POLITIKATË FUNDIT

Forcat e Armatosura drejt ndryshimeve në ligjin e disiplinës, dënime të rënda për ushtarakët që kryejnë shkelje jashtë vendit

Ministria e Mbrojtjes po përgatit një projektligj që synon të përmirësojë ligjin aktual për disiplinën në Forcat e Armatosura, duke adresuar mangësitë e vërejtura gjatë zbatimit të tij. Njoftimi vjen nga një relacion i detajuar, i cili thekson nevojën për rritjen e disiplinës dhe përshtatjen e ligjit me strukturat e reja të ushtrisë dhe me Kodin e Procedurës Administrative.

Një nga pikat kryesore të projektligjit është ashpërsimi i masave ndëshkimore për ushtarakët që shkelin rregullat jashtë vendit. Ky ndryshim thekson se çdo shkelje disiplinore, edhe ajo e lehtë, e kryer gjatë një misioni ose angazhimi ndërkombëtar, do të trajtohet si një shkelje më e rëndë.

“Shkelja e rëndë disiplinore, e kryer gjatë arsimimit, në mision, shërbim, stërvitje të përbashkët, mision diplomatik ose në aktivitete që zhvillohen në bazë të marrëveshjeve ndërkombëtare dy ose shumëpalëshe, konsiderohet shkelje shumë e rëndë disiplinore dhe masa e dhënë për këtë shkelje do të jetë në përputhje me masat për shkeljet shumë të rënda,” thuhet në projektligj.

Në kuadër të këtij projektligji për përmirësimin e rregullave të disiplinës në Forcat e Armatosura, neni 7 rishikohet për të përcaktuar me qartësi autoritetet përgjegjëse për dhënien e masave disiplinore.

Këto ndryshime vijnë si rezultat i ristrukturimit të Forcave të Armatosura dhe synojnë të harmonizojnë ligjin me hierarkinë e re komanduese, shkruan Televizioni publik shqiptar.

Pikat kryesore të ndryshimeve

Presidenti i Republikës vazhdon të jetë autoriteti përgjegjës për masat më të rënda, si shkarkimi dhe lirimi nga Forcat e Armatosura, për oficerët me grada madhore. Ndërsa Ministri i Mbrojtjes do të ketë kompetencën për dhënien e masave shumë të rënda disiplinore për oficerët e tjerë, bazuar në propozimin e Komisionit të Lartë Disiplinor.

Ndërsa Shefi i Shtabit të Përgjithshëm, si figura më e lartë në hierarkinë e ushtrisë, do të marrë kompetenca të reja. Ai do të ketë të drejtën të japë masa të rënda disiplinore për oficerët me grada madhore, si dhe masa të lehta dhe të rënda për ushtarakët që shërbejnë në Ministrinë e Mbrojtjes, Shtabin e Përgjithshëm, apo edhe në misione e shtabe ndërkombëtare si në NATO.

“Ligji i ri zgjeron spektrin e komandantëve që mund të japin masa disiplinore, duke i përfshirë ata në nivel brigade, regjimenti, distrikti, batalioni, dhe njësish të tjera. Kjo siguron që disiplina të zbatohet në mënyrë më gjithëpërfshirëse dhe sipas hierarkisë komanduese të re. Komandantët në nivel kompanie apo toge do të vazhdojnë të kenë përgjegjësi për masat ndaj ushtarakëve në varësi të tyre.”, thuhet në relacionin që shoqëron projektligjin.

Këto ndryshime kanë për qëllim qartësimin e rolit të secilit autoritet, duke eliminuar konfuzionet dhe duke e bërë procesin disiplinor më efikas dhe në përputhje me strukturën e re organizative të Forcave të Armatosura. Projektligji, i cili po shqyrtohet nga Këshilli i Ministrave, pritet të forcojë rendin dhe etikën ushtarake në të gjitha nivelet.

Sipas relacionit, ligji do të përfshijë rregulla edhe për dhënien e intervistave të paautorizuara në media, një problematikë që është vënë re kohët e fundit.

“Shtohet mundësia e rehabilitimit për ushtarakët që kanë marrë një masë shumë të rëndë disiplinore, nëse ata nuk kryejnë shkelje të tjera për një periudhë 2-vjeçare. Janë përcaktuar gjithashtu afate të reja dhe mënyra të përshtatshme për ankimimin e masave. Ndërsa te pushimi i procedimit disiplinor përfshihet një nen i ri dhe i detajuar që rregullon rastet kur një procedim disiplinor mund të pushohet, duke plotësuar një boshllëk të rëndësishëm në ligjin aktual.”, thuhet në relacion.

Ndryshimet, të hartuara nga Ministria e Mbrojtjes dhe Shtabi i Përgjithshëm, kanë marrë pëlqimin në parim të Ministrisë së Financave, pasi nuk pritet të kenë efekte financiare shtesë në buxhet. Gjithashtu, janë pasqyruar komentet dhe sugjerimet e Ministrisë së Drejtësisë për të siguruar harmonizimin e plotë me kuadrin ligjor.

Këto masa synojnë të forcojnë rendin dhe disiplinën ushtarake, duke i dhënë Forcave të Armatosura një ligj më të plotë dhe efikas.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *