“Gabim i radhës, mesazh i keq dhe ndikon negativisht te…”, Rudi kundër protestës së OVL-së, “hedh” akuza edhe për…
Më 7 gusht duke filluar nga ora 17:00, në sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë do të mbahet protesta e OVL e UÇK-së.
Protesta e Organizatës së Veteranëve të Luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, do të mbahet për të shprehur pakënaqësinë dhe shqetësimin lidhur me situatën aktuale politike në vend, konkretisht për moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës dhe mosrespektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese.
Ata gjithashtu protestojnë për padrejtësitë ndaj ish- bashkëluftëtarëve në Gjykatën Speciale.
“Duke pasur parasysh mosreflektimin e partive politike për konstituimin e institucioneve, dhe mosrespektimin e vendimit të Gjykatës Kushtetuese, në takim u vendos që të mbahet protestë gjithë-popullore, me kërkesat e mëposhtme:
Kundërshtimi i padrejtësive ndaj ish-bashkëluftëtarëve në Gjykatën Speciale.
Formimi urgjent i institucioneve legjitime dhe respektimi i rendit kushtetues.
Ndërprerja e përbuzjes ndaj kategorive të luftës, përfshirë mos mbështetjen financiare, përjashtimin e veteranëve nga paga minimale dhe mungesën e ligjit për vlerat e UÇK-së.
Protesta do të mbahet më 7 gusht, ora 17:00, në sheshin “Skenderbeu” Prishtinë”, thuhet në njoftimin e OVL- UÇK-së.
Ndërsa, ish-kryetari i OVL-UÇK-së, Hysni Gucati, ka thënë se protesta do të mbahet për shkak të, siç e ka quajtur ai, “papërgjegjësisë së institucioneve të vendit”, si dhe për faktin që Gjykata Speciale po shkel të gjitha të drejtat e të akuzuarve.
Ai theksoi se “kjo gjykatë është e papranueshme për popullin e Kosovës”, duke bërë thirrje për pjesëmarrje masive në protestë.
“Për shkak të papërgjegjësisë së institucioneve të vendit ndonëse ende nuk janë formuar. Do të protestojmë për dhomat e specializuara e cila po I shkel të gjitha të drejtat. Ju e dini rastin e fundit që ka ndodhur me gardianin dhe ky nuk është I fundit ka qenë dhe një më herët që Gjykata Speciale përdor njerëz brenda për me diku në procesin gjyqësor e duke kontrolluar gjitha dokumentacionet që dërgon mbrojtja e të akuzuarve. Ky është rasti i dytë dhe para 3 viteve ka qenë një rast dhe tash është rasti I fundit me prokurorin që nuk ka qenë gardian por prokuror. Ju e dini që ajo gjykatë për ne është e papranueshme”, ka deklaruar ai.
Kjo protestë ka gjetur përkrahje nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Nisma për Kosovën, ata kanë deklaruar se qëndrojnë në krah të luftës për liri, mbështesin një proces të drejtë, të paanshëm dhe të shpejtë për të akuzuarit. Gjithashtu, besojnë se lufta e UÇK-së ka qenë e pastër,
Por, kjo protestë nuk po përkrahet nga djali i Fetah Rudit, Petrit Rudi i cili protestën e quan gabim të radhës nga OVL.
Sipas tij, protesta e paralajmëruar është një mesazh i keq për Kosovën dhe drejtësinë në Kosovë.
“Protesta e paralajmëruar nga Organizata e Veteranëve, padyshim që është një gabim i radhës nga kjo organizatë, e cila jo rrallë herë ka dështuar në misionin e saj. Krejt kjo, konsideroj, ka ndodhur pasi OVL ka qenë gjithmonë nën ndikimin e PDK-së dhe i të ashtuquajturve komandantë. Kjo protestë e paralajmëruar është një mesazh i keq për Kosovën dhe drejtësinë në Kosovë. Kjo protestë, padyshim që përforcon edhe argumentet pse është themeluar Gjykata Speciale, dhe tregon pse krimet apo vrasjet politike që janë kryer në Kosovë nuk janë hetuar, gjykuar e zbuluar”, deklaron Rudi për “Bota sot”.
