POLITIKATË FUNDIT

A do t’i hiqet mandati deputetëve nga Kushtetuesja?! Publicisti tregon vendimin që mund të marrë gjykata pas një javë

Vendimi i fundit nga Gjykata Kushtetuese e Kosovës, lidhur me moskonstituimin e Kuvendit të Kosovës, është aktgjykimi i publikuar më 26 qershor 2025, që parasheh se seanca konstituive duhet të përfundojë brenda 30 ditësh, duke zgjedhur kryetarin dhe nënkryetarët, në përputhje me Kushtetutën të Republikës së Kosovës.

Ndonëse edhe pas kësaj date, Kuvendi nuk arrin të konstituohet përmes zgjedhjes së kryeparlamentarit dhe nënkryetarëve, ndërhyri gjykata me ndalimin e veprimeve të reja deri më 8 gusht 2025 për të mbrojtur rendin kushtetues.

A ishte kjo zgjidhja më e mirë e mundshme nga Kushtetuesja për të zgjidhur ngërҫin politik? Lidhur me këtë ҫështje ka folur publicisti dhe analisti politik, Gani Qarri. Ai thotë se në gjendjen e krijuar kaotike me bllokada të vazhdueshme politike, ku çdo fjalë dhe vendim i kushtetuese nisi të trajtohet dhe interpretohet sipas dëshirave dhe interesave të partive parlamentare, të paktën Gjykata Kushtetuese do duhej të dilte me një vendim të qartë, duke e ditur se çdo vendim me mungesë të qartësisë kushtetuese, nuk do t’i dërgonte partitë në arritjen e një marrëveshje politike dhe vetëm mund të vazhdonte bllokadën institucionale, siç edhe ndodhi për më tepër se tre muaj me radhë.

“Krejt kjo erdhi si pasojë një vendimi asnjanës të vet Gjykatës Kushtetuese ku nuk sqarohej qartë se si duhet vepruar dhe çfarë është e çfarë jo, e lejuar të veprohet në situatën aktuale, duke lënë hapësirë për interpretime të ndryshme sipas dëshirave dhe interesave të partive, pa dhënë referencat e nevojshme praktike për zgjidhjen e ngërçit disamujor. Kështu që edhe Gjykata Kushtetuese, me apo pa qëllim, dështoi të ofronte orientimin e duhur, të pritur nga qytetarët, me të cilin do t’i obligonte partitë dhe deputetët e kësaj legjislature ta zbatonin vendimin e saj, për zgjidhjen e ngërçit dhe tejkalimin e gjendjes së krijuar kaotike, tash e mbi 5 muaj nga zgjedhjet e 9 shkurtit”, tha ai.

Qarri thotë tutje se, nisur nga vet tendencat konfliktmbjellëse të partive opozitare, Gjykata Kushtetuese e dinte mirë, se ngërçi i krijuar nuk është rast aq i thjeshtë, sa të zgjidhet me lutje apo shprehje melankolike dhe fraza joobliguese për “bashkëpunim në mirëbesim” apo veprime në “frymë Kushtetutës”, madje duke parë se të gjitha këto u mungojnë partive politike në Kosovë, Kushtetuesja do duhej shpjeguar qartë obligimet kushtetuese dhe jepte vendime të prera, me udhëzime konkrete e të kuptueshme për deputetë e kësaj legjislature, se si duhej vepruar në rrethanat aktuale me nxjerrjen e një akti të detyruar ligjor e kushtetues, për zbatim nga partitë dhe deputetët.

“Ndryshe që nga 15 qershori kur dhe u mbajt seanca e parë konstituive e Kuvendit, përkundër 54 seancave të mbajtura radhazi deputetët e legjislaturës së nëntë tejkaluan edhe afatin 30 ditor, të cilin ua kishte caktuar në “mirëbesim” deputetëve Gjykata Kushtetuese, pa arritur ta konstituonin Kuvendin e Kosovës, me bllokadat e papara që nga opozita u paravendosën në mënyrë sistematike me qëllim të moskonstituimit të Kuvendit, duke mos marrë pjesë as formalisht në votim, megjithëse deputetët e të gjitha partive, përfshi edhe ata të opozitës, e kanë obligim kushtetues votimin dhe kontributin për krijimin e institucioneve shtetërore, e jo ta lënë vendin pa institucione dhe sjellin në gjendjen aktuale.

Për aq më tepër, sikur mos të mjaftonte bojkotimi me mospjesëmarrjen në votim nga deputetët opozitar edhe Kushtetuesja nuk dha asnjë orientim, sado minimal, e të mos flasim këtu edhe për vendimin, i cili jo vetëm që nuk ishte më i miri, por as i duhuri, me ç`rast edhe vet Kushtetuesja sikur u bë palë për moskonsatituimin e Kuvendit dhe faktori i tretë i vazhdimit të ngërçit politik, duke mos ofruar vet zgjidhje, as detyruar partitë, me asnjë koncesion kushtetues, si heqja e mandateve për deputetët, që ata të obligoheshin, për zgjidhjen e ngërçit”, tha ai.

Qarri tutje vlerëson se me vendimin asnjanës, partive opozitare, që në njërën anë nuk morën mbështetjen nga qytetarët në përqindjen që ato dëshironin dhe në anën tjetër Qeveria Kurti ua ndali përfitimet e paligjshme, e kërcënon edhe me konfiskimin e pasurive të kundërligjshme, Kushtetusja me qëndrimet dualiste, sikur u erdhi në ndihmë dhe u hapi rrugën deputeteve të opozitës për mospjesëmarrje të mëtejme në votim duke mbajtur në fuqi status-Quon, për moszgjidhjen e ngërçit politik, me bojkotin e votimit në parlament.

“Kështu që me vendimin e po kësaj Gjykate Kushtetuese, nga 27 Korriku deri më 8 gusht, deputetët edhe po u dakorduan ndërkohë, e kanë të pamundur të marrin çfarëdo vendimi, në drejtim të konstituimit të Kuvendit. Dhe tani kur ka ngelur vetëm edhe një javë, në afatin e caktuar për mosveprim, duhet të pritet vendimi më i ri, i Gjykatës Kushtetueses, me urimin që ajo përfundimisht të sjellë një vendim të “prerë”, për shkuarjen në zgjedhje të reja, ose të sqarojë saktësisht pasojat juridike si: Heqja definitive e mandateve të deputetëve të kësaj legjislature, nëse ata nuk veprojnë sipas vendimit të saj, i cili shpresojmë që të paktën kësaj radhe, vërtetë do të jetë edhe vendimi më i mirë i mundshëm për të zgjidhur përfundimisht ngërçin e krijuar dhe dhënë zgjidhjen e duhur gjendjes aktuale”, thotë Qarri për ‘Bota sot’.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *