“S’është Thethi vend për resorte të mëdha”/ Hetimet tek “Bankers”, Rama: Kemi fituar me ta një Arbitrazh, na detyrohen 240 mln euro!
Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur komentuesve sot në “Sy m’Sy”, ku njëri prej tyre e akuzoi kreun e qeverisë se aksioni për prishjen e ndërtimeve në Theth ishte me qëllimin që oligarkët të ndërtojnë resorte dhe hotele.
“Prona është e pacënueshme. Në Theth e kundërta është e vërtetë, nuk do të ketë zhvillime pas atij pastrimi të madh përveç rasteve specifike të atyre që jetojnë aty. Nuk është Thethi vend për resorte të mëdha e hotele”, tha Rama.
Hetimet tek “Bankers”
Kryeministri Edi Rama komenton evazionin fiskal në Bankers. Rama thotë se shyqyr që erdhi dita që Prokuroria të bëjë investigim në mënyrë të pavraur dhe u heq kapelën. Rama kujton edhe Arbitrazhin që ka fituar qeveria me Bankers, duke thënë se kompania i detyrohet 240 mln euro.
“Se di a je njeri me këtë identitet apo maskë e dikujt tjetër. Ne kemi fituar me Bankers një arbitrazh dhe Bankers na detyrohet 240 mln euro.
Shyqyr që ka ardhur dita që prokuroria investigon në mënyrë të pavarur dhe në këtë rast i heq kapelën përkatëse që ka bërë këtë invetsigim e uroj ti nxjerrë ujin e zi asaj ndërmarrjeje, ku realisht ka pasur shumë problematika dhe që është akoma sot e gjithë ditën, kostoja e një koncesioni të dhënë poara se unë të merrja detyrën.
Koncesionet që kemi dhënë, nuk do ti lija pa i ribërë, janë në shërbim të popullit shqiptar po koncesionet që kemi trashëguar janë ç’janë, ato janë vrima të zeza.
Pavarësisht se në ndonjë rast ka pasur edhe ndonjë gjë që s’ka shkuar, por koncesionet që kemi bërë ne kanë bërë të mundur rrugën e Arbrit pa asnjë kosto, zero për qytetarët, pastrimin e qyteteve tona pa asnjë kosto, krahasuar se çfarë ndodh me kostot e pastrimit dhe trajtimit të mbtejeve në vendet e tjera, ne e kemi nën 30 euro.
Në vendet e tjera nuk nis pa 100 euro për ton. Kemi bërë të mundur sterilizimin e instrumenteve mjekësorë në spitale, rënien drastike të infeksioneve post respiratorë, pavarësisht se çfarë thuhet. Të gjitha këto pa kosto, pa fatura për publikun. Kur dikush shkon në spital dhe hyn në operacion, apo bën analizë nuk paguan, zero.
Ndërkohë që dikur ishte ndryshe. Nuk kam asnjë problem, sa i përket Bankersit, apo kush e ka bërë Bankersin, dhe çfarëdolloj emri që mudn të gjesh nëpër rrugët historike të ekonomisë Shqipërisë dhe kush i ka vënë emra apo kush ka lidhje me ato emra”, tha Rama.
REFORMAT
Kryeministri Rama foli sot edhe për teorinë e dëmtimit të turizmit, duke e mohuar dhe këmbënguli se ka ardhur koha që t’i jepet fund epokës për ndërtimet pa leje dhe që të lirohen hapësirat publike.
Madje ai ishte edhe kundër dëmshpërblimit për bizneset që ndërtojnë pa leje, teksa theksoi se transformimi i administratës publike është një nga pikat kryesore të negociatave për anëtarësimin e BE-së.
Dhe reformat e deritanishme nga qeveria e PS, sipas Ramës, e kanë çuar vendin aktualisht te këto negociata, shumë pranë BE-së.
“Komentet tipike të hedhjes së pallavrave, sepse nëse ka një gjë që ne kemi bërë, është se kemi shmangur pikërisht shmangien e një ushtrie socialiste të shtetit. Natyrshëm me të gjitha metat e veta, boshllëqet e veta, por nuk do ishim sot në kushtet e negocimit me BE, ku një nga pikat është transformimi i administratës publike. Akoma sot në vitin 2025, ku ndërtohet pa leje. Unë dhe ne jemi për të menduar këtu për 99% të shqiptarëve që nuk ndërtojnë pa leje dhe që kërkojnë fundin e fenomenit për ata që ndërtojnë pa leje”, tha kryeministri.
