OPINIONTË FUNDIT

Sanxhaku dhe Lugina – dy krahina asimetrike në Serbi

Nëse tërhiqet një paralele ndërmjet dy krahinave që gjenden brenda territorit të Serbisë – Sanxhakut dhe Luginës së Preshevës – bëhen të dukshme dallime të mëdha që e paraqesin Novi Pazarin si një qendër më të zhvilluar dhe më të privilegjuar në krahasim me Preshevën dhe rrethinën e saj.

Sanxhaku, historikisht, ka gëzuar më shumë privilegje institucionale dhe politike. Kjo vërehet qartë që nga periudha e kryeministrit Zoran Gjingjiq, i cili certifikoi Universitetin Privat Ndërkombëtar të Novi Pazarit, të themeluar nga Myftiu Muamer Zukorliq. Në kohën e qeverisjes së Vojisllav Koshtunicës, myslimanëve të Sanxhakut iu njoh identiteti boshnjak dhe u dhurua një universitet shtetëror. Madje edhe gjatë regjimit të Sllobodan Millosheviqit, lideri boshnjak Sulejman Ugljanin u amnistua dhe iu lejua kthimi nga Stambolli.

Favorizimi

Për më tepër, figura politike nga Sanxhaku, si Rasim Lajiq, kanë mbajtur poste të rëndësishme në qeverinë serbe, duke përfshirë edhe udhëheqjen e Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë. Aktualisht, Usame Zukorliq, djali i myftiut të ndjerë, është pjesë e qeverisë si ministër pa portofol.

Në anën tjetër, shqiptarët e Luginës së Preshevës, gjatë të njëjtave periudha historike, nuk kanë përfituar thuajse asgjë krahasuar me boshnjakët. Problemet e arsimimit të lartë mbesin të pazgjidhura, nostrifikimi i diplomave nga Kosova është i bllokuar, dhe përfaqësimi në nivel qendror është minimal – me ndonjë deputet të vetëm dhe asnjë ministër, zëvendësministër apo funksionar tjetër të lartë në ekzekutiv.

Këshilli Kombëtar Shqiptar, si organ përfaqësues i shqiptarëve të Luginës, nuk ka arritur të zgjidhë çështje themelore si arsimimi në gjuhën amtare, përdorimi i simboleve kombëtare apo dygjuhësia zyrtare. Ndërkohë, përmes ndikimit të Sanxhakut, është arritur hapja e Medresesë në Preshevë dhe përçarja e Bashkësisë Islame, duke krijuar tensione dhe ndasi midis besimtarëve shqiptarë dhe atyre boshnjakë.

Integrimi

Për më tepër, bojkoti i Sanxhakut ndaj zgjedhjes së një shqiptari në krye të Rijasetit të Bashkësisë Islame të Serbisë, tregon për rivalitetet etnike dhe mungesën e mbështetjes reciproke. Kjo konfirmon se boshnjakët kanë qenë tradicionalisht më të integruar dhe më lojalë ndaj shtetit serb, duke marrë pjesë në zgjedhje, në strukturat e ushtrisë dhe të policisë, madje edhe në nivelet komanduese, ndërsa shqiptarët e Luginës kanë mbetur jashtë këtyre proceseve.

Ndryshe nga Sanxhaku, Lugina e Preshevës ka përjetuar konflikt të armatosur dhe ka mbajtur një referendum politik për vetëvendosje. Megjithatë, nuk ka asnjë dëshmi publike për përfshirjen e ushtarëve boshnjakë në operacionet në Kosovë dhe sjelljen e tyre gjatë luftës.

Sot, shteti serb garanton të drejta kulturore dhe fetare për qytetarët boshnjakë, të cilat shqiptarëve të Luginës u mohohen në shumë forma: diskriminim në arsimim, punësim, çështje të adresave, simboleve, librave shkollorë, nostrifikimit të diplomave dhe mosintegrim të plotë institucional.

Kontrasti

Ironikisht, pavarësisht përfitimeve të shumta nga shteti serb, një pjesë e boshnjakëve të Sanxhakut janë përfshirë në protestat kundër qeverisë së Aleksandër Vuçiqit. Ndërkohë, në Luginë të Preshevës, nuk ka pasur protesta të ngjashme – qoftë për të drejta kombëtare apo kundër sistemit politik.

Në këtë kontekst, përpjekjet për ringjalljen e autonomisë së Sanxhakut dhe paralelizmat që lidhen me të drejtën e shkëputjes, bazuar në rastin e serbëve në Bosnje, kontrastojnë me qasjen ndaj shqiptarëve të Luginës, të cilët mbeten të padukshëm në agjendat politike, qoftë lokale, qoftë ndërkombëtare.

(Nexhmedin Saqipi, është kryetar i Shoqërisë Civile dhe drejtues i Shoqatës së Gazetarëve “Etika” nga Lugina e Preshevës)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *