Avdullah Hoti, i djegur politikisht nga Isa dhe Hashimi
Avdullah Hoti s’ka asnjë të drejtë morale të kritikojë dikë, kur vetë ai ka qenë kryeministër jo legjitim – gjë që e ka konfirmuar edhe Gjykata Kushtetuese.
Nuk është hera e parë që ndodhin debate të forta mes presidentes Vjosa Osmani dhe ish-kryeministrit Avdullah Hoti. Ky i fundit s’po mundet ta bindë veten se ka dështuar politikisht, andaj nuk po i ndal sulmet ndaj atyre që i vlerëson si shkaktarë të dështimit të tij.
Pas replikave me strukturat e forta brenda partisë, Dulla nuk po arrin ta ndalë hovin e urrejtjes as ndaj zonjës Osmani, e cila me diversitetin e saj ka sjellë në presion politik Isa Mustafën, Avdullah Hotin dhe klanin e tyre. Ish-kryeministri Hoti, i cili e kritikoi Osmanin për mungesë rezultatesh gjatë mandatit të saj pesëvjeçar, tha:
“Pesë vite demagogji e mashtrime, të cilat po dalin sheshit. Pesë vite në shërbim të agjendës shtetrrënuese të bashkë-mashtruesit. Ky është problemi që ka Vjosa.”
Por, ish-kryeministri ka harruar se, falë punës së presidentes, Kosovën e kanë njohur tre shtetet e fundit.
Pastaj, edhe përgëzimet që ajo merr nga zyrtarët amerikanë janë sinjal i reputacionit të mirë që gëzon. Prandaj, edhe me të drejtë, presidentja Osmani e cilësoi Hotin “njeriun më jorelevant” dhe shtoi se nuk dëshiron të humbasë asnjë sekondë për t’u marrë me të, duke iu referuar reagimeve të tij për marrëveshjen.
Avdullah Hoti s’ka asnjë të drejtë morale të kritikojë dikë, kur vetë ai ka qenë kryeministër jo legjitim – gjë që e ka konfirmuar edhe Gjykata Kushtetuese. Edhe më keq, Dulla pranoi të bëhej vegël e Thaçit dhe Isës në këmbim të pozitës së kryeministrit.
Në këtë kuptim, një njeri i tillë e ka të humbur të drejtën morale për të kritikuar dikë. I djegur politikisht nga Isa, Dulla ka vdekur politikisht dhe fjalët e tij vetëm sa shpërfaqin mjerimin ku është katandisur.