Ndalesat dhe arrestimet nga Serbia nuk duhet të kalojnë në heshtje!
Të hënën është arrestuar edhe një qytetar i Republikës së Kosovës me urdhër të BIA-s serbe.
Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës (MPJD) ka konfirmuar se personi i arrestuar nga autoritetet serbe është Lulzim Halili.
“Sipas informacioneve të pranuara, z. Halili është ndaluar nga autoritetet serbe në afërsi të qytetit Svilajnac, rreth 100 kilometra nga Beogradi, dhe është dërguar menjëherë në mbajtje në Stacionin Policor të këtij qyteti,” thuhet në reagim.
MPJD ka bërë të ditur se nuk ka pranuar asnjë informacion zyrtar nga autoritetet serbe lidhur me arrestimin e shtetasit të Kosovës, Lulzim Halili.
Po ashtu, ministria ka njoftuar misionet diplomatike të vendeve të Kuint-it të akredituara në Serbi, si dhe Delegacionin e Bashkimit Evropian.
“Sot, më 23 korrik 2025, Zyra Ndërlidhëse ka adresuar një kërkesë zyrtare Qeverisë së Serbisë, përmes Zyrës Ndërlidhëse të Serbisë në Kosovë dhe me njoftim paralel për Delegacionin e Bashkimit Evropian në Serbi, për të konfirmuar zyrtarisht arrestimin dhe për të marrë informata shtesë lidhur me rastin. Deri më tani, nuk kemi pranuar përgjigje nga pala serbe.
Gjithashtu, Zyra Ndërlidhëse ka njoftuar për këtë rast misionet diplomatike të vendeve të Kuint-it të akredituara në Serbi si dhe Delegacionin e Bashkimit Evropian,” thuhet në njoftimin e MPJD.
Para këtij arrestimi, më 7 qershor, në pikën kufitare ndërmjet Hungarisë dhe Serbisë, është ndaluar edhe ish-pjesëtari i Njësisë Speciale të Policisë së Kosovës, Arbnor Spahiu.
Lidhur me këto arrestime, ekspertët po kërkojnë një qasje më të ashpër dhe më të koordinuar nga bashkësia ndërkombëtare, me qëllim që të kërkohet lirimi i qytetarëve shqiptarë që mbahen në paraburgim ose vuajnë dënimin në Serbi—veçanërisht në rastet kur ekzistojnë dyshime të bazuara për shkelje të të drejtave të njeriut, procese të padrejta gjyqësore ose motive politike pas ndalimeve.
Halilaj: Nuk mjafton retorika, duhet presion konkret ndaj autoriteteve serbe
Avokati Gazmend Halilaj në një prononcim për “Bota sot”, është shprehur se duhet të ketë reagim më të ashpër ndërkombëtar ndaj shkeljeve të të drejtave të shqiptarëve nga autoritetet serbe.
“Po, është absolutisht e domosdoshme që bashkësia ndërkombëtare të ndërmarrë një qasje shumë më të ashpër, më të koordinuar dhe më të vendosur përballë praktikave të papranueshme të autoriteteve serbe ndaj qytetarëve shqiptarë që mbahen në paraburgim apo që vuajnë dënime, shpesh në rrethana të dyshimta e me elementë të qartë të shkeljeve të të drejtave të njeriut”, ka thënë ai.
ImageAvokati Gazmend HalilajFoto galeri
Halilaj ka deklaruar se rastet kur ekzistojnë dyshime për procese gjyqësore të padrejta, motive politike pas ndalimeve apo mungesë të standardeve të drejtësisë dhe trajtimit njerëzor ndaj shqiptarëve në Serbi, nuk duhet të neglizhohen.
“Rastet kur ka dyshime të arsyeshme për procese të padrejta gjyqësore, motive politike prapa ndalimeve apo mungesë të standardeve të drejtësisë dhe trajtimit njerëzor, nuk mund dhe nuk duhet të kalojnë në heshtje. Nëse e drejta ndërkombëtare dhe institucionet që pretendojnë të garantojnë paqen, drejtësinë dhe të drejtat e njeriut në Ballkan heshtin ose tregohen të buta në raport me këto raste, atëherë ato po bëhen pjesë e problemit.
Nuk mjafton vetëm retorika diplomatike. Nevojitet presion konkret politik, diplomatik dhe ligjor ndaj autoriteteve serbe, si dhe kërkesa të qarta për transparencë, qasje të monitoruesve ndërkombëtarë dhe hetime të pavarura për çdo rast ku ka indicie të shkeljeve”, ka vlerësuar ai.
Halilaj ka thënë se liria dhe siguria e shqiptarëve nuk duhet të jenë viktimë e lojërave politike.
“Liria dhe siguria e qytetarëve shqiptarë nuk mund të mbeten peng i lojërave politike ose i trashëgimisë së një sistemi të kalbur gjyqësor që, në vend se të garantojë drejtësi, e përdor atë si mjet për frikësim dhe ndëshkim politik”, ka theksuar Halilaj.
Kelmendi: Serbia vazhdon luftën speciale kundër shqiptarëve
Ndërkaq, njohësi i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi ka deklaruar se Serbia po zhvillon luftë speciale përmes rekrutimit të spiunëve dhe veprimeve të tjera për dobësimin e Kosovës.
Sipas tij, kapja dhe dënimi i shqiptarëve nga Serbia vazhdon pa ndërprerje, duke shkelur të drejtat ndërkombëtare dhe duke keqtrajtuar qytetarët, ish-pjesëtarët e UÇK-së dhe intelektualët.
“Krahas luftës së hapur po bëhet nga Beogradi edhe luftë speciale. Nga Serbia po rekrutohen spiunë dhe po veprojnë në dobësimin e shtetit të Kosovës. Edhe në mjete të hapura po veprojnë. Kapja dhe dënimi i shqiptarëve nga shteti serb nuk është ndalur kurrë.
Ky shtet, si në ish-Jugosllavi, kur Kosova ishte e pushtuar, në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare, duke shkelur të drejtat e njeriut, ato kombëtare e shoqërore, ka dënuar dhe me mijëra e mijëra shqiptarë kanë vuajtur dënime të rënda në kapedanët gjakpirës të shtetit serb e jugosllav.
E njëjta gjendje po vazhdon. Qytetarët shqiptarë, ish-pjesëtarët e UÇK-së, intelektualë e të tjerë kapen, maltretohen rëndë, dënohen dhe ka edhe raste të mbytjes në burg.
Rasti i të të riut nga Peja që vetëm pse kishte simbolin e shqiponjës së Tetovës u kap dhe pas një viti e mbytën në burg. Edhe tash po veprohet njëjtë.
Qytetarët shqiptarë që po kalojnë nëpër Serbi po dënohen e po plaçkiten. Ata ndalen rrugëve dhe u merren edhe mjete financiare. Shumë të tjerë po ndalen në paraburgim. I mbajnë në burgje dhe po i dënojnë”, ka thënë ai.
ImageMuhamet KelmendiFoto galeri
Po ashtu, Kelmendi ka kritikuar heshtjen e faktorëve ndërkombëtarë, të cilët nuk po reagojnë ndaj situatës në Serbi dhe po vazhdojnë t’i financonin ata.
“Faktori ndërkombëtar po hesht. UE dhe SHBA-të nuk po merren me gjendjen në Serbi. E kanë lejuar dhe po i japin financa të shumta.
Në Serbi po mbahen demonstrata. Ndaj shqiptarëve në Luginën e Preshevës dhe qytetarëve të Sanxhakut veprohet ashpër. Ata po ndiqen nga territoret e tyre stërgjyshnore. U fshihen adresat dhe kështu mohohen edhe si qytetarë. Shkelen të drejtat themelore. UE dhe SHBA nuk reagojnë.
Kjo e ka keqësuar gjendjen shumë. Mirëpo, kjo tregon se kombi ynë duhet vetëm për vete, sikur të ketë miq, duhet të përgatitet për ditët e rënda.
Nuk ka rrugë tjetër. Kudo dhe nga çdo shtet po punohet me forca të shumta në forcimin e mbrojtjes së vendit. Edhe Kosova këtu duhet të investojë. E ardhmja është e paqartë”, ka përfunduar Kelmendi.