“Kriza politike mbaron kur të gjitha partitë e pranojnë që Albin Kurti është personi më i votuar në historinë e Kosovës”
Ndonëse kriza politike në vend ende po vazhdon, kjo shihet si një situatë shqetësuese për të gjithë. Janë dhënë mendime e kritika lidhur me këtë situatë, megjithatë deputetët nuk po gjejnë një gjuhë të përbashkët për të nxjerrë vendin nga kjo situatë.
Një qëndrim të tij se si mund të dalë vendi nga ngërçi politik, e ka dhënë edhe kryetari i Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqi. Ai në një intervistë dhënë për ‘Bota sot’ ndër të tjera ka folur për situatën në të cilën aktualisht ndodhet Kosova.
Bulliqi thotë se, zgjidhja më e mirë është që secila palë të vendosë interesin e qytetarëve mbi interesin partiak.
“Duhet më shumë dialog, më shumë përgjegjësi institucionale dhe më pak retorikë bllokuese. Partitë politike duhet ta pranojnë rezultatin e zgjedhjeve të 9 shkurtit dhe bazuar në të edhe të veprojnë”, vlerëson Bulliqi.
Ai thotë se qytetarët e kanë thënë fjalën e tyre, Albin Kurti doli si personi më i votuar në histori të Kosovës dhe këtë realitet duhet pranuar të gjithë, pa pengesa për formimin e institucioneve të reja.
“Qytetarët e kanë thënë fjalën e tyre dhe ata presin zgjidhje, Lëvizja VETËVENDOSJE! ka fituar bindshëm zgjedhjet dhe Kryeministri Albin Kurti është personi më i votuar në histori të Kosovës, andaj ky realitet duhet të pranohet nga të gjithë pa inate e pa pengesa për formimin e institucioneve të reja”, vlerëson Bulliqi.
Kryetari Bulliqi në intervistën për ‘Bota sot’ ka folur gjithashtu edhe për zgjedhjet e ardhshme lokale, ku kandidon sërish për një mandat tjetër, i propozuar nga Lëvizja Vetëvendosje.