Bytyçi me deklaratë të fortë: Më mirë të shkojmë në zgjedhje se të na qeverisin Duda Balje e Fatmir Limaj!
Deputetët e Kuvendit të Kosovës dështuan sërish sot në tentimin e 53-të për konstituimin e Kuvendit, përpara se të mbyllet afati 30-ditor i vendosur nga Gjykata Kushtetuese.
Kryesuesi i seancës, Avni Dehari, tha se seanca do të vazhdojë sërish sot në orën 22:00, për një tentativë të fundit, të 54-t.
Në vendimin e saj më 26 qershor, Kushtetuesja urdhëroi që brenda afatit prej 30 ditësh të përfundojë procesi i konstituimit, përfshirë zgjedhjen e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendi. Ky afat përfundon sot në mesnatë.
E për këtë temë, për “Bota sot” foli profesori Enver Bytyçi.
Fillimisht, ai kishte disa kritika ndaj Limajt dhe deklaratave të tij ndaj Kurtit, derisa tha se ai e di se refuzimi i koalicionit qeverisës me Vetëvendosjen nuk penalizon Albinin, por dëmton Kosovën.
Image
Enver Bytyçi.
“Fatmir Limaj thoshte se “Albin Kurti nuk i krijon institucionet, sepse nuk i ka 61 vota”! Nëse Nard Ndoka do të ishte në debat me Limajn, do t’i thoshte se “Uji ngrohtë është më i nxehtë se uji i ftohtë”. Sepse fabula është e njëjtë. Ajo që thotë Limaj ka ngjashmëri me batutën e Ndokës. Kush nuk e di se duhen 61 vota në parlament për të ndërtuar institucionet? Pra për ta zgjedh kryetarin e parlamentit dhe qeverinë e re të Kosovës?! Limaj me këtë do të thotë se ai është njeriu kyç që krijon ose nuk i krijon këto institucione. I ka ardh radha Fatmir Limajt që me votat e Ramishit të shantazhojë Kosovën me votën e tij. Ai e di se refuzimi i koalicionit qeverisës me Vetëvendosjen nuk penalizon Albinin, por dëmton Kosovën. Gjashtë muaj pas zgjedhjeve sot akoma nuk kemi një parlament funksional, as edhe një qeveri legjitime të mandatuar për qeverisjen e vendit”.
Krahas kësaj, Bytyçi mbeti i befasuar me insistimin e Kurtit për të qeverisur me Limajn, pasi nuk garantohet formimi i institucioneve me një parti prej 3 deputetësh.
Në këtë rast, bëri thirrje tek qytetarët të mos votojnë partitë që kanë bllokuar institucionet, në rast se mbahen zgjedhjet e reja.
“Nuk e di pse Albin Kurti është obsecionuar ta ketë aleat Fatmir Limajn! Eshtë vërtet për t’u habitur. Nuk e di se si dy apo tre deputetë të Nismës socialdemokrate mundet me qenë garant për formimin e institucioneve. Me Baljen apo pa Baljen. Vërtet është një lloj komedie e paarsyetuar. Formimi i institucioneve dhe i qeverisë është një akt themelor në jetën e shtetit. Sidomos të shtetit të Kosovës. Por deputetët nuk kanë asnjë ndjenjë përgjegjësie për këtë. Nëse vendi do të shkojë në zgjedhje, do të shkruaj ditë për ditë e do t’u bëj thirrje votuesve të Kosovës të mos i votojnë asnjë prej kryetarëve të partive politike që sot kanë bllokuar krijimin e institucioneve. As ata, as zevendësit e ndohmësit e tyre kryesorë nuk e meritojnë vendin e nderit të jenë përfaqësues të sovranit”, shpjegoi ai.
Po ashtu, profesori vlerëson se Krasniqi dhe Abdixhiku do penalizohen më së shumti në zgjedhjet e reja, për shkak të refuzimit për votim të kryeparlamentarit.
Në këtë pikë, shtoi se formimi i institucioneve është përgjegjësi e të zgjedhurve të popullit.
“Ata deputetë që sot nuk votojnë krijimin e institucioneve nuk meritojnë as votë, as respekt, as nder, asgjë. Duhen çuar në shtëpi. Për turpin e tyre. Por më së shumti do të doja të penalizoheshin Memli Krasniqi dhe Lumir Abdixhiku, si dhe njerëzit në partitë e tyre, të cilët bëjnë presion për të mos votuar kryetari(e)n e Parlamentit e më pas qeverinë e Kosovës. Si mund të lihet shteti pa parlament, kur atë e ka votuar sovrani, populli?! Si mund t’i privohet Kosovës e drejta për zgjedhjen e qeverisë?! E drejta për administrim dhe drejtim shtetëror?! A mund ta logjikojë këtë akt dikush?
Në fund të fundit akti i moskrijimit të institucioneve është në favor të ekspansionit të Serbisë në Kosovë. Deputetët e Kosovës po bëjnë atë që do ta bënin deputetët e Milosheviçit, tashmë të Vuçiq-it në vendin e tyre. Pse? Thonë se “Nuk e diuam Albulena Haxhiun”! Po Vlorën a do ta votonin? Me siguri që po, edhe pse ka lobuar për ndryshimin e kufijve të Kosovës? Po dikë tjetër në LDK a do ta votonin ata të Lumirit? Me siguri që po, edhe pse ai ose ajo dikush në LDK do të ishte nën nivelin e Albulenës!”, shtjelloi Bytyçi.
Më tej, ai komentoi pjesëmarrjen e amabasadorëve ndërkombëtarë në senacën e djeshme, ku tha se shpresonte që të paktën të konsituohej Kuvendin, por që fatkeqësisht një gjë e tillë nuk ndodhi.
“Dje në Kuvendin e Kosovës ishin të pranishëm gjithashtu ambasadorët e vendeve të QUINT-it, dmth të BE-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës, SHBA-ve dhe Italisë. Thashë se ata do të shkojnë aty për të dëshmuar zgjedhjene kryetares së parlamentit, së paku për të qenë dëshmitare të këtij akti. Por ndodhi ndryshe. Deputetët sërishmi dështuan. Nuk e zgjodhën as dje kreun e Kuvendit. Dmth, ndodhi për të 52-tën herë ajo që ka ndodhur edhe në 51 rastet e mëparshme. Se krerëve të partive parlamentare nuk ua nin për Kosovën. Nuk duan t’ia dinë për vendin e tyre. Thjesht kënaqen me egon që kanë. Ta bëjnë Albinin me dhimbje koke e t’i thonë atij se “Ti nuk ban pa ne”! E vërteta është se Albini nuk bën pa ata. Po as ata nuk bëjnë pa Albinin”.
Në fund, profesori potencoi se nëse mbetet që institucionet të krijohen me votën e Fatmir Limajt e të Dudja Baljes, më mirë të mos formohen.
“Kjo lojë e cicmicit është si loja e maces me miun. Të kapa apo më kape. Po këtë lojë e vuan Kosova. Nejse! Sërishmi pres që në momentin e fundit doçka e mirë do të ndodhë për Kosovën. Pres që Lidhja Demokratike e Kosovës të bëhet pjesë e koalicionit. Nëse ndodh kjo, atëherë kemi të bëjmë me një mrekulli në çastin final të një “tragjedie”! Kush e ndalon tragjedinë, ai fiton pikët maksimale. A do ta bëjë këtë Lumir Abdixhiku? Pres që po. Ende shpresoj në logjikën dhe racionalitetin e tij. Ende them se ai do të çlirohet nga pengmarrja që ia kanë bërë njerëzit e Beogradit në LDK! Ndoshta për këtë kanë luajtur një rol ambasadorët. Ndoshta flasin sonte.
Por nëse mbetet që institucionet të krijohen me votën e Fatmir Limajt e të Dudja Baljes, kurrë mos u formofshin. Nëse këta ia japin Kosovës institucionet e reja, më mirë të shkohet në zgjedhje të reja. Sa më shpejt, aq më mire”, përmbylli Enver Bytyçi për “Bota sot”.