“Dy ëmbëlsira dhe dy koktej, 33.40 euro – pa kupon fiskal”, mërgimtari ankohet për çmimet e larta në Shatërvan të Prizrenit
Një mërgimtar ka shprehur pakënaqësinë e tij në rrjete sociale pas një vizite në një nga restorantet në zonën turistike të Shatërvanit, në Prizren.
Ai thotë se për dy ëmbëlsira tradicionale të njohura si “Katmer” dhe dy kokteje pa alkool është detyruar të paguajë plot 33.40 euro – pa marrë kupon fiskal zyrtar.
“U befasova nga çmimi i lartë për vetëm katër produkte. Kur kërkova kupon fiskal, më dhanë një fletë që nuk përputhej me porosinë që kisha bërë,” ka thënë qytetari, duke ndarë edhe një foto të faturës jozyrtare si dëshmi të përvojës së tij.
Rasti ka shkaktuar reagime të ndryshme nga qytetarët, disa prej të cilëve thonë se nuk është hera e parë që ndodhin raste të tilla në zonat turistike të vendit, sidomos gjatë sezonit veror, kur numri i vizitorëve dhe mërgimtarëve rritet ndjeshëm.
Qytetarë të tjerë kanë kërkuar që autoritetet tatimore të ndërmarrin kontrolle më të rrepta për shmangien e abuzimeve dhe moslëshimit të kuponëve fiskalë.