POLITIKATË FUNDIT

Halil Geci ‘shpërthen’ ndaj deputetëve që ‘braktisën’ Kuvendin: Kosova nuk është pronë e…!

Halil Geci përmes një postimi në Facebook kritikoi ashpër bojkotin e fundit të deputetëve të Kuvendit të Kosovës, duke e cilësuar si një akt tradhtie ndaj shtetit dhe qytetarëve.

Ai paralajmëron se ky qëndrim i papërgjegjshëm i përfaqësuesve politikë po i shërben interesave të Serbisë dhe Rusisë, në një kohë kur Kosova ka më shumë se kurrë nevojë për stabilitet dhe unitet.

Duke cituar një thënie të akademikut Esat Stavileci, Geci përshkruan gjendjen aktuale politike si një pasqyrë të hidhur të paaftësisë për ndërtimin e shtetit, ndërsa i kujton deputetëve se bojkotimi i institucioneve është bojkotim i vetë ekzistencës së Republikës së Kosovës, përcjell “Bota sot”.

Shkrimi i plotë

Shteti i Kosovës lodër në dorën e deputetëve të pabesë

Bojkoti që po i bëjnë të pabesët atdheut po shkon në shërbim të interesave të Serbisë dhe Rusisë.

Po nis me një thënie të paharruar nga Akademik Esat Stavileci, një njeri që e njihte në palcë sfidën shqiptare:

-“Po të ishte të shkohej në Hënë me çifteli dhe me këngë, ne shqiptarët do të shkonim të parët. Shqipëria nuk di të mbajë shtet dhe Kosova nuk di të ndërtojë shtet.”

-Kjo fjali tingëllon sot më aktuale se kurrë, në një kohë kur bojkoti i institucioneve, që janë ngritur me votën e popullit, po e bën të pamundur funksionimin normal të shtetit të Kosovës. Seanca e 51-të e Kuvendit, që përfundoi pa konstituim, është një dëshmi e trishtueshme se kush po përfaqëson vullnetin qytetar dhe kush po e përçmon atë.

-Faleminderit Adem Bytyçit që më kujtoi këtë thënie të thellë, që sot është një pasqyrë e hidhur e realitetit tonë politik. Sepse kur deputetët, të cilët janë zgjedhur për të mbrojtur interesin publik, bojkotojnë Kuvendin, nuk kemi të bëjmë më me një qëndrim politik, por me një akt sabotimi institucional dhe një tradhti të heshtur ndaj shtetit.

Në një kohë kur bota po ndahet qartazi mes demokracive dhe regjimeve autokratike, loja me stabilitetin e Kosovës po luhet për hatrin e axhendave të huaja, qofshin nga Moska, Beogradi apo të tjera hije, është një tradhti e pastër ndaj gjakut që është derdhur për këtë shtet.

Deputetë që bojkotoni:

Ju nuk po bojkotoni një sallë, një mikrofon apo një rezolutë.

Ju po bojkotoni vetë ekzistencën e shtetit të Kosovës.

Ju po bojkotoni të ardhmen e fëmijëve tanë.

Ju po i lini rrugën hapur atyre që e kanë ëndërr shuarjen e Republikës së Kosovës.

Kosova nuk është pronë e askujt. Është një amanet dhe një përgjegjësi.

Kush nuk di ta çmojë, nuk e meriton ta përfaqësojë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *