TË FUNDIT

Kosova përfiton mbi 2 milionë euro nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF)

Kosova ka përfituar mbi 2 milionë euro në formë të granteve për asistencë teknike nga Korniza Investuese për Ballkanin Perëndimor (WBIF), një program i Bashkimit Evropian që mbështet projektet zhvillimore në rajon.

Lajmin e ka bërë të ditur zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, duke theksuar se aplikimet e Kosovës në thirrjet e vitit të kaluar, pavarësisht masave të padrejta të vendosura nga BE-ja në atë kohë, janë aprovuar zyrtarisht. Katër projektet e propozuara nga Kosova ishin në fushat e energjisë dhe digjitalizimit.

Sipas Bislimit, projektet e energjisë do të përfitojnë mbi 800 mijë euro, ndërsa ato të digjitalizimit mbi 1.2 milion euro. Ai gjithashtu kritikoi deklaratat e mëhershme që paralajmëronin humbje të parikuperueshme të fondeve evropiane për shkak të masave, duke thënë se këto pretendime po demantohen nga rezultatet konkrete.

Programi WBIF mbështet projekte në sektorë kyç si energjia, transporti, mjedisi dhe dixhitalizimi, duke kontribuar në përmirësimin e infrastrukturës dhe shërbimeve publike në rajon.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *