TË FUNDIT

“MPJD po u kërkon ambasadave të dhëna për shpenzimet gjatë vizitave presidenciale”, Presidenca: Luftë e qartë politike, e paparë deri tani

Sot gjatë ditës u raportua se Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka kërkuar nga ambasadat e Kosovës të dhëna lidhur me shpenzimet që janë bërë për vizitat e presidentes Vjosa Osmani në vendet ku ajo i ka vizituar.

Raporti për shpenzimet është kërkuar lidhur me akomodimin, sigurimin, ushqimin, veturat e madje edhe naftën.

E në një deklaratë për Telegrafin nga Presidenca e Kosovës thonë se fare nuk janë njoftuar nga MPJ-ja për një kërkesë të tillë, e cila u raportua se u është dërguar disa herë misioneve diplomatike e konsullore të Kosovës.

Sipas tyre, Presidenca gjithnjë i ka publikuar shpenzimet.

“Presidenca s’ka çfarë të fshehë, prandaj edhe gjithnjë i ka publikuar shpenzimet, ndërsa ambasadat thjesht kanë kryer detyrën e tyre kushtetuese dhe ligjore, duke i pritur delegacionet shtetërore ashtu siç e pret çdo ambasadë shtetin e vet”, thanë nga Presidenca.

Nga Presidenca tutje thonë se është për turp që ambasadave u kërkohen detaje, sikurse sa shishe ujë janë konsumuar apo sa naftë është harxhuar për vetura për ta dërguar Presidenten në takimet zyrtare.

Nga ana tjetër, sipas tyre, nga ambasadat nuk është kërkuar t’i publikojnë edhe shpenzimet që kanë bërë për institucionet e tjera.

“Kjo është një luftë e qartë politike, madje e paparë deri më tani”, thonë nga Presidenca.

Ata po ashtu kanë shprehur shqetësimin për keqpërdorime të mundshme me fatura, ku shpenzime që fare nuk kanë lidhje me Presidenten, mund të paraqiten si të tilla.

“Tendencave të tilla për ta penguar Presidenten në kryerjen e detyrës kushtetuese si udhëheqëse e politikës së jashtme do t’u kundërvihemi me çdo mjet ligjor e kushtetues”, ka përfunduar përgjigjja e Presidencës/ telegrafi

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *