Nuk ka më kohë për heshtje”– Apeli i fortë i Naser Rugovës për LDK-në pas bllokadës në Kuvend
Ish-deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Naser Rugova, ka reaguar ashpër pas dështimit të 54-të radhazi për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar këtë situatë si një “dështim të turpshëm institucional” dhe një shkelje të rëndë të vullnetit të qytetarëve.
Në një deklaratë publike, Rugova thotë se qytetarët kanë arsye të ndihen të zhgënjyer dhe se kriza politike tashmë është kthyer në një normalitet të rrezikshëm.
“Kjo legjislaturë e ka humbur çdo kredibilitet elektoral. Ka dështuar ta përmbushë funksionin më të thjeshtë – përfaqësimin demokratik,” shkruan ai.
Rugova e quan të papranueshme bllokadën e vazhdueshme dhe kërkon zgjedhje të reja si rrugëdalje të vetme për të rikthyer legjitimitetin institucional.
Postimi i plotë:
Përpjekja e 54-të për konstituimin e Kuvendit – një dështim i turpshëm institucional!
Sot, qytetarët e Kosovës me plot të drejtë ndihen të zhgënjyer. Për herë të 54-të, Kuvendi i Kosovës nuk arrin të konstituohet në përputhje me Kushtetutën. Kjo nuk është më vetëm një çështje procedure – kjo është shkelje e rëndë e vullnetit të qytetarëve dhe abuzim me besimin që ju është dhënë nëpërmjet votës.
Si qytetar dhe si pjesë e një subjekti politik me përgjegjësi të gjatë në shtetformim, e ndjej detyrë morale dhe institucionale të them qartë:
➡️ Kjo legjislaturë e ka humbur çdo kredibilitet elektoral.
➡️ Ka dështuar ta përmbushë funksionin e saj më të thjeshtë – përfaqësimin demokratik.
➡️ Ka kthyer krizën politike në normalitet – dhe kjo është e papranueshme.
Rrugëdalja e vetme janë zgjedhjet e reja.
Vetëm përmes një procesi të ri zgjedhor, mund të rikthejmë legjitimitetin dhe të rifitojmë besimin e qytetarëve në institucione.