Dorëheqjet e drejtorëve të bashkive
Kryeministri Edi Rama tha se dorëheqjet e drejtorëve në bashkitë e vendit ishin të domosdoshme. I përmendi rastin e Vlorës, teksa tha se në pak ditë aksioni në territor, ka shumë ndryshime. Dhe këto ndryshime, thotë Rama, nuk vijnë nga buxheti shtesë, por thjesht nga vëmendja e shtuar ndaj problematikave të qytetit.
“Të mos i fusim të gjithë në një thes dhe të mos ngatërrojmë të njohim me të thatin. Dorëheqjet e drejtorëve nga strukturat e bashkive kryesore janë domosdoshmëri për t’i dhënë impuls tjetër bashkive, për të shkundur mekanizmat e topitur të disa bashkive, dhe për të adresuar problematika që nuk lidhen me buxhete të mëdha por me vëmendje të madhe dhe përkushtim të madh. Vlora është rasti tipik, çfarë ndryshimi po ndodh në një kohë të shkurtër, dhe nuk është ndryshim me buxhet shtesë por me vëmendje shtesë, dhe ku është hapur një proces për të ftuar djem dhe vajza të reja, që duan t’i shërbejnë Vlorës dhe të aplikojnë për të qenë drejtuesit e rinj të bashkisë Vlorë asnjëri nga ata që drejtuan për vite s’ka pse të qëndrojnë aty dhe ka të tjerë që mendojnë se duhet ta kenë këtë mundësi, kudo në të gjitha bashkitë e mëdha të vendit, ku ka burime njerëzore që janë të pashfrytëzuara.
Të gjitha qeveritë në historinë e njerëzimit janë krijuar për të bërë punën dhe jo një vezë të kuqe, dhe qeveritë dallojnë te mënyra se si e bëjnë punën, edhe drejtuesit, edhe liderët. Jo sesa vezë të kuqe bëjnë. Kjo nuk është çështje mburrjeve,. Por diskutimi, sqarimi e reflektimi. E dyta, e përsëris. Unë u detyrova të ndërhyj duke parë disa gjëra që kishin nevojë për shtytje të fortë nga lart. A duhet të ishin bërë pa nevojën e kësaj ndërhyrjeje, një shoqëri demokratike e konsoliduar ku secili e di se ku e ka kufirin. Nuk fillon gjëra nga inspektori apo kontrollori por nga secili që di se ku ka kufirin. Më Pas inspektori dhe kontrollori janë aty për të kontrolluar dhe siguruar që ai kufi të ruhet në funksion të asaj shumice që atë kufi e respekton.”, tha Rama.
BATUTA ME OPOZITEN
Kurse pyetjeve ironizuese që ndjekësit i bënin, ai iu përgjigj me batutën se ishin me PD-në dhe ndaj ishin në opozitë.
“Ndaj jeni në opozitë, se jeni me këtë mendje”, ironizoi kryeministri.
Rama bëri batutë edhe me ish-kryetarin e PD-së, aktualisht kreun e Demokratëve Euroatlantikë, Lulzim Basha, duke i drejtuar thirrje që të dilte se kishte humbur dhe nuk po e ndiqte më.
Ai “shigjetoi” Bashën, i cili që pas zgjedhjeve të 11 majit nuk ka dalë më në publik, duke ia vënë në dukje këtë fakt dhe e ironizoi me matematikën.
“Për një rast tjetër specifik, çështjen e dëmshpërblimeve për ndërtimet pa leje. Kur të vij Luli në pushtet le ta bëjë, ka shumë të tjerë para Lulit për dëmshpërblim. Sa të jem unë kjo nuk do të ndodhë. More Lul ku je mor artist, u bë shumë kohë që s’të shoh. S’më ndoqe që s’më ndoqe, mbete atje, te 7 herë 7!”, u shpreh Rama.
NDIQNI BASHKËBISEDIMIN E PLOTË TË KRYEMINISTRIT RAMA NË RRJETET SOCIALE