RMV: LLOJANI – FSHATI NË KUFIRIN E HUAJ ME SHUMË PROBLEME
Shtegtime nëpër Atdhe (CCCXCVIII)
Nga Berat Luzha
Llojani është një fshat i komunës së Likovës, afër Kumanovës. Shtrihet në rrëzë të maleve të Karadakut dhe në Fushën e Kumanovës, në zonën kufitare Maqedoni e Veriut – Serbi. Ndodhet 12 km në veri të Kumanovës dhe 9 km në jug të Preshevës. Përmendet për herë të parë në dokumenta arkivore të vitit të largët 1332.
Sipas regjistrimit të popullsisë të vitit 2002, Llojani kishte 2668 banorë, të gjithë të përkatësisë etnike shqiptare. Banorët e Llojanit merren me bujqësi e blegtori, ndërsa viteve të fundit shumë të rinj ia kanë mësyrë Perëndimit. Llojani ngadalë po zbrazet nga banorët e tij.
I vendosur në rrëzë të malit, Llojani është fshat malor – kodrinor dhe fushor, që kufizohet me vijën kufitare me Serbinë, me Tabanocin e Kumanovës dhe Vaksincën e Shtrazën e Likovës. Nga ana gjeografike paraqitet si një pikë lidhëse mes fshatrave të Malësisë së Karadakut dhe fshatrave të Fushës së Kumanovës. Përmes fshatit rrjedh lumi, që ndanë Llojanin në dy pjesë pothuaj të barabarta.
Në Llojan dikur ka ekzistuar një minierë, ku janë nxjerrë disa minerale. Miniera e Llojanit është hapur në vitin 1923 dhe ka punuar deri në vitin 1979, ku është nxjerrë herë kromi, herë antimoni dhe, në fund, edhe arseni. Miniera është mbyllur, por ka mbetur e hapur deponia e mineralit të arsenit që mbulon 10 hektarë tokë dhe ka rreth 1 milion tonelata arsen. Arseniku është ndër mineralet më kancerogjene, të cilit i nënshtrohen banorët e Llojanit. Banorët e Llojanit kanë kërkuar vazhdimisht heqjen e deponisë dhe furnizim me ujë cilësor të pijes. Vetëm vitin e kaluar Ministria e Ekonomisë e RMV ka filluar një procedurë për dhënien me koncesion të deponisë, por nuk dihet deri ku ka arritur puna.
Është vlerësuar se Llojani është pika më e rrezikshme mjedisore në Republikën e Maqedonisë Veriore. Zona e ish-minierës së arsenit “Llojani” është ndër zonat më të kontaminuara në Republikë. Deponia, me mbetjet tjera të kësaj miniere, përbën problem serioz për mjedisin dhe shëndetin e banorëve. Deponinë e minierës së arsenit banorët e Llojanit e konsiderojnë si një bombë mjedisore. Pluhuri i arsenit ngrihet në ajër, thithet nga njerëzit e bagëtia, ndoten edhe pemët, perimet, drithërat dhe kontaminohet toka e bukës. Për shkak të arsenit banorët e Llojanit nuk i përdorin puset e ujit në oborret e shtëpive të tyre e disa ujin e kanë sjellë nga burimet në bjeshkë. Analizat kanë treguar se uji i puseve përmban sasi të konsiderueshme të mineralit të arsenit dhe të mineraleve tjera. Vetëm rreth 100 metra larg deponisë ndodhet shkolla fillore “Rilindja” e Llojanit. Për shkak të kësaj deponie në fshat ka shumë raste të sëmundjeve me kancer.
Pos problemeve me deponinë dhe furnizimin me ujë të pijes, llojanasit e kanë edhe një problem; mbylljen dhe mos hapjen e vendkalimit kufitar në rrugën Llojan – Miratocë. Rruga nga Llojani deri në Miratocë ka rreth 3 km, por qytetarët e këtyre dy fshatrave kufitare duhet të udhëtojnë rreth 30 km përmes vendkalimit në Tabanoc për të arritur në fshatin përtej kufirit. Kufiri Maqedoni – Serbi, i vendosur në vitin 1991, ishte i hapur për këmbësorë deri në vitin 1993, kur u mbyll e nuk u hap më. Qytetarët e dy fshatrave kufitare, Llojanit dhe Miratocës kanë kërkuar dhe kanë protestuar vazhdimisht që pikëkalimi të hapet përsëri. Të kujtojmë se në vitin 2019 është nënshkruar marrëveshja për hapjen e pikëkalimit kufitar Llojan – Miratocë, ndërsa kuvendet e dy shteteve e kanë ratifikuar. Madje, nga ministrat e brendshëm të dy shteteve është nënshkruar edhe një protokol për mënyrën e kryerjes së kontrollit kufitar.
Duke qenë fshat kufitar të një kufiri të huaj e të vendosur dhunshëm, Llojani është bërë edhe një pikë ilegale e transitit për emigrantët e ardhur nga Siria e nga shumë vende aziatike e afrikane në rrugëtim drejt Evropës Perëndimore. Për veprimtarinë ilegale të trafikimit të emigrantëve vetëm nga fshati Llojan janë gjendur prapa grilave dhjetra qytetarë. Në kufirin përgjat fshatrave Miratocë e Llojan R. e Serbisë ka vendosur gardh me tel të lartë, me qëllim të pengimit dhe të parandalimit të emigrantëve nga Maqedonia në Serbi.
Llojani është fshati më verior shqiptar në R. e Maqedonisë Veriore dhe Miratoca është fshati më jugor shqiptar në R. e Serbisë. Lidhjet e këtyre fshatrave janë të shumanëshme, por republikat e tyre njerkë i kanë ndarë me kufi të pakalueshëm.