POLITIKATË FUNDIT

Arrestimi i zyrtarit serb në Kosovë shihet si poshtërim për Beogradin – ‘ujqërit’ e Vuçiqit u bënë ‘lepuj’

Arrestimi i Igor Popoviqit nga autoritetet kosovare, po cilësohet në Serbi si një goditje e rëndë për presidentin serb Aleksandar Vuçiç dhe si dëshmi se “Serbia nuk është më shtet”, shkruan Danas.

Popoviq u ndalua të premten në mbrëmje në pikën kufitare në Bërnjak, pasi kishte marrë pjesë në një ceremoni përkujtimore për serbët e vrarë në Rahovec gjatë luftës me pjesëtarë të UÇK-së.

Në fjalimin e tij, ai i quajti pjesëtarët e UÇK-së “terroristë”, çka çoi në ndalimin dhe më pas në caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh ndaj tij nga autoritetet në Gjilan.

Ky veprim ka shkaktuar reagime të ashpra në Serbi. Presidenti Vuçiç e quajti këtë akt si “shenjë se Albin Kurti ka humbur arsyen” dhe shtoi se “Beogradi do të mbrojë paqen, por do të reagojë në mënyrë të ashpër”.

Ndërkohë, kryeministri Kurti tha se “askush nuk është mbi ligjin dhe kushdo që e shkel atë, do të përballet me drejtësinë – Popoviqi nuk është përjashtim”.

“Vuçiç premtoi ujqër, por tani s’ka as lepuj”

Politologu Ognjen Gogić e sheh këtë situatë si poshtërim për shtetin serb dhe për regjimin e Vuçiçit. Ai kujton një deklaratë të Vuçiçit nga viti 2022, kur ai i quajti serbët në veri “ujq” që do të kundërpërgjigjen nëse provokohen, por tani – sipas Gogić – duket se nuk ka asgjë nga këto premtime.

“Zyrtarët serbë lejohen të vizitojnë Kosovën vetëm me pëlqimin e Prishtinës. Kjo nuk është vizitë diplomatike. Nuk ka imunitet. Nuk ka precedent ligjor që i mbron. Kur një shtet nuk ka as fuqi të mbrojë zyrtarët e vet – çfarë shteti është ai?”, pyet ai.

Gogić thotë se Serbia po heziton të ndërmarrë kundërmasa sepse është ende e rënduar nga tri ngjarje të mëdha: ngarkimi i armëve në Kosovë gjatë 2022, përplasja me KFOR-in në Zveçan më 2023 dhe incidenti i armatosur në Banjskë në shtatorin e vitit të kaluar. Sipas tij, këto i kanë hequr legjitimitetin Serbisë për të reaguar fuqishëm.

Kurti, sipas Gogić, është bërë më i guximshëm për shkak të mungesës së reagimeve serioze nga Serbia, por edhe për shkak të boshllëkut diplomatik në Prishtinë – pasi SHBA ende nuk e ka emëruar ambasadorin e ri pas largimit të Jeffrey Hovenier.

“Kurti po i përdor këto ditë të fundit në pushtet për të shtrirë autoritetin dhe për të dërguar sinjale politike. Nuk e dimë sa gjatë do të jetë në qeveri, prandaj ai po i shfrytëzon ditët e fundit për të çuar mesazhe të forta ndaj Serbisë dhe serbëve të Kosovës”, vlerëson Gogić.

Përkundër mbështetjes që ai merr në Serbi, Gogić kritikon edhe vetë Popoviqin për “diletantizëm politik”. Ai thotë se nuk është normale që një zyrtar i qeverisë të flasë publikisht për Hamasin e Izraelin në një moment të tensionuar, pa u koordinuar me politikën zyrtare të shtetit.

“Ai duhej të ishte më taktik. E përmendi Hamasin, Gazën – pa asnjë arsye. E tha në kohën më të keqe të mundshme. Fjalimi i tij duhej të kalonte nëpër duart e protokollit shtetëror dhe shërbimit për media. Ka mungesë totale profesionalizmi”, vlerëson ai.

Analisti paralajmëron se situata mund të përshkallëzohet nëse Serbia tenton të ndërmarrë kundërveprime ndaj policisë, prokurorisë apo gjyqësorit të Kosovës, por shton se kjo është pak e mundshme për shkak të pozitës së brishtë të vetë Vuçiçit.

“Hapja e një ofensive kundër institucioneve kosovare do të ishte lojë e rrezikshme – jo vetëm për rajonin, por edhe për vetë pushtetin në Beograd. Prandaj, më shumë gjasa ka që Serbia të heshtë, dhe Prishtina ta shfrytëzojë këtë për të çuar përpara axhendën e vet”, tha ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *