Publicisti “zbulon” çka fshihet prapa kërcënimeve të Vuçiqit: Duke u marrë me Kosovën, ai synon…
Igor Popoviq dhe arrestimi i tij në Kosovë, është arsyeja e radhës e përplasjes në mes të kryeministrit të Kosovës, Albin Kurtit dhe presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.
Vuçiq pas arrestimit të Popoviq ka paralajmëruar Kosovën për “pasoja të paparashikueshme”, kjo pasi Gjykata Themelore në Prishtinë i caktoi një muaj paraburgim.
“Arrestimi i fundit i Igor Popoviqit tregon se Albin Kurti e ka humbur arsyen dhe se dëshiron të shkaktojë incidente dhe konflikte në Ballkanin Perëndimor”, deklaroi ai.
Kurti nuk ka hezituar të reagojë ndaj këtij “kërcënimi”, duke thënë se deklaratat e tij janë destabilizuese dhe krejtësisht të papranueshme
“Deklaratat e presidentit Vuçiq të bëra më 20 korrik janë kërcënuese, destabilizuese dhe krejtësisht të papranueshme. Kur një president dhe njëkohësisht komandant suprem i ushtrisë së një shteti lëshon kërcënime publike, me tone nxitëse të konfliktit, kjo nuk mund të konsiderohet më si qëndrim individual, por politikë shtetërore”, ka thënë Kurti gjatë një konference për media.
Madje, ai i ka bërë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që “të reagojë qartë dhe me vendosmëri ndaj kërcënimeve të Vuçiqit”, që tha se mund të destabilizojnë të gjithë rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Ai po ashtu u bëri thirrje qytetarëve të Kosovës që të shmangin udhëtimin përmes Serbisë, pasi sipas Kurtit, “ka indikacione” për provokime dhe ndalime arbitrare të qytetarëve të Kosovës.
“Nuk jemi të frikësuar nga retorika e Vuçiqit por jemi të vendosur për ta mbrojtur ligjin rendin dhe demokracinë tonë”, u shpreh Kurti.
Rreth këtyre akuzave e kundërakuzave të Kurtit dhe Vuçiqit, ndikimit të tyre në dialog dhe sa janë efektive thirrjet që ndërkombëtarët të reagojnë kur dialogu ka ngecur ka folur për “Bota sot”, shkrimtari dhe publicisti, Emin Azemi.
Sipas tij, Serbia nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe çdo veprim juridik që vjen nga Kosova është jolegjitim.
Por, sipas tij, udhëheqja serbe në Beograd po mundohet ta përdor rastin e Popoviqit si manovrë.
“Serbia nuk e njeh shtetin e Kosovës dhe për pasojë çdo veprim juridik që vjen nga institucionet e Kosovës, janë jolegjitime për Beogradin. Edhe rasti i Igor Popoviqit, tash më i procesuar edhe në gjykatat e Kosovës, është në vazhdën logjike të kësaj përplasjeje narrativash Kosovë-Serbi. Udhëheqja serbe në Beograd do të mundohet ta përdor këtë rast si mjet manovrimi për ta paraqitur komunitetin serb të Kosovës si viktimë gjoja të represionit të “regjimit të Albi Kurtit”. Kjo është retorikë, tash më e njohur, e Beogradit dhe është e mirëseardhur për Beogradin, në kohën kur bllokadat dhe protestat e studentëve po bëhen gjithnjë e më të shpeshta”, deklaron Azemi.
Sipas tij, edhe këtë herë retorika e Beogradit do të përfundojë pa ndonjë efekt si në planin e brendshëm, ashtu edhe në planin ndërkombëtar.
“Duke u marrë me Kosovën, Vuçiqi synon ta defokusojë vëmendjen e atyre që si synim kanë rrëzimin e tij nga pushteti. Por, kësaj radhe nuk besoj se do të ketë sukses kjo taktikë e Vuçiqit, për arsye se një ndër pakënaqësitë në adresë të tij është pikërisht “shitja e interesave të serbëve të Kosovës”. Në sytë e opozitës dhe të protestuesve, Vuçiqi është jokredibil për të luftuar për statusin e serbëve në Kosovë, andaj edhe kësaj radhe retorika e Beogradit do të përfundoj pa ndonjë efekt, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në planin ndërkombëtar”, shton publicisti.
Popoviq u ndalua më 18 korrik në Kosovë pasi, sipas autoriteteve në Kosovë, gjatë një fjalimi në Hoqë të Madhe, ai e ka cilësuar Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) si “organizatë terroriste” dhe i ka krahasuar veprimet e saj me ngjarje të rënda ndërkombëtare.
Pas këtij fjalimi në Rahovec ai u ndalua në pikën kufitare në Bërnjak dhe u dërgua në mbajtje policore.
Ndërkaq, më 20 korrik, ndaj tij u shqiptua masa e paraburgimit prej 30 ditësh.
Në anën tjetër, Prokuroria në Beograd njoftoi të hënë se i ka drejtuar një kërkesë Drejtorisë së Policisë Kriminale dhe Agjencisë së Sigurisë dhe Informacionit të Serbisë (BIA) për mbledhjen e informatave të nevojshme, “me qëllim të identifikimit të personave” që e kanë arrestuar Popoviqin.
Kjo prokurori tha se kjo kërkesë u bë për të konstatuar nëse “ekzistojnë elemente të veprës penale të rrëmbimit”.