Protesta mund të ndikojë negativisht te të akuzuarit, thotë Rudi, gjersa shton se Specialja po sjellë drejtësinë në vend.
Rudi shpreh habi sesi OVL nuk ka reaguar, protestuar apo kërkuar drejtësi për të gjitha vrasjet dhe atentatet politike ku viktima kishin anëtarë të LDK-së.
“ Po ashtu, duhet të them se protesta e OVL-së do të ndikojë më shumë negativisht te të akuzuarit e Speciales, sesa do t’i ndihmojë diçka atyre. Pasi kjo automatikisht do të shihet si luftë e hapur ndaj drejtësisë dhe Gjykatës Speciale, e cila më në fund po sjell drejtësinë në vend edhe për vrasjet politike apo kundërshtarëve politikë, për çka akuzohen nga Specialja Thaçi, Veseli, Selimi, Krasniqi e të tjerët. Është për t’u habitur se si OVL asnjëherë nuk ka reaguar, protestuar apo kërkuar drejtësi për të gjitha vrasjet dhe atentatet politike, e ku viktima kishin anëtarë të LDK-së. Përkundrazi, sipas krerëve të OVL-së, “punë e madhe që janë vra anëtarët e LDK-së”. Kështu së paku deklaronin haptas nëpër studio televizive”, shprehet djali i Fetah Rudit.
Pres që protestuesit më 7 gusht të mbajnë në duar plakatat e të gjitha viktimave politike për çka Specialja i akuzon, thotë Rudi, gjersa shpreh habi sesi analistë e gazetarë që dikur e akuzonin dhe kishin frikë që po vriten nga Thaçi e të tjerët, sot janë argatët më të mëdhenj në mbrojtje të tyre.
“Unë, siç e kam thënë kohë më parë në një postim timin, pres që protestuesit në duar të mbajmë plakatat e të gjitha viktimave politike, për çka Specialja i akuzon ata që OVL po i mbron. Po ashtu, është edhe për t’u habitur se si shumë analistë dhe gazetarë që dikur e akuzonin dhe kishin frikë që po vriten nga Thaçi e të tjerët, sot janë argatët më të mëdhenj në mbrojtje të tyre, janë shndërruar në servilë nëpër studio televizive e postime në Facebook. Kjo lë shumë për të dyshuar. Por ne besojmë që askush dhe asgjë nuk mund të ndikojë në punën e Gjykatës Speciale, e cila padyshim është shpresa e fundit për ne si familjarë dhe për shumë familjarë që kanë pësuar nga vrasjet politike”, shton Rudi.
Fetah Rudi, ish- deputet, aktivist e veprimtar i LDK-së, gjithashtu ka qenë ushtar i UÇK-së. Ai më 15 dhjetor të vitit 2000 u suluma me breshëri plumbash dhe nga plagët e marra kishte pësuar lëndim të përhershëm të boshtit kurrizor. Atentati që e invalidoi Rudin kishte ndodhur rreth orës 14:30, jashtë qytetit të Malishevës.
Të dënuar e as të akuzuar ende nuk ka, gjersa shpresa e vetme për zgjidhjen e rastit të tij është Gjykata Speciale.
“E vetmja shpresë është te Gjykata Speciale që do t’i zbardh këto raste, ato që i parasheh nga viti 1998, dhe gjithsesi besoj se edhe rasti im do të jetë aty. Ende nuk më kanë intervistuar, por nëse më thërrasin unë jam shprehur hapur sedo të shkoj”, deklaronte Rudi.
Ndryshe, protesta e fundit në mbështetje të ish-krerëve të UÇK-së ishte zhvilluar nën organizimin e platformës “Liria ka emër” në prill 2023 në Prishtinë.