Eliminimi i Ramiz Lladrovcit, Kasolli: Kjo e konfirmon Sami Lushtakun si…
Analisti dhe njohësi i zhvillimeve politike në vend, Afrim Kasolli, ka komentuar zhvillimet e fundit në PDK, ku kryetari i Drenasit, Ramiz Lladrovci, nuk u kandidua edhe njëherë për kryetar të kësaj komune, dhe ku kryesia e PDK-së vendosi që Petrit Hajdari të jetë kandidat i PDK-së.
“Nuk i di prapaskenat që kanë çuar në eliminimin e Ramiz Lladrovcit nga gara për kryetar të Komunës së Drenasit nën emrin e PDK-së. Madje deri vonë, ky subjekt politik krenohej me nderimet ndaj tij si një shembull i kryetarit të komunës, i vlerësuar nga shumë instanca vendore dhe ndërkombëtare. Po ashtu, nuk kam dëgjuar pakënaqësi publike të kësaj partie me punën e tij të deritanishme si kryetar i asaj komune”, ka shkruar Kasolli.
Sipas tij, krejt kjo ka ndodhur pas përplasjes së Ramiz Lladrovcit me Sami Lushtakun, ku ky i fundit mund të jetë shkaktar i eliminimit nga gara për kryetar të Drenasit.
“Krejt çka është thënë deri më tash në opinion janë disa tensione që paskan ekzistuar ndërmjet kryetarit të degës së Skenderajt të PDK-së, Sami Lushtaku, dhe Ramiz Lladrovcit për do ara e toka, se si ky i fundit e paska ndalur të parin të punojë në kundërshtim me normat ligjore komunale. Mbetet të verifikohet nëse është e vërtetë arsyeja e zemërimit të kryesisë qendrore të PDK-së me Ramiz Lladrovcin për këto shkaqe. Nëse po, atëherë ky epilog e konfirmon kryetarin e degës së Skenderajt si bajraktarin e kësaj partie në Drenicë dhe po ashtu me autoritet suprem edhe në kryesinë qendrore. Shto faktin se i njëjti po i rikthehet edhe garës për kryetar të Komunës së Skenderajt, si dhe e ka të birin e tij deputet në Kuvendin e Kosovës”, shpjegon Kasolli.
“Nëse, hipotetikisht kjo është e vërteta (sepse nuk duhet përjashtuar mundësia që ajo për këtë kontekst të jetë krejt tjetër, e që do të kuptohet gjatë ditëve në vijim), atëherë zhvillimi i sotëm shënon edhe një regres tjetër politik në këtë parti drejt familjarizmit e frymës semi-feudale politike”, ka shkruar analisti Afrim Kasolli