitur për t’iu kundërvënë këtyre kërcënimeve, por ruajtja e stabilitetit dhe mbrojtja e sovranitetit kërkojnë forcim të mëtejshëm të kundërzbulimit, zbatim të pandërprerë të ligjit dhe koordinim të gjerë me partnerët strategjikë si SHBA, NATO dhe BE”, thotë ai.
Berisha: FSB-ja udhëhiqet bazuar nё Kushtetutën e Federatës Ruse, ligjet federale, dhe direktivat e Presidentit të Federatës Ruse, si dhe direktivat e Qeverisë së Federatës Ruse
Ndërkaq, eksperti i sigurisё, Fidair Berisha thotë se, shёrbimet inteligjente dhe informatat kanё rol shumë të rёndёsishёm në fushën e sigurisë së shtetit dhe të shoqërisë nё pёrgjithёsi.
“Kёtё e dёshmon fakti se qё nga krijimi i njerёzimit “spiunazhi” pas prostitucionit ka qenë njёri prej profesioneve më të vjetra në botë, dhe qё nga ajo kohë, pothuajse nuk ka shtet i cili nuk e ka shfrytёzuar dhe njёkohёsisht zhvilluar shёrbimin intelegjent pёr qёllimet e tyre veҫanarisht në parandalimin dhe luftimin e dukurive nga të cilat rrezikohet siguria. Si ish trashëgimtare e UDB–së ish jugosllave, BIA ka filluar të funksionojë si e tillë në verë të vitit 2002, Kuvendi i Serbisë miratoi një ligj që ndan Shërbimin e Sigurisë Shtetërore (Resor Drzavne Bezbednosti – RDB) nga Ministria serbe e Punëve të Brendshme (MPB) dhe transformimin e saj në një agjenci të re civile e kontrolluar dhe emëruar si Agjencia e Sigurimit dhe Informacionit (Bezbednosno – Informativna Agencija – BIA).
Gjithashtu, ligji për Agjencinë e Sigurisë dhe Informacionit dhe akteve nënligjore të tjera që rregullojnë sferën e aktiviteteve të Agjencisë. Agjencia kryen detyrat në lidhje me: mbrojtjen e sigurisë së Republikës së Serbisë, zbulimin dhe parandalimin e veprimtarive që kërcënojnë të minojnë apo tё prishin rendin kushtetues të Republikës së Serbisë, agjencia bёn mbledhjen, përpunimin dhe analizën e informatave të rëndësishme për sigurinë e Republikës së Serbisë, informimin e autoriteteve kompetente të shtetit në lidhje me të dhënat e tilla, dhe të tjera të përcaktuara me ligj”, thotë Berisha.
ImageFidair BerishaFoto galeri
Eksperti i sigurisë thekson se edhe FSB-ja udhëhiqet bazuar nё Kushtetutën e Federatës Ruse, ligjet federale, dhe direktivat e Presidentit të Federatës Ruse, si dhe direktivat e Qeverisë së Federatës Ruse.
“FSB–ja si (pasardhëse) e KGB-së sё Federatës Ruse (FSB) është agjencia kryesore e brendshme e sigurisë së Federatës Ruse dhe agjencia kryesore trashëgimtare të periudhës sovjetike Cheka, NKVD dhe KGB. Funksioni i FSB-së është përfshirë në misione të kundërzbulimit dhe sigurimit të kufijve të brendshëm, kundër terrorizmit. Ndёrsa GRU është Drejtoria Kryesore e Inteligjencës e Forcave të Armatosura të Federatës Ruse dhe është agjencia me numёr te madh tё pjesёtarëve. Ky shёrbim (GRU) kryen spiunazh, sabotim dhe operacione të fshehta, dhe gjithashtu kontrollon inteligjencën ushtarake dhe njësitë e forcave speciale”, thotë ai.
Berisha nënvizoi se Kosova po pёrballet nё vazhdimёsi me rreziqe nga mё tё ndryshmet, mirёpo agjencionet e sigurisё deri me tani kanё qenë tё suksesshme nё kryerjen e detyrave tё tyre.
“Rrjedhimisht ato vazhdojnё tё jenë koshiente pёr ҫdo rrezik tё mundshёm dhe me profesionalizёm po arrijnë tё bёjnë zbulimin dhe parandalimin e rreziqeve nё dёm tё vendit veҫanërisht nga shërbimet e huaja tё cekura mё lartё”, thotë Berisha.