POLITIKATË FUNDIT

Kërcënimi i Vuçiqit ndaj Kosovës, eksperti: Nevojitet reagim urgjent ndërkombëtar

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka reaguar ashpër ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, pas arrestimit të zyrtarit serb Igor Popoviç nga duke e akuzuar këtë të fundit për përshkallëzim të situatës dhe nxitje të konflikteve në rajon.

Vuqiq madje ka kërcënuar me pasoja të paparashikueshme.

Ky është një nga kërcënimet e shumta të liderëve serbë, që shumë herë janë kaluar në heshtje.

Por në situatën në të cilën ndodhët Kosova, a egziston vërtet një rrezik i tillë dhe a duhet marrë parasysh kjo deklaratë e liderit serb qoftë nga organet e sigurisë në Kosovë apo edhe ato ndërkombetare?

ImageHysen GecajFoto galeri
Sipas ekspertit të çështjeve të sigurisë Hysen Gecaj, deklarata e presidentit serb Aleksandar Vuçiq, i cili paralajmëroi “pasoja të paparashikueshme” pas arrestimit të Igor Popoviqit në Kosovë, nuk duhet parë si një retorikë e zakonshme politike për konsum të brendshëm. Ky është një kërcënim i drejtpërdrejtë që bart potencial të lartë për tensionim dhe destabilizim në veri të vendit dhe më gjerë në rajon.

“Kërcënimi i Vuçiqit është në thelb një përpjekje për ta vënë drejtësinë kosovare nën presion dhe për të mbrojtur zyrtarët serbë që veprojnë në mënyrë jo legjitime brenda territorit të Kosovës”, vlerëson Gecaj.

Sipas tij, gjuha e përdorur nga presidenti serb është pjesë e një strategjie të njohur, përshkallëzim verbal, tensionim politik dhe pengim i integrimit të veriut të Kosovës në rendin kushtetues të Republikës së Kosovës.

Eksperti nuk përjashton mundësinë që Serbia të ndërmarrë veprime konkrete në terren. Ndër skenarët e përmendur janë organizimi i protestave në veri, infiltrimi i strukturave të armatosura ilegale, apo edhe përdorimi i mjeteve hibride, përfshirë drone, të cilët janë raportuar edhe më parë në zonën kufitare. Po ashtu, pritet që Beogradi të nisë një fushatë të re diplomatike për ta paraqitur arrestimin si “sulm ndaj serbëve” në Kosovë.

Megjithatë, Gecaj thekson se një ndërhyrje e drejtpërdrejtë ushtarake është pothuajse e pamundur për shkak të pranisë së NATO-s (KFOR-it) dhe mbështetjes së fuqishme ndërkombëtare që gëzon Kosova.

“Vuçiq e përdor këtë retorikë për të ruajtur dominimin në opinionin publik serb dhe për të shmangur presionin ndërkombëtar mbi problemet e brendshme të Serbisë, përfshirë autoritarizmin, korrupsionin dhe lidhjet me Rusinë,” shton ai.

Sipas Gecajt, është jetike që faktori ndërkombëtar, veçanërisht Bashkimi Evropian, Shtetet e Bashkuara dhe NATO, të reagojnë qartë dhe me kohë ndaj kërcënimeve të Serbisë. Ai paralajmëron se mungesa e një qëndrimi të prerë mund t’i japë Vuçiqit hapësirë për veprime të rrezikshme.

“Reagimi ndërkombëtar është i domosdoshëm për të parandaluar përshkallëzimin, për të mbrojtur drejtësinë në Kosovë dhe për të ruajtur stabilitetin rajonal në një kohë kur tensionet globale janë në rritje,” deklaron Gecaj.

Gecaj thekson se kërcënimi i presidentit serb duhet marrë seriozisht.

“Ai nuk është thjesht një fjalim i radhës, por pjesë e një strategjie më të gjerë për të sfiduar sovranitetin e Kosovës dhe për të mbajtur veriun nën ndikim politik e të sigurisë nga Beogradi. Kosova ka të drejtën dhe obligimin të zbatojë ligjin në të gjithë territorin e saj, ndërsa bashkësia ndërkombëtare duhet të garantojë që kjo të ndodhë pa kërcënime e pa dhunë”, vlerëson ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *