POLITIKATË FUNDIT

Kapiten Meçollari: Kosova dhe Shqipëria duhet të përgatiten për skenarin më të keq të mundshëm

Në një intervistë për “Bota sot”, Kapiteni i rangut të parë, Artur Meçollari ka folur mbi sigurinë dhe bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri.

Sa i përket rrezikut rus në rajon, ai thotë se Rusia nuk mund ta bëjë këtë pa ndihmën e Serbisë duke e ditur se Serbia aleatin më të fortë e ka Rusinë.

Sipas tij “rritja dhe modernizimi i fuqisë ushtarake të Serbisë, përtej nevojave të një shteti “neutral”, tregon se si Serbia ka çbalancuar dhe kërcënuar sigurinë ballkanike”.

Bashkëpunimin mes Kosovës dhe Shqipërisë më fushën e sigurisë, Meçollari e sheh si shumë të mirë, duke thënë se Shqipëria nuk ka kërcënim nga ndonjë shtet i jashtëm, derisa siguria në Kosovë është e brishtë.

Sipas tij, politika e jashtme e Shqipërisë duhet të përfshijë në agjendën e saj interesat e Kosovës dhe marrëdhëniet që ka Shqipëria me Serbinë, dypalëshe dhe rajonale, duhet t’i ndërtojë vetëm mbi interesat e Kosovës.

Nga ana tjetër ai thotë se ndihet mungesa e një qasje të përbashkët ndaj sfidave rajonale, sepse palët kanë kuptimtë të ndryshime sa i përket kërcënimit të Serbisë.

Intervsita e plotë:

“Bota sot”: Si i vlerësoni marrëdhëniet ushtarake mes Shqipërisë dhe NATO-s sot?

Artur Meçollari: Shqipëria është anëtare e NATO-s për mbi 15 vjet, me një kontribut të spikatur në operacionet e saj ushtarake në Afganistan, Kosovë, Letoni, Detin Egje, etj. Po ashtu Shqipëria ka një pozicion gjeografik të rëndësishmen si pika hyrëse e Korridorit të 8-të, nëpërmjet Portit historik të Durrësit, por dhe për shkak të gjirit të Vlorës. Ndërtimi i Bazës Ajrore të Kuçovës, si një bazë taktike e përparuar e NATO-s, tregon rëndësinë e pozicionit gjeografik që Shqipërisë ka për NATO-n në rajonin ballkanik. Ushtarakët shqiptar, kudo ku kanë shërbyer nën flamurin e NATO-s kanë treguar profesionalizëm, përkushtim dhe disiplinë të larte. Gjatë pjesëmarrjes në operacionet e NATO-s, në Afganistan dhe Letoni, kanë dhënë jetën në krye të detyrës tre ushtarak shqiptar, kapiten Feti Vogli, major Klodian Tanushi dhe nëntetare Zarife Hasanaj.

Shqipëria është një vend i vogël, me kapacitete ushtarake të kufizuara për kontribut në operacione të NATO-s. Por, hapësira e saj territoriale, tokësore, detare dhe ajrore, si dhe pozicioni gjeografik janë dhe duhet të jenë kontributi më i madh i saj. Në tetor 2019 Ministria e Mbrojtjes e Shqipërisë i ofroi Komandës Supreme të NATO-s në Europë, bazën detare të Pashalimanit dhe gjirin e Vlorës, si një bazë detare e NATO-s. Komandanti i atëhershëm i NATO-s gjenerali Walsh u përgjigj se kërkesa ishte pranuar në parim dhe se së shpejti do të fillonte studimi nga Komanda Detare e NATO-s. Prej katër vitesh ekipet e MARCOM-it vijojnë studimin dhe vizitat në bazën detare të Pashalimanit dhe shpresoj që një përgjigje pozitive do të jete e shpejtë.

Politikat e Qeverisë së Shqipërisë duhet të jenë plotësisht në përputhje me konceptin operacional të NATO-s dhe politikat e sigurisë së BE. Rritja e kapaciteteve dhe shpejtësisë e kalueshmërisë të Korridorit të 8-të është detyrim i Shqipërisë, për më tepër që ky korridor është një nga drejtimet kryesore të lëvizjes dhe vendosjes së trupave të NATO-s drejt Lindjes, në rastin e një konflikti me Rusinë në të ardhmen.

Edhe pse Strategjia e Sigurisë Kombëtare e vitit 2014 synonte investime në rritjen e kapaciteteve kaluese të Korridorit të 8-të, Qeveria e Shqipërisë nisi investimet për zgjerimin e këtij korridori vetëm dy vjet më parë. Në vitin 2021 Qeveria e Shqiptarisë i dhuroi biznesmmenit Arab Alabbar Portin historik të Durrësit, edhe pse Komandanti i ardhshëm Suprem i NATO-s gjeneral Christopher Cavoli në 5 maj 2021 ishte shprehur se “Porti historik i Durrësit ka qasje strategjike për Aleancën”. Po ashtu, Kryeministri Rama zyrtarisht i ka kërkuar drejtuesve të NATO-s, poiltik dhe ushtarak, financimin e një baze detare të NATO-s në portin e pafilluar ende të Porto Romanos, edhe pse i kishte ofruar qysh në 2019 bazën detare të Pashalimanit dhe gjirin e Vlorës.

Porti historik i Durrësit, ka qasje strategjike për Aleancën, për kapacitetet përpunuese që ofron, si dhe faktin që gjendet në gjirin e Durrësit, një gji me kapacitete zbarkimi det – tokë të pakufizuara. Këtë rol nuk e luan dot Porti i Porto Romanos. Po ashtu, nga pikëpamja operacionale, një bazë e NATO-s në Porto Romano nuk do të kishte asnjë vlerë. Gjiri i Vlorës, si një gji i të gjithë moteve dhe vitit, ka kapacitete akomoduese dhe mbrojtëse, si dhe lejon reagim të shpejtë për bllokimin e Kanalit të Otrantos dhe kthimin e Detit Adriatik në një liqen të NATO-s, duke garantuar superioritet ajror dhe kontroll të plote detar, kërkesë thelbësore për sigurimin e një operacioni zbarkimi në gjirin e Durrësit.

Vetë Porti i Porto Romanos, në çdo rrethanë nuk ofron kapacitetet e Portit të Durrësit, por mbi të gjitha ai është një port i shtrenjë, si për ndërtim dhe mirëmbajtje. Thellësitë, kushtet hidrometerologjike, struktura sizmike e terrenit, etj, nuk e bëjnë atë një port fizibël. Për më tepër, vetë projekti nuk ka një studim fizibiliteti. Ndërtimi i tij u pa e domosdoshme pasi u dha me koncesion Porti i Durrësit si një port turistik, dhe u evidentua dëmi në sistemit të transportit detar, jo vetëm për Shqipërinë, por edhe rajonin, duke përfshirë edhe Kosovën. Ndryshimi i ofertës së Kryeministrit Rama për NATO-n, nga Pashalimani në Porto Romano, me tepër synonte të krijonte imazhin se porrti i Porto Romanos do të ishte një port fizibël. Forma e tenderimit të Portit historik të Durrësit bie ndesh me Marrëveshjen e Stabilizim Asocimit me BE dhe e çon koston e përgjithshme të dy porteve rreth 8 miliard euro, një kosto pothuajse e barabartë me buxhetin vjetor të Qeverisë.

“Bota sot”: Çfarë rreziku real paraqet ndikimi rus në rajon, konkretisht në Kosovë, Mal të Zi dhe Serbi?

Artur Meçollari: Kërcënimi rus në Ballkan duhet vlerësuar kryesisht në kuadrin e objektivave të Rusisë në ndryshimin e skemës së sigurisë europiane si dhe aleancave të saj ballkanike. Kthimi i Ballkanit në sferën e influencës së sigurisë ruse është objektiv i Rusisë. Këtë objektiv Rusia nuk mund ta arrijë pa ndihmën e aleatit të saj, Serbisë, e cila ka dhe objektiva më agresive, të karakterit ekspansionist territorial.

Serbia është aleat i përhershëm vetëm i Rusisë. Interesat e tyre përputhen plotësisht me Rusinë, pavarësisht politikave të Vuçiç për të krijuar imazhin e një shteti “neutral”, dhe të barazlarguar nga fuqitë e sotme globale. Rritja dhe modernizimi i fuqisë ushtarake të Serbisë, përtej nevojave të një shteti “neutral”, tregon se si Serbia ka çballancuar dhe kërcënuar sigurinë ballkanike. Nuk ka dyshim, se kapacitetet ushtarake të Serbisë duhen për të krijuar sot destabilitet në Ballkan dhe nesër, nëse Rusia fiton luftën në Ukrainë, për të rritur influencën dhe rimarrë me forcë territoret e humbura në Ballkan, përfshirë dhe Kosovën.

Sot Serbia, është fuqia kryesore rajonale që ka objektiva të qarta destabilizuese, në Kosovë, Bosnje dhe Hecergovinë, Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut. Shfrytëzimi i etnive serbe në këto shtete është mekanizmi që Serbia po aplikon, të kombinuar me metoda hibride dhe nën mbështetjen e fuqisë ushtarake. Kjo strategji do të vijojë nga ana e Serbisë, deri në ardhjen e momentit oportun për rikthimin e territoreve të të ashtuquajtur “bota serbe”. Vetëm një Rusi dhe Serbi e dobët, mund të krijojë paqe në Ballkan.

“Bota sot”: Si e shihni bashkëpunimin politik mes Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e sigurisë?

Artur Meçollari: Bashkëpunimi midis Shqipërisë dhe Kosovës në fushën e sigurisë është në nivel të kënaqshëm dhe kryesisht midis institucioneve homologe të sigurisë. Në nivel politik Shqipëria duhet të bëj më shumë, sidomos në fushën e diplomacisë. Ndërsa në fushën e mbrojtjes duket se bashkëpunimi është shumë i mirë, kjo si në raportet bilaterale, por edhe në kuadër të KFOR-it. Shqipëria ka në KFOR në kontingjent të lartë për kapacitetet e saj njerëzore.

Divergjencat e karakterit ideologjik dhe politik midis liderëve në Kosovë dhe Shqipëri nuk kanë ndihmuar bashkëpunimin dhe mbështetjen reciproke në fushën e sigurisë, si dhe ka dëmtuar edhe harmoninë mbar shqiptare në rajon. Korrupsioni rajonal endemik, si dhe ndërhyrjet në fushatat elektorale reciproke janë faktorët kryesor, në gjykimin tim, të mungesës së bashkëpunimit të faktorit mbarë shqiptar. Raportet Shqipëri-Kosovë janë përcaktuese për marrëdhëniet mbarshqiptare në rajon dhe këto raporte nuk duhet të varen nga ideologjitë partiake.

Shqipëria nuk ka kërcënim individual nga jashtë, përveç atij rus në kuadrin europian. Siguria e Kosovës është e brishtë. Kërcënimet që vijnë nga Serbia dhe aleatët e saj kanë karakter ekzistencial për Kosovën. Në çështjet e sigurisë, Shqipëria jo vetëm që duhet të mbështesi pa asnjë hezitim Kosovën, por duhet ti japi zë ndërkombëtarisht interesave të saj. Shqipëria është Shteti Amë dhe kjo nuk është privilegj, por detyrim kushtetues. Ky detyrim nuk duhet të krijojë hierarki ndërmjet udhëheqësve të dy shteteve, por bashkëpunim të përhershëm dhe qëndrueshëm. Nuk është normale që Departamenti Amerikan i Shtetit përpara dy vitesh i kërkonte Serbisë largimi të ushtrisë nga kufiri me Kosovën, ndërsa KM Rama këtë prezencë nuk e konsideronte kërcënim. Po ashtu, asnjë shtetar në Shqipëri nuk ka mbështetur publikisht deri më sot deklaratën e Presidentit Trump në Samitin e Hagës, i cili theksoi se shmangu një sulm të Serbisë kundër Kosovës. Skena të tilla si mospjesëmarrja në Parlamentin e Shqipërisë gjatë fjalës së Presidentes Osmani, anulimi i takimit të përbashkët të dy Qeverive, apo ndërhyrja e Z. Kurti në zgjedhjet në Shqipëri dhe anasjelltas, nuk janë veprime që konsolidojnë harmoninë mbarshqiptare.

“Bota sot”: Çfarë mund të bëjë Shqipëria për ta ndihmuar Kosovën që të anëtarësohet në NATO?

Artur Meçollari: Shqipëria, si një shtet me histori mbi 110 vjeçare, është anëtare e shumë organizatave ndërkombëtare, si NATO, OKB, OSBE, etj, në të cilat Kosova aspiron të anëtarësohet. Shqipëria ka detyrime ndaj Kosovës, si një shtet në konsolidim dhe në proces të rritjes së angazhimit të saj ndërkombëtar, njohjeve ndërkombëtare, anëtarësimit në organizatat ndërkombëtare, etj. Por, Shqipëria nuk është mbikëqyrëse e politikës së jashtme të Kosovës. Politika e jashtme e Shqipërisë duhet të përfshijë në agjendën e saj interesat e Kosovës. Por mbi të gjitha, Shqipëria marrëdhëniet me Serbinë, dypalëshe dhe rajonale, duhet ti ndërtojë vetëm mbi interesat e Kosovës. Iniciativa e “Open Balkan” ishte ide pozitive, por zbatimi i saj pa pjesëmarrjen e Kosovës, shkaktoi dëme në raportet Kosovë-Serbi, duke e prezantuar këtë të fundit si faktor stabiliteti rajonal. Do të duhej akti terrorist i Banjskës që Shqipëria të dilte nga “Open Balkan”.

Kosova ka bërë përparime në angazhimin në NATO, kryesisht në Asamblenë Parlamentare dhe bashkëpunimin ushtarak, por anëtarësimi i saj në Aleancë është objektivi final. Shqipëria, si një anëtare e NATO-s prej mbi 15 vitesh, ka shumë për të bërë në interes të Kosovës. Përshpejtimi i procesit të anëtarësimit të Kosovës në NATO është një proces ku Shqipëria ka shumë për të bërë, si p.sh., përshpejtimin e anëtarësimit të Kosovës në iniciativën e “Partneritetit për Paqe”, fushatë për njohjen e Kosovës nga të gjithë vendet anëtare të NATO-s, rritja e angazhimit të Kosovës në stërvitje dhe operacione të NATO-s, asistencë teknike për FSK-në në procesin e standartizimit sipas kërkesave të NATO-s, rritja e mëtejshme e bashkëpunimit ushtarak midis dy vendeve, etj. Shqipëria në çdo rrethanë duhet të jetë zëri dhe avokatja e Kosovës në çdo forum dhe në çdo nivel në NATO. Takim i i fundit në Tiranë midis FSK dhe Shtabit të Përgjithshëm të FA të Shqipërisë ishte një forum me shumë vlera në këtë proces.

“Bota sot”: Si e keni parë ju themelimin e aleancës ushtarake Shqipëri-Kosovë-Kroaci?

Artur Meçollari: Ministria e Mbrojtjes e Kosovës ka rreth 20 marrëveshje bashkëpunimi në fushën ushtarake, kryesisht me vende anëtare të NATO-s, por dhe vende të tjera jashtë kontinentit. Në rajon Kosova ka marrëveshje të ngjashme me të katër vendet anëtare të NATO-s, Shqipëri, Mali i Zi, Kroaci dhe Maqedonia e Veriut. Së fundmi Ministri Maqedonci nënëshkroi në Washington marrëveshjen e bashkëpunimit ushtarak 5-vjeçar me SHBA.

Por, marrëveshja trepalëshe Shqipëri-Kosovë-Koraci është e veçantë në bashkëpunimin ushtarak të Kosovës. Kjo pasi marrëveshja shtrihet në çështje me karakter operacional. Të tre palët angazhohen për të shkëmbyer informacion dhe përgjigjur kërcënimeve hibride që mund të ketë një nga shtet firmosës. Edhe pse marrëveshja nuk përmend një shtet specifik, ajo qartazi i drejtohet Serbisë. Kjo marrëveshje, në termat në të cilat është firmosur, përfaqëson fillimin e një aleance të vetëmbrojtjes kolektive. Aleanca të këtij karakteri nuk kufizohen nga neni 5 i Kartës së Atlantikut dhe Serbia duhet ta lexojë atë me shumë kujdes. Ka ardhur koha që Shqipëria të mendojë seriozisht dhe në konsultim me aleatët e saj për një marrëveshje të mbrojtjes kolektive me Kosovën.

“Bota sot”: A ekziston sot një strategji e përbashkët shqiptare përballë sfidave në rajon?

Artur Meçollari: Ka vite që ndihet mungesa e një qasje të përbashkët ndaj sfidave rajonale, por sidomos individuale. Pavarësisht bashkëpunimit në nivele të institucioneve të veçanta të sigurisë, qasja politike nuk është e përbashkët. Palët kanë kuptime të ndryshme mbi mjedisin e sigurisë rajonale, si dhe kërcënimet dhe sfidat që ajo përballet. Dhe ky ndryshim vjen për shkak të vlerësimeve të ndryshme që palët kanë për Serbinë dhe kërcënimin që ajo paraqet. Sot nuk ka më dyshim se Serbia është faktori kryesor i destabilitetit rajonal. Kjo e deklaruar nga shumë lider ndërkombëtar, duke përfshirë së fundi edhe Presidentin Trump. Nëse, Shqipëria dhe politika e saj e jashtme, nuk shohin Serbinë, me sytë e Kosovës, siç thotë ish Ministri i Jashtëm i Shqipërisë Z. Ditmir Bushati, do të jetë e vështirë patja e një qasje të përbashkët dhe rrjedhimisht strategji të përbashkët për të përballuar sfidat që i paraqiten sot Kosovës dhe hapësirës mbarshqiptare.

“Bota sot”: A është e rrezikuar Kosova nga nisma të tilla si Asociacioni i komunave me shumicë serbe?

Artur Meçollari: Asociacioni i komunave me shumicë serbe është një detyrim për Kosovën, por jo i pakushtëzuar. Ideja e asociaionit është e lidhur me një Kosovë të pavarur, sovrane dhe të njohur ndërkombëtarisht. Çdo themelim i asociacionit të komunave me shumicë serbe, përpara njohjes së Kosovës nga Serbia ose anëtarësimit të Kosovës në OKB, do të ishte një minë me sahat në dorën e Serbisë për destabilizimin e saj. Themelimi i parakohshëm i asociacionit përbën kërcënim për sigurinë e Kosovës. Rasti i përdorimit të Republikës Serbska nga Serbia për destabilizimin e Bosnjes dhe Hecerkovinës e tregon këtë. Çdo tentativë për hartime draftesh mbi asociacionin dhe nisjen e rrugës ligjore për miratimin e tyre, në situatën aktuale të Kosovës, është në dem të saj. Kjo është plotësisht një çështje e brendshme e Kosovës. Ishte një nxitim i panevojshëm i Kryeministrit të Shqipërisë Edi Rama që kohë më parë me “ekspertët më të mirë në botë” hartoi një draft për asociacionin e komunave serbe në Kosovë, pa u konsultuar me Shtetin e Kosovës dhe ua paraqiti atë kancelerive europiane.

“Bota sot”: Si e komentoni gjendjen aktuale të KFOR-it dhe rolin e tij në Kosovë?

Artur Meçollari: KFOR-i sot është garancia Nr. 1 e sigurisë së Kosovës, pavarësisht rritjes së kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së institucioneve të sigurisë në Kosovë. Akti terrorist i Banjskes i kryer nga Shteti Serb, zgjoi Qeverinë e Kosovës dhe NATO-n, por ende jo BE, duke rritur në mënyrë të dukshme kapacitetet dhe personelin e KFOR-it. KFOR, vitet e fundit, pavarësisht përgjegjësisë që rrjedh nga Rezoluta 1244, i ka lënë më shumë hapësirë për të vepruar institucioneve të sigurisë në Kosovë, sidomos në veri të saj. Pas sulmit terrorist të Banjskës, pavarësisht disa kundërshtive mediatike, unë besoj se Qeveria e Kosovës ka bashkëpunuar shumë ngushtë me KFOR-it. Ky bashkëpunim duhet të vijojë dhe në asnjë rrethanë Qeveria e Kosovës nuk duhet të lejojë veprime të njëanshme të agjencive në vartësi të saj, pa konsultime paraprake dhe miratim nga KFOR-i dhe partnerët kryesorë të saj.

Deklarata e Presidentit Trump e bërë në Samitin e NATO-s në Hagë, por dhe më pas, se kishte parandaluar një sulm të Serbisë ndaj Kosovës, duhet marrë seriozisht dhe duhet shfrytëzuar politikisht. Pavarësisht intensitetit dhe llojit të sulmit të parandaluar, ajo provon se Serbia vijon të jetë një kërcënim real për Kosovën dhe faktor destabiliteti rajonal. Sot është e nevojshme për Kosovën rritja e kapaciteteve ushtarake në koordinim me NATO-n. Kthimi i FSK në Forcës të Armatosur, sipas Planit të Modernizimit të saj 2018-2028, të bashkërendua me KFOR dhe aleatët, ka nevojë të përshpejtohet. Po ashtu, Kosova sot ka nevojë të sillet dhe të kontribuojë si një vend anëtar i NATO-s, duke planifikuar rritjen e buxhetit të mbrojtjes deri në 5% në 10 vitet e ardhshme, zhvillimi i stërvitjeve më intensive me NATO-n dhe dërgimi i trupave të saj në operacionet e NATO-s.

Qeveria e Kosovës dhe Kryeministri Kurti duhet të jenë më të kujdesshëm në komunikimet me partnerët strategjik, institucionet me autoritet vendimmarrës në Kosovë, por sidomos me KFOR-in. Pas Banjskës ky komunikim ka patur përmirësim të ndjeshëm, por Z. Kurti duhet të shfaqet si një partner me një komunikim më elegant dhe të besueshëm. Përmirësimi i nivelit të sigurisë në veri të Kosovës dhe rritja e ndikimit të autoritetit të Shtetit të Kosovës kanë qënë të dukshme. Kjo ka mundësuar edhe minimizimin e ndërhyrjeve destabilizuese të Serbisë në Kosovë. Gjithsesi, pavarësisht përmirësimeve, siguria në Kosovë mbetet e brishtë për aq kohë sa kërcënimi nga Serbia është konsistent.

“Bota sot”: Cili është rreziku i një konflikti të ri të armatosur në Ballkan në të ardhmen e afërt?

Artur Meçollari: Rreziku i një konflikti në Ballkan do të vij vetëm nga Serbia, ashtu siç ka ndodhur në 100 vitet e fundit. Për këtë arsye Serbia ka vite që armatoset. Por, ajo pret momentin më të volitshëm që natyrisht lidhet me fatin e luftës në Ukrainë dhe balancën e ardhme të fuqisë në Europë, midis SHBA, NATO-s, BE-së dhe Rusisë. Skenari më i mundshëm dhe ndoshta më i shpejtë mund të jetë Bosnja dhe Hercegovina. Ky skenar, për shkak të statusit juridik të Bosnjës dhe Hercegovinës, mund të jetë me shumë gjasa një konflikt i brendshëm dhe i izoluar. Kjo pasi Serbia ka kufizime në projektimin e fuqisë së saj ushtarake ndaj një shteti sovran, por jo të kufizuara në mbështetje dhe influencë hibride.

Skenari më i rrezikshëm, por më pak i mundshëm është Kosova. Kjo do te varet nga disa faktorë, siç janë, fati i luftës në Ukrainë dhe Rusia e së nesërmes, e ardhmja e NATO-s pas Ukrainës dhe fati i KFOR-it, pozicioni dhe fuqia e SHBA, fuqia ushtarake e Kosovës dhe Shqipërisë, etj. Lufta në Ukrainë, nëse Rusia del fitimtare, do të përcaktoi një rend të ri botëror multipolarë dhe ndoshta një NATO jofunksionale ose izolacioniste. Në këto rrethana, Serbia do të tentojë të ç’bëj në Këshillin e Sigurimit Rezolutën 1244 ose ta ç bëj këtë si fakt të kryer në terren, duke rikthyer ushtrinë dhe autoritetin e saj, të larguar pas firmosjes së detyruar në Marrëveshjen e Kumanovës.

Kthimi i ushtrisë Serbe në Kosovë nuk mund të ndodh pa luftë, dhe ky skenar do të përfshijë domosdoshmërish edhe Shqipërinë, por ndoshta edhe shtete të tjera aleate të Kosovës. Kosova dhe Shqipëria duhet qysh sot të përgatiten për skenarin më të keq të mundshëm, një konflikt me Serbinë. Kosova është duke rritur kapacitetet, por ka nevojë të rrisi ende buxhetin e mbrojtjes. Kurse Shqipëria duhet të rrisi ndjeshëm kapacitetet, me synimin që të projektojë fuqinë e saj mbrojtës në Kosovë. Rritja e kapaciteteve ushtarake është edhe një masë parandaluese dhe shkurajuese e një konflikti të mundshëm, pasi ajo do ta detyrojë Serbinë të mendohet mirë përpara se të kryej veprime kundër Kosovës. Pavarësisht faktit që Ukrania nuk e njeh Kosovën, për arsye që tashmë dihen, Shqipëria dhe Kosova duhet të mbështesin me të gjitha kapacitetet e tyre diplomatike, ekonomike, financiare, morale dhe ushtarake Ukrainën. Fati i luftës në Ukrainë do të përcaktojë fatin e Kosovës dhe shqiptarëve në Ballkan.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *