TË FUNDIT

Apple Pay tani e disponueshme edhe në Kosovë

Banka Qendrore e Republikës së Kosovës (BQK) njofton me kënaqësi se shërbimi i njohur ndërkombëtar i pagesave Apple Pay është bërë zyrtarisht i disponueshëm edhe në Kosovë.

Falë kësaj risie, bankat dhe institucionet financiare në vend mund të lidhin kartelat e tyre me platformën Apple Pay, duke ju mundësuar qytetarëve dhe bizneseve në Kosovë që të kryejnë pagesa të shpejta, të sigurta dhe pa kontakt, përmes pajisjeve të tyre Apple (iPhone, Apple Watch, ose tjetër).

Funksionalizimi i plotë i këtij shërbimi për të gjitha bankat dhe institucionet financiare merr kohën e nevojshme mbi bazën e marrëveshjeve të tyre individuale dhe integrimet e nevojshme teknike.

Ky është një tjetër hap i rëndësishëm drejt modernizimit të sistemit të pagesave, rritjes së përfshirjes financiare dhe përshpejtimit të digjitalizimit në Kosovë. Pas integrimit të Google Pay, Apple Pay përfaqëson një plotësim të domosdoshëm të qasjes sonë drejt ndërkombëtarizimit të shërbimeve financiare dhe përmbushjes së standardeve evropiane për pagesa digjitale.

Në vazhdën e angazhimeve, si dhe takimit të fundit të mbajtur në muajin Maj 2025 me përfaqësues të lartë të kompanisë Apple, BQK theksoi përkushtimin e saj për të siguruar kushte të favorshme për adoptimin e shërbimeve më moderne financiare në Kosovë, në kuadër të aktiviteteve të Planit Strategjik të BQK-së 2024–2028.

Ky sukses është rezultat i një bashkëpunimi të ngushtë mes BQK-së, sektorit bankar dhe partnerëve ndërkombëtarë, me theks Ambasadën e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *