“PDK dhe LDK do të bëhen bashkë”, çka po zihet në prapaskenë, flasin analistët?
Kuvendi ka mbetur akoma i bllokuar.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agim Bahtiri ka hedhur dyshime për një marrëveshje të mundshme mes Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) për të bashkëpunuar rreth konstituimit të Kuvendit dhe zgjedhjes së kryetarit të tij.
“PDK dhe LDK do të bëhen bashkë, janë duke këqyr me zgjedh cili është kryetari. Veç dy blloqe janë – VV edhe këta, qysh ia ngjesin emrin partisë,” deklaroi Bahtiri për mediat, duke nënkuptuar ndarjen e skenës politike në dy fronte të qarta.
Kjo deklaratë erdhi pak ditë para skadimit të afatit kushtetues për konstituimin e Kuvendit të Kosovës, që përfundon më 26 korrik. Deri më tani, nuk ka ndonjë rezultat, dhe ngërçi institucional po rrezikon të kthehet në krizë kushtetuese.
Sipas Kushtetutës së Kosovës, moskonstituimi i Kuvendit brenda 30 ditëve nga certifikimi i rezultateve të zgjedhjeve nënkupton shkelje të rendit kushtetues dhe humbje të mandateve të deputetëve. Në këtë situatë, presidentja e vendit detyrohet të shpallë zgjedhje të jashtëzakonshme.
Në këtë atmosferë politike të tensionuar, deklaratat si ajo e Bahtirit vetëm sa shtojnë pasigurinë dhe spekulimet për prapaskena dhe marrëveshje mes partive opozitare për ta marrë kontrollin e Kuvendit – qoftë edhe në dëm të një zgjidhjeje të shpejtë kushtetuese.
Aliçkaj: Bashkim pa kuptim
Veprimtari Agim Aliçkaj në një përgjigje për “Bota sot”, thotë se Aludimi i Agim Bahtirit për një bashkëpunim PDK-LDK për kryetar Kuvendi nuk qëndron juridikisht.
Ai thotë se sipas rregullave, vetëm fituesi i zgjedhjeve – në këtë rast VV me listën Guxo dhe Alternativën – ka të drejtë të propozojë kryetarin e Kuvendit. Koalicione paszgjedhore nuk i japin këtë të drejtë opozitës.
“Aludimi i z. Agim Bahtiri për mundësinë e bërjes bashkë të PDK’së dhe LDK-së me qëllim të sfidimit të VV-së është i pakuptueshëm. Nuk e kam të qartë se si e mendon ai një gjë të tillë.
ImageAgim AliçkajFoto galeri
Për aq sa jam i informuar, një koalicion i tillë duhet të formohet para zgjedhjeve, brenda një afati të caktuar ligjor. Për këto zgjedhje në fazën e krijimit të institucioneve, nuk besoj se është e mundur që ata të bashkohen për të dalë fitues të zgjedhjeve, gjë që do t’u mundësonte atyre të propozonin një kandidat për Kryetar të Parlamentit. Pra, ata nuk kanë të drejtë të propozojnë Kryetarin e Kuvendit. Këtë të drejt e ka ekskluzivisht fituesi i zgjedhjeve të 9 shkurtit, VV-ja me listen Guxo dhe Alternativën”, thotë ai.
Tutje, ai shprehet se PDK dhe LDK, ndonëse me programe të ndryshme, po bashkëpunojnë për të bllokuar krijimin e institucioneve me synimin për të larguar Albin Kurtin përmes një “qeverie teknike”.
Aliçkaj këtë e sheh si bashkim joparimor që sfidon rregullat demokratike, pasi pushteti nuk merret me bllokada, por me vota. Edhe në rast zgjedhjesh të jashtëzakonshme, një bashkim i tyre si parti e vetme është pak i mundshëm. Gjykimi i popullit për këtë sjellje, sipas vlerësimeve, mund të jetë ndëshkues.
“Edhe pse me programet tyre partiake nuk përputhen, ata janë bashkuar për të bllokuar krijimin e organeve të kuvendit me dëshirën për të krijuar ndonjë “qeveri teknike” e cila do ta largonte KM në detyrë Albin Kurti nga pushteti. Ky bashkim joparimorë nuk ka kuptim, sepse në demokraci nuk ekziston mundësia e marrjes së pushtetit pa i fituar votat, me bllokada, praktikisht me zor.
Nëse vjen puna te shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme, bashkimi i tyre në një parti të vetme, ndoshta edhe me një emër, është i mundur, por gjasat për këtë janë minimale. Gjërat, interesat dhe mbështetja popullore do të ndryshojnë. Unë besoj se do të dështojnë, sepse do të ndëshkohen nga populli për bllokimin e shtetit, por edhe për veprat e tyre të këqija gjatë kohës që ishin në detyrë”, përmbyll ai.
Jakupi: Deklarata e deputetit të VV-së, Agim Bahtiri, sugjeron një shqetësim ose vëzhgim strategjik
Analisti Zejnullah Jakupi deklaron se edhe pse nuk ka marrëveshje zyrtare, lëvizjet opozitare sugjerojnë përpjekje për bashkëpunim strategjik me synim rritjen e ndikimit në Kuvend.
Ai thekson se përpjekjet për të bashkuar votat në zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit mund të jenë tentativë për të sfiduar shumicën e VV-së dhe për të ndikuar në agjendën legjislative.
“Deklarata e deputetit të VV-së, Agim Bahtiri, sugjeron një shqetësim ose vëzhgim strategjik nga ana e Vetëvendosjes për një afrimi të mundshëm mes PDK-së dhe LDK-së në Kuvendin e Kosovës. Kjo ngre disa çështje të rëndësishme politike për situatën aktuale:
Nuk ka ende një njoftim zyrtar për një marrëveshje të tillë, por aludimet dhe lëvizjet politike mund të jenë sinjal se partitë opozitare po shqyrtojnë bashkëpunime të përkohshme apo strategjike për të rritur ndikimin e tyre në Kuvend. Zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është një pozicion kyç që ndikon drejtpërdrejt në agjendën legjislative, ndaj bashkimi i votave të opozitës mund të jetë një taktikë për të sfiduar dominimin e VV-së”, thotë Jakupi.
ImageZejnullah JakupiFoto galeri
Derisa për një koalicion informal anti-VV në Kuvend, analisti hedh dyshimet se mund të jetë në zhvillim një aleancë parlamentare joformale mes PDK-së dhe LDK-së, jo si koalicion qeverisës, por si bashkëpunim taktik për të balancuar apo bllokuar iniciativat e VV-së.
Ai shton se, edhe pse kanë dallime, një veprim i tillë është i zakonshëm në politikë, ku opozita mund të bashkohet për interesa të përbashkëta pa marrëveshje formale.
“Është e mundur që një koalicion informal të jetë duke u formuar, jo në kuptimin klasik të një marrëveshjeje qeverisëse, por si një aleancë taktike parlamentare. PDK dhe LDK kanë shpesh qëndrime të ndryshme, por në disa raste mund të bashkëpunojnë për të bllokuar apo balancuar iniciativat e VV-së. Kjo nuk është e pazakontë në politikë — opozita mund të bashkëpunojë rreth interesave të përbashkëta pa hyrë në një koalicion formal.
Në fund, Jakupi thotë se nga këndvështrimi i VV-së, retorika për një bashkim opozitar shërben për të forcuar narrativën “ne kundër të gjithëve”, duke e paraqitur VV-në si forca e vetme reformiste përballë “sistemit të vjetër”.
Edhe pse s’ka prova për një marrëveshje formale mes PDK-së e LDK-së, VV e përdor koordinimin e tyre si argument për mobilizim elektoral dhe konsolidim politik.
“Nga perspektiva e VV-së:
Kjo retorikë i shërben mobilizimit të elektoratit të saj, duke portretizuar VV-në si të vetmen forcë që përballet me “sistemin e vjetër”.
E ndihmon narrativën e “ne kundër të gjithëve”, ku VV shihet si forca reformiste që përballet me partitë tradicionale.
Në aspekt praktik, mund të jetë një vërejtje reale për koordinimin në rritje të PDK-së dhe LDK-së në çështje të caktuara parlamentare.
Ende nuk ka prova të një marrëveshjeje të formalizuar mes PDK-së dhe LDK-së për krijimin e një blloku opozitar të qëndrueshëm, por retorika politike sugjeron një polarizim në rritje dhe mundësi reale për bashkëpunim taktik anti-VV në Kuvend. VV e sheh këtë si sfidë dhe e përdor për të forcuar pozitën e saj politike dhe publike”, përfundon ai për “Bota sot”.