TË FUNDIT

Gjetja e armatimit në veri/ Eksperti i sigurisë: Serbia po përdor luftën hibride kundër Kosovës

Policia e Kosovës në një kompleks banesor të pabanuar në rrugën “Anka Spaic” në Mitrovicë të Veriut ka gjetur dhe sekuestruar dy armë të llojit zolla, prodhim serb.

Lidhur me këtë çështje ka reaguar edhe Ministri i Punëve të Brendshme të Kosovës, Xhelal Sveçla.

“Këto raketahedhës krahu (zolla) janë armë të prodhimit serb, të gjetura sot nga Policia e Kosovës në Mitrovicën e Veriut. Për nivelin dhe sasinë e armatimit të konfiskuar gjatë këtyre katër viteve jemi dëshmitarë të gjithë.

Në anën tjetër, Beogradi jo vetëm që nuk është distancuar asnjëherë nga këto mjete dhe veprime në veri të vendit, por përkundrazi, për vite me radhë i ka stimuluar, organizuar dhe furnizuar grupet terroriste dhe bandat kriminale, me të vetmin qëllim: cënimin e integritetit territorial dhe rendit kushtetues të Republikës së Kosovës”, ka shkruar ai në Facebook.

Eksperti i sigurisë, Arben Dashevci, ka vlerësuar zbulimin e raketahedhësve serbë në Mitrovicën e Veriut si rezultat të punës profesionale dhe operative të Policisë së Kosovës.

ImageArben DashevciFoto galeri
Ai thekson se Serbia vazhdon të luajë një rol destruktiv ndaj Kosovës.

“Zbulimi i disa raketahedhësve të prodhimit serb nga Policia e Kosovës në Mitrovicën e Veriut e shohë si vazhdë e punës operative të Policisë që do të thotë çdo informatë trajtohet me kujdes maksimal dhe arihet rezultati në teren.

Serbia gjithmonë luan rol destruktiv kundrejt Republikës së Kosovës në format më të egra të luftës hibride ose ka rol të drejtpërdrejtë në përpjekjet për destabilizim në pjesën matan lumit Ibër sepse Serbia jo vetëm që nuk distancohet nga veprimet kriminale, por përkundrazi i nxit dhe i mbështet ato”, ka thënë ai.

Sipas tij, zbulimi i këtij armatimi nuk do të thotë domosdoshmërisht se po përgatitet ndonjë përpjekje e re për destabilizim.

“Por Policia e Kosovës po vazhdon të gjejë armatim në pjesën matan lumit Ibër dhe kjo nënkupton vigjilencë dhe seriozitet pa marr parasysh i cilës periudhë kohore është ky armatim, qoftë mbetje e strukturave kriminale ose edhe më e vjetêr, por kjo u takon institucioneve tona ta përcaktojnë periudhën kohore dhe duhet të mbarojnë hetimet.

Gjetja e këtij armatimi nuk mundë të jetë shenjë e ndonjë përpjekje për destabilizim mendoj unë sepse ata që e kanë destabilizuar vendin tonë nuk janë më në Kosovë, kërkohen edhe nga Interpoli”, ka potencuar ai.

Tutje, ai ka theksuar se destabilizimi i vendit nuk mund të lejohet për asnjë arsye, duke përmendur rolin vendimtar të SHBA-së, NATO-s, BE-së dhe partnerëve strategjikë të Kosovës në ruajtjen e stabilitetit.

“Destabilizimin nuk e lejon asesi SHBA,NATO, BE dhe partnerët strategjik të Kosovës. Roli i institucioneve ndërkombëtare në këtë aspekt si KFOR-i, EULEX-i dhe Bashkimi Evropian është krucial për stabilitet dhe është në koordinim, bashkëveprim dhe bashkëpunim me reaguesin e parë, pra me institucionet tona të sigurisë, vigjilenca e institucioneve tona të sigurisë është e lartë dhe kështu duhet të vazhdoj mendoj unë”, ka vlerësuar ai.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *