Eksperti: AKI ka neutralizuar operacionet e BIA dhe VBA në Kosovë – Serbia po përdor mjete të luftës
Sipas ekspertit të sigurisë, Drizan Shala, rasti i incizimit ilegal të takimit të 17 shtatorit 2020 ndërmjet zyrtarëve serbë dhe përfaqësuesve të Bashkimit Evropian është vetëm maja e ajsbergut në një fushatë të gjatë dhe të strukturuar të shërbimeve sekrete serbe – konkretisht BIA (Agjencia e Inteligjencës së Serbisë) dhe VBA (Agjencia Ushtarake e Sigurisë) – për të ndërhyrë në proceset politike, institucionale dhe të sigurisë në Republikën e Kosovës.
“Me gjithë atë, veprimet dhe sukseset konfirmojnë se Agjencia Kosovare e Inteligjencës (AKI) ka ndërmarrë hapa të vendosur dhe, me sukses të plotë, ka neutralizuar operacione të rëndësishme operative dhe dezinformuese të BIA dhe VBA brenda territorit të Kosovës gjatë periudhës 2022–2025. Ky është një arritje që dëshmon se Kosova tashmë ka kapacitete reale të kundërzbulimit dhe është në gjendje të ruajë integritetin e saj institucional dhe informativ”, thotë Shala.
Por cilat ishin objektivat e operacioneve serbe?
“Operacionet e BIA dhe VBA kanë qenë të përqendruara në këto drejtime: Penetrimi i institucioneve të sigurisë së Kosovës përmes aktorëve të infiltruar ose bashkëpunëtorëve të vjetër; mbledhja e informatave për strukturat komanduese të Policisë, FSK-së dhe AKI-së; përhapja e dezinformatave dhe ndikimi në opinionin publik përmes rrjeteve të mediave dhe organizatave satelitë; ndërtimi i dosjeve komprometuese ndaj zyrtarëve kosovarë dhe ndërkombëtarë; përpjekje për destabilizim përmes grupeve kriminale në veri të Kosovës, të lidhura direkt me BIA”, shton Shala.
ImageDrizan ShalaFoto galeri
Më tej, Shala thekson se AKI dha një përgjigje efektive dhe profesionale.
“Përballë këtyre operacioneve, AKI ka ngritur një arkitekturë të avancuar të vëzhgimit, ndjekjes dhe dezintegrimit të rrjeteve serbe, ku veçojmë: identifikimin e pikave të komunikimit të agjenturave serbe përmes rrugëve operative; zbardhjen dhe ndërprerjen e rrjeteve të spiunazhit dhe bashkëpunëtorëve të infiltruar, përfshirë edhe persona që ishin në pozita me qasje në informacion të ndjeshëm; parandalimin e një numri operacionesh që kishin për qëllim destabilizimin e veriut të vendit”, shpjegon eksperti Shala.
“Ky progres nuk ka kaluar pa reagim nga Serbia – e cila, e përballur me humbje të qasjes operative në Kosovë, është kthyer te taktikat e presionit diplomatik dhe ekspozimit të materialeve të përgjuara ilegalisht për të ndikuar opinionin ndërkombëtar dhe proceset e dialogut”, shton Shala.
Por çfarë përfaqëson ky incizim?
“Incizimi i paligjshëm i një takimi zyrtar ndërkombëtar është një akt i pashembullt i spiunazhit politik dhe tentativë për komprometimin e bashkëpunimit euroatlantik në raport me Kosovën. Ky veprim nuk është vetëm cenim i normave ndërkombëtare, por dëshmon se Serbia është duke zhvilluar një luftë të sofistikuar hibride ndaj Kosovës dhe Bashkimit Evropian”, shprehet Shala.
“Kosova është shtet me kapacitete reale të inteligjencës dhe kundërzbulimit. AKI, në koordinim me partnerët euroatlantikë, ka krijuar një sistem të qëndrueshëm të sigurisë strategjike. Çdo tentativë për të minuar integritetin tonë shtetëror do të trajtohet me profesionalizëm, përgjigje të fuqishme dhe koordinim rajonal. Ky incident duhet të shërbejë si një sinjal për BE-në dhe NATO-n që Serbia nuk është një aktor i besueshëm në proceset demokratike dhe të sigurisë në Ballkanin Perëndimor”, përfundon eksperti i sigurisë, Drizan Shala.