Kisha Serbe paralajmëron ‘hakmarrje’ ligjore për meshën në Studenicë
Megjithëse në Studenicë të Istogut ndodhen vetëm rrënojat e një bazilike të ndërtuar qysh në kohë të Justinianit, Kisha Ortodokse Serbe ka ngulmuar që ajo të mos preket, madje, sipas saj, për çdo gjë duhet të kërkohet leje në Beograd.
Eparkia Rashkë-Prizren e ka konsideruar veprim të paautorizuar dhe ‘nxitës të urrejtjes’ mbajtjen e një meshe katolike nga famullitari, Dom Fran Kolaj. Ky i fundit, gjatë meshimit të enjten e kaluar, tha se Serbia e Turqia po bëjnë përpjekje për ta mohuar identitetin kombëtar shqiptar.
28 korrik 2025 – Cilido religjion që e prek identitetin kombëtar shqiptar apo e mohon të drejtën historike, ai është i papranueshëm për popullin shqiptar.
Ky deklarim i bërë të enjten nga famullitari i Gllogjanit, Dom Fran Kolaj është bërë sebep që Kisha Ortodokse Serbe të alarmohet e të akuzojë për “gjuhë që nxit urrejtje ndëretnike e ndërfetare”.
Nëpërmjet një reagimi të afishuar të hënën, Eparkia Rashkë-Prizren ka kundërshtuar mbajtjen e një meshe katolike në fshatin Studenicë afër Istogut.
Sipas Kishës Pravosllave, fjalimi i priftit katolik Fran Kolaj ishte “me mesazhe të hapura nacionaliste, duke përdorur gjuhë inflamatore që nxit urrejtje ndëretnike e ndërfetare”.
“Duhet kërkuar leje në Beograd”
Në reagim është përkujtuar se vendi ku u mbajt ceremonia është i përfshirë në Ligjin për Zonat e Veçanta të Mbrojtura me një diametër prej 100 metrash përreth mbijetojave të Kishës së Marisë së Hvostanit.
“Brenda kësaj zone, asnjë veprim, përfshirë tubimet publike, nuk mund të mbahet pa pëlqimin paraprak të Kishës Ortodokse Serbe dhe Këshillit për Zbatim dhe Mbikëqyrje”, thueht në reagim.
Tutje, Eparkia Rashkë-Prizren ka paralajmëruar se do t’i përdorë “të gjitha opsionet e mundshme ligjore” për të nismuar hetime ndaj atyre që kanë kryer vepër penale e cenim të Ligjit për Zonat e Veçanta nën Mbrojtje.
Mesha e së enjtës: I papranueshëm çdo religjion që e mohon identitetin shqiptar
Të enjtën, në rrënojat e kishës së Studenicës u mbajt një meshë e kryesuar prej Dom Fran Kolajt.
Në praninë e një numri besimtarësh katolikë, ai kritikoi përpjekjet për ta mënjanuar identitetin kombëtar shqiptar.
“Çdo religjion që e prek identitetin tonë kombëtar, çdo religjion që e mohon të drejtën tonë historike, të vërtetën historike, monumentet tona historike, ai religjion, sigurisht i mbështjellur me politika të caktuara, është i papranueshëm për popullin tonë shqiptar”, kishte thënë Kolaj.
Sipas famullitarit të kishës në Gllogjan, trashëgimia e krishterë është përvetësuar nga Kisha Ortodokse Serbe gjatë kohës së Perandorisë Osmane, aty ku ajo gëzonte mbështetje.
“Shumë objekte tona kulturore e fetare që i përkisnin Kishës Katolike, dy fuqitë për ne të errëta, Mbretëria otomane dhe Mbretëria serbe, së bashku na e morën historinë në duart e veta. Serbia kishte ndikim politik të fuqishëm në Perandorinë Otomane”.
Kolaj kishte shtuar se përpjekje të tilla bëhen edhe sot në bashkëpunim me Turqinë e Erdoganit.
“Ato kanë vetëm një qëllim: që populli shqiptar të mos quhet shqiptar, të quhet si të dojë, katolik, musliman, ateist, por jo shqiptar”, ka theksuar ai.
“Lufta e UÇK-së – përgjigjja më e mirë”
Sipas tij, populli shqiptar ishte përgjigjur ndaj këtyre përpjekjeve me luftën e UÇK-së.
“Edhe pse nuk ishim të përgatitur, ne e kishim dashurinë dhe të vërtetën historike të monumenteve dhe kulturës shqiptare, iu përgjigjëm dhe e fituam luftën që për shumëkë ishte e pamundur. Në fund të fundit, më 10 qershor 1999 forcat serbe ikën drejt Beogradit, kurse UÇK-ja me të gjitha segmentet tjera të shoqërisë marshuan në Prishtinë me duartrokitje e buzëqeshje për çlirimtarët tanë”, kishte thënë Kolaj.
“Mos të kemi frikë të ngrisim zërin për identitetin tonë dhe të mos lejojmë që identiteti ynë të quhet ndryshe e jo shqiptar. Ishim dje shqiptarë, sot shqiptarë e nesër shqiptarë të shpërndarë në shumë shtete e nesër të bashkuar në një shtet”.
Një histori që filloi me perandorin dardan, Justiniani
E gjendur në rrëzë të Mokrës, rreth 20 kilometra në veri të Pejës, Kisha në Studenicë ka një histori gati 14 shekullore.
Kisha më e hershme e atyshme është ajo e messhekullit të 6-të, e ndërtuar në kohë të perandorit me prejardhje dardane, Justinian.
Bazilika me tri nefe (korridore) ishte e ndërtuar me stil bizantin.
Me sa duket mbi themelet e saj, në dekadën e tretë të shekullit të 13-të, u rindërtua një kishë kushtuar Ngjitjes së Virgjëreshës Mari.
Ky rindërtim ishte krejt i ndryshëm nga ai origjinali bizantin meqë ngrehina tani kishte vetëm një nafë me kupolë dhe një absidë altari, gjysmëqarkore brenda e drejtkëndore jashtë.
Sidoqoftë, këto anë të Pejës bashkë me kishat lokale ishin të përfshira në Kryepeshkopatën e Ohrit së paku në kohën e perandorit bizantin, Basili II.
Në krisobullat e themelimit të kësaj Kryepeshkopate, atyre më 1019 dhe 1025, thuhet se krahina e ‘Hvosno’-s i përkiste peshkopatës së Prizrenit dhe kjo e fundit Ohrit (“Καὶ τὸν ἐπίσκοπον Πριξδριάνων εἰς αὐτὰ τὰ Πριξδρίανα καὶ τὸν Χοσνὸν καὶ τὸν Λεασκουμτξὸν καὶ τὸν Βραίτον κληρικοὺς ιε καὶ παροίκους ιε”).
Burimet e vjetra serbe, siç është jetëshkrimi për Stefan Nemanjën i shkruar nga Shën Sava, flasin se sundimtari serb kishte pushtuar në “tokën greke” edhe Hvosnon bashkë me Podrimjen, Kostërcin, Drashkovinën, Sitnicën dhe Llapin.
Kur përfundoi pushtimi serb i Kosovës, Stefani i Parëkurorëzuar, siç del nga një krisobullë e vitit 1220, ia dhuroi Hvosnon manastirit të Zhiçës.
Kur më 1219 serbët e krijuan Kryepeshkopatën e tyre autoqefale, Rastko Nemanjiq, që u njoh më vonë si Shën Sava, emëroi peshkopatat vartëse dhe ajo në Hvosno ishte e gjashta nga dymbëdhjetë sosh. /Nacionale/