OPINIONTË FUNDIT

Konstituimi i Parlamentit dhe investimet amerikane në Kosovë!

Deri më 8 gusht deputetët do të bëjnë pushime. Pushimet i ka urdhëruar Gjykaka Kushtetuese. Por a do të pushojë përpjekja e liderëve politikë për kompromise?! Them se jo! Megjithatë zor se mund të arrihet ndonjë marrëveshje e qëndrueshme. Ndoshta Fatmir Limaj mund të tërhiqet nga kërkesa për postin e kreut të parlamentit dhe të pranojë kushtet e zotit Kurti. Dhe në fakt ai nuk ka asnjë shans tjetër për të mbijetuar. Ndryshe duhet ta harrojë rizgjedhjen sërishmi për ta përfaqësuar sovranin në Kuvendin e Kosovës. Por kjo zgjidhje përveçse është e përkohshme, ka edhe disa pasoja të tjera për qeverisjen. Një qeverisje me 1 deputet më shumë nuk është qeverisje, aq më tepër që një nga deputetët e zv. Kryeministrat është etalon i korrupsionit në Kosovë.

Megjithatë ka një dobi krijimi i institucioneve. Kosovës i duhet me urgjence një paketë ligjore për investimet amerikane. Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë shfaqur interes të jashtëzakonshëm për këto investime. Ato synojnë ekonominë, kryesisht energjinë, si edhe sigurinë. Janë këto dy funksionet kryesore të çdo shteti në botë, që krijojnë begatinë e kombeve. Nëse Uashingtoni ofron investime në këto dy fusha, Kosova ka shansin e madh që të përmbyllë të gjitha plagët që i janë krijuar prej 26 vitesh pas çlirimit nga ana e Serbisë. Investimet amerikane në energji dhe në mbrojtjen e vendit janë gjëja më e domosdoshme që të arrihet deri te pranimi i Kosovës në NATO dhe kjo automatikisht çon edhe në pranimin në BE të saj.

Thjesht dhe për këtë arsye deputetët dhe liderët e partive politike do të duhej t’i kishin dhënë vendit me kohë institucionet e reja që burojnë nga zgjedhjet e 9 shkurtit të shkuar. Por kush ta mendojë këtë? Ata liderë që besojnë se Kosovën e kanë çiflig dhe jo atdhe të përbashkët të qytetarëve të saj?! Ata që në 24 orë më shumë mendojnë për plaçkitjen e saj, sesa për begatinë?! Ata që zihen me njëri-tjetrin për çështje lavdie personale e prestigji dhe jo për progresin e Kosovës?! Nga të tillë liderë nuk duhet pritur të llogarisin në interesin e Kosovës.

Kur Donald Trump shkroi letrën e urimit të 17 shkurtit për presidenten e Republikës, Vjosa Osmani, e bënte krejt të qartë se interesi amerikan ishte të bënte biznes me Kosovën. Ai nuk përmendi në atë letër as dialogun me Serbinë, as marrëdhëniet me Beogradin. Thoshte troç dhe pa mëdyshje se interesi i tij ishte të bërit biznes me Kosovën. Dhe çfarë bënë deputetët që u zgjodhën një javë para se të vinte letra e Trump? Bllokuan krijimin e institucioneve, në vend që të ndiznin dritën jeshile për investimet, tregtinë dhe biznesin me firmat dhe kompanitë amerikane. Kjo ishte zgjedhja më e keqe që u bë. Nuk ka rëndësi, me ose pa vetëdije.

E vetmja arsye që legjitimon çdolloj marrëveshje për bashkëqeverisje është kësisoj nevoja urgjente dhe ulëritëse për të miratuar një paketë ligjore favorizuese për investimet amerikane në Kosovë. Sa më shpejt, aq më mirë! Kush beson në të ardhmen e Kosovës, duhet të besojë në bashkëpunimin ekonomik, tregtar e në investime me SHBA-të! Kush e do shtetin dhe ardhmërinë e sigurt të Kosovës, duhet të punojë me të gjitha energjitë në këtë drejtim. Trekëndëshi investime – bashkëpunim për sigurinë dhe baza amerikane në Kosovë është zgjidhja më e mirë për shtetin, shtetësinë dhe qëndrueshmërinë e Republikës së Kosovës. Sidomos sot kur politika amerikane është më imponuese se kurrë për zhvillimet në botë!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *