Halil Geci: Drejtësia që shkon tinëz, kthehet me pranga
Vizitat e fshehta e Hashimit në Hagë nuk solli shpëtim – përkundrazi, u kthyen në dëshmi për dënim.
Kur “besa” përdoret për tradhti dhe drejtësia e kthen në dënim,
Hashim Thaçi besoi se po fliste në “besë” me prokurorët ndërkombëtarë të Hagës, njësoj si dikur në malet e Berishës, ku me zvarranikët e vet vendoste në fshehtësi kush të torturohej dhe kush të zhdukej. Ashtu siç ndodhi me shumë veprimtarë të LDK-së – ndër ta edhe Bejadin Hallaçi, një mik i tyre i afërt, që u zhduk vetëm pse mendonte ndryshe nga grupi i atëhershëm i LPK-së.
Paramendoni: Lopari i Brojës, i vetëshpallur si “strateg” i fatit të Kosovës, shkonte në Hagë fshehurazi disa herë dhe fliste si bylbyl për shokët e tij, duke besuar naivisht se do ta shpëtonte veten duke i dorëzuar të tjerët. Ende e mendonte veten si kryetar shteti dhe ishte i bindur se “krejt dynjaja i beson rrenave të tij.” Por ajo që besoi si shpëtim, u kthye në dëshmi të pastër fajsie – që dëmtoi jo vetëm atë, por edhe shokët që i kishin besuar verbërisht.
Në Ballkan, të punosh prapa shpinës ndonjëherë shihet si “virtyt”, por në Hagë është provë kompromentuese. Prokurori, i frymëzuar nga “drejtësia evropiane”, e deklaroi publikisht se Hashim Thaçi kishte shkuar tinëz disa herë pa ftesë dhe kishte dëshmuar. Kjo sjellje u kthye në material hetimor – jo si akt bashkëpunimi, por si dëshmi tradhtie.
E ashtuquajtura “besë” u përdor si grackë. Drejtësia, sado selektive dhe tinëzare të jetë, nuk fal: të pabesin e sjell në pranga. Dhe, siç ndodh gjithmonë, edhe Zoti vetë ua zbulon pabesinë atyre që fshihen pas mashtrimeve.
Drejtësia ka një shije të çuditshme: nuk është as e ftohtë, as e verbër – është e padurueshme ndaj atyre që veprojnë në errësirë dhe mendojnë se mund t’i shpëtojnë ndëshkimit. Hashim Thaçi, me veprimet e tij tinëzare, e vulosi vetë rrugën që e çoi atë dhe bashkëpunëtorët e tij drejt Hagës.
Ndërkohë, edhe Jakup Krasniqi – zëdhënësi i dikurshëm i UÇK-së, që me krenari deklaronte: “secili që na ka penguar, e kemi heqë” – përfundoi në bankën e të akuzuarve. Jo sepse kishte vrarë ndokënd me dorë, por sepse ndërtoi një narrativë të rrejshme. Shkroi një libër të mbushur me gjysmë të vërteta – për të mos thënë me rrena – dhe ai libër, më shumë se çdo tjetër akt, e dogji Kupën më shumë se baruti.
Kjo elitë politike, që për dekada e mbajti shtetin në grusht, kurrë nuk e pa të arsyeshme të grumbullojë fakte dhe me ndihmën e mekanizmave ndërkombëtarë ta çojë Serbinë dhe Vuçiqin para gjykatës për krimet monstruoze: vrasjen e 1,300 fëmijëve dhe mbi 13,000 civilëve të pafajshëm, dhunimin e mbi 20,000 grave dhe shkatërrimin sistematik të Kosovës.