POLITIKATË FUNDIT

Zhytësit e FSK në Ujman, KFOR konfirmon se u dha leje – ja detajet

KFOR përmes një komunikate për media ka konfirmuar se Komandanti i KFOR-it, Enrico Barduani, ka dhënë autorizim sot për Forcën e Sigurisë së Kosovës që të zbarkojë në Veri të vendit për kërkim në Ujman ekipin për shpëtim-kërkim.

KFOR në njoftim ka shtuar se kërkimi në liqenin e Ujmanit për trupin e 33 vjeçarit do të bëhet derisa trupat e KFOR-it do të ofrojnë siguri gjatë gjithë operacionit.

KFOR në njoftim shkruan se ky autorizim për FSK-në, i bazuar në arsye humanitare, është dhënë në përputhje të plotë me “prerogativat dhe autoritetet e Komandantit të KFOR-it, për të maksimizuar përpjekjet e vazhdueshme për të lokalizuar dhe shpëtuar një 33-vjeçar që dyshohet se është mbytur në liqen disa ditë më parë. Ai është i kushtëzuar nga kërkesat dhe paralajmërimet specifike të përcaktuara nga KFOR-i, të cilat gjithashtu do të ofrojnë siguri gjatë gjithë operacionit”.

Misioni i KFOR ka sqaruar se përdorimi i ekipeve të kërkim-shpëtimit bie nën mandatin fillestar të FSK-së për kujdes ndaj komuniteteve lokale në rast të fatkeqësive.

“Përdorimi i ekipeve të kërkim-shpëtimit të FSK-së bie nën mandatin fillestar të FSK-së, i cili përfshin mbështetjen për komunitetet lokale, në përgjigje të fatkeqësive natyrore, përmes operacioneve të kërkim-shpëtimit”, përfundon njoftimi i KFOR-it.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *