POLITIKATË FUNDIT

Kryekrimineli në arrati, gjykimi për Banjskën në kërkim të drejtësisë së plotë – avokati me mesazh të fortë

Në Gjykatën Themelore në Prishtinë, edhe të martë vazhdoi gjykimi ndaj të tre akuzuarve lidhur me sulmin terrorist të 24 shtatorit 2023 në fshatin Banjskë të Zveçanit: Vladimir Toliq, Dushan Maksimoviq dhe Blagoje Spasojeviq.

Marrë parasysh rëndësinë për zbardhje e këtij sulmi terrorist, ky proces gjyqësor ka një rëndësi të madhe për opinionin publik.

Megjithatë, përveç të lartpërmendurve në këtë rast janë të akuzuar edhe disa persona, përfshirë organizatorin e këtij sulmi terrorist, Milan Radoiçiq, ku ky i fundi ende është në liri dhe nuk është para drejtësisë.

E në lidhje me këtë proces gjyqësor dhe sa e plotë do ishte drejtësia pa arrestimin e Radoiçiqit, në një prononcim për “Bota sot” foli avokati Meshari Selimaj.

Së pari, ai përmendi faktin se edhe disa persona tjerë të përfshirë në këtë rast, me në kry me kryekriminelin Radoiçiq ende janë në arrati dhe ndalimi dhe arrestimi potencial i tyre përbën sfidë të madhe.

Këtë e tha, duke u bazuar në qëndrimet armiqësore të Srbisë ndaj Kosovës dhe se derisa ata të dyshuar vazhdojnë të jenë në Beograd kapja e tyre do jetë thuajse e pamundur.

“Duke qenë para një situate të tillë ku gjykata ka lëshuar fletërreshtime ndërkombëtare me qëllim të ndalimit dhe ekstradimit të tyre për zhvillimin e procedurës penale në vendin tonë, dhe atë për 41 persona fizik dhe 1 person juridik, fillimisht konsideroj se përbën sfidë të madhe ndalimi dhe arrestimi potencial i tyre për faktin se ata do të vazhdojnë të fshihen në territorin e Serbisë, i cili shtet qëndron pas veprimeve të tyre në Banjskë, dhe që i mbron ata deri në vetmohim.

Serbia ka qëndrim armiqësor ndaj Republikës së Kosovës, nuk i përgjigjet asaj dhe nuk iu përgjigjet as organizatave policore ndërkombëtare kur parashtruese e kërkesës është shteti ynë Kosova, për ndalimin me qëllim të ekstradimit të këtyre personave, andaj nëse ata vazhdojnë të bredhin nëpër shtetin e Serbisë kapja e tyre do të jetë e pamundur”, nënvizoi ai.

Krahas kësaj, Selimaj procedurën gjyqësore të rastit “Banjska” e cilësoi si të rëndësishme dhe kërkoi që të akuzuarve t’iu shqiptohet dënimi maksimal.

“Procedura penale lidhur me veprat penale të cilat iu vihen në barrë 3 të pandehurve ndaj të cilëve është duke u zhvilluar gjykimi janë vepra të një rëndësie të posaçme të cilat parashohin dënueshmëri të lartë, dhe në këtë kontekst nëse arrihet të provohet fajësia e tyre normalisht se duhet të iu shqiptohen dënime maksimale pa asnjë rrethanë lehtësuese”.

Ndonëse, avokati shtoi se procesi për sulmin terrorist në Banjskë është i mangët, po që se nuk arrihet të sillet para drejtësisë organizatori i tij, Radoiçiq.

“Ky proces është i mangët dhe do të vazhdojë që të konsiderohet i tillë nga bindja ime të paktën, edhe sikurse të kapeshin dhe ndaloheshin që të gjithë personat e arratisur në rastin Banjska po që se nuk arrihet që të kapet organizatori dhe kryekrimineli Radojçiç, drejtësia do të mbetet gjithmonë e vakët dhe përjetësisht e pambaruar si drejtësi nëse Radojçiç nuk vihet para përgjegjësisë penale lidhur me këtë çështje”, përfundoi Meshari Selimaj për “Bota sot”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *