OPINIONTË FUNDIT

Bytyçi: Rama donte ndarjen e Kosovës, Kurti ia ndali turrin – sot po ndëshkon administratën në emër të pushtetit personal

Ai që nisi si një “pastrim”, i paralajmëruar nga kryeministri Edi Rama, mori përmasa të një riorganizimi kombëtar në Shqipëri.

Nga Shkodra në Sarandë, zëvendëskryetarë, drejtorë dhe administratorë dorëzuan gjatë javës së kaluar postet njëri pas tjetrit nëpër bashki. Në pak ditë, në disa prej bashkive më të mëdha të vendit ka pasur tërheqje nga strukturat drejtuese, duke sinjalizuar një ndryshim të thellë në administratën lokale.

Profesori dhe analisti politik, Dr. Enver Bytyçi, ka reaguar ashpër ndaj valës së shkarkimeve të drejtorëve të administratës publike në bashkitë e Shqipërisë, duke e quajtur këtë një akt të pastër diktatorial të kryeministrit Edi Rama.

ImageProf. Dr. Enver BytyçiFoto galeri
Në një prononcim për “Bota sot”, Bytyçi e cilëson situatën si një “revolucion kulturor” të stilit Maoist, duke e krahasuar atë me diktaturat më të egra të shekullit të kaluar.

“Shqipëria është në kulmin e temperaturave të ndryshme. Sikur të mos mjaftonte fakti që zgjedhjet e 11 majit të shkuar për parlamentin e ri janë të kontestuara, të manipuluara, të grabitura, të blera e të shitura, tani na duhej edhe kjo vala e shkarkimeve dhe shkatërrimeve, siç po ndodh në Theth e disa vende të tjera. Shkarkimet filluan në Vlorë. Një ditë të bukur, kryeministri i vendit u gjend në qytetin jugor dhe thirri në mbledhje drejtorët e Bashkisë së Vlorës, sikur të ishte kreu i kësaj bashkie dhe jo kreu i ekzekutivit të Shqipërisë, dhe urdhëroi që të 21 drejtorët e kësaj bashkie të jepnin dorëheqjen. Dhe kështu ndodhi. Ata dhanë dorëheqjen kolektivisht. Pa gëk e pa mëk. Padishahu e pa se një dhunim i tillë i Kushtetutës dhe i ligjeve të shtetit shqiptar qenka jo vetëm i mundur, por edhe mjaft i lehtë për t’u realizuar.”

Tani vala e shkarkimeve të maskuara me dorëheqje ka përfshirë të gjitha bashkitë e Shqipërisë. Kundërshti ka pasur vetëm nga ndonjë kryetar bashkie që i përket Partisë Demokratike, si në Kavajë, Has etj. Të gjithë kryetarët e bashkive të zgjedhur prej radhëve të Rilindjes kanë zbatuar urdhrin e Padishahut. Kanë shkarkuar drejtorët, kryetarët e njësive administrative dhe deri pjesëtarë të tjerë të administratës lokale.

“Më besoni: kjo, siç po ndodh sot, nuk ka ndodhur as në kohën e diktaturës komuniste. Më duket se ka ndodhur me revolucionin kulturor kinez të viteve të para 1960, kur Mao Ce Duni pati bërë thirrje të linçohen intelektualët kinezë. Por rrallëherë ka ndodhur në diktaturat e ndryshme nëpër botë,” – ka thënë Bytyçi për “Bota sot”.

Ai shton se vala e shkarkimeve po zgjerohet në të gjithë vendin, ku përjashtim bëjnë vetëm disa kryebashkiakë nga opozita. Sipas tij, drejtuesit e bashkive të Rilindjes kanë zbatuar verbërisht urdhrat, duke shkarkuar pa mëshirë administratorë dhe punonjës të tjerë publikë.

“Pse dal në këto konkluzione?”

“Së pari, të urdhërosh largimin e drejtorëve dhe eksponentëve të tjerë të bashkive nga puna kolektivisht, është shkelje e rëndë e të drejtave të njeriut. Kur i dalin ministrat e zëvendësat e tij në korrupsion e të lidhur me krimin e organizuar, Edi Rama thotë: ‘Përgjegjësia është personale’. As që i shkon ndërmend përgjegjësia e tij politike dhe morale, së paku për të dhënë dorëheqje. Ndërkohë, pa bërë asnjë ekspertizë, asnjë analizë, asnjë diskutim, asnjë sqarim për veprimtarinë e secilit, ai urdhëron largimin urgjent nga puna e nga detyra të qindra punonjësve të administratës publike. Ai fajëson kolektivisht! Ai dënon kolektivisht! Ai u shkatërron jetën kolektivisht një numri pa fund njerëzish. Në emër të kryeministrit! Në emër të pushtetit! Ai është kësisoj një diktator tipik me empati për anarkizmin.”

“Së dyti, asnjë nga këta të shkarkuar – thashë me qindra – nuk e ka kundërshtuar aktin e dhënies së dorëheqjes. Çka do të thotë se ata e meritojnë shkarkimin, por jo me urdhër të kryeministrit, jo pse thotë ai. E meritojnë shkarkimin dhe largimin nga puna, sepse nuk mbrojnë veten e tyre. Ata i mbron Ligji për Nëpunësin Civil dhe ai për administratën publike. Por duke dhënë dorëheqjen, ata nuk ia dhanë vetes mundësinë për t’u mbrojtur juridikisht. Pse? Sepse e dinë se gjyqësori është në duart e Edi Ramës. Sepse shpresojnë se duke zbatuar urdhrin e paligjshëm të kryeministrit, ka mundësi që ky kryeministër t’i rikthejë një e nga një në detyra të ndryshme. Pra, sepse llogarisin interesin e ngushtë personal dhe jo interesin publik. Prandaj këta drejtorë, administratorë e çka tjetër janë në rolin e zvaranikut. Për këtë arsye Edi Rama luan rolin e diktatorit,” – ka theksuar ai.

Ai kritikon edhe heshtjen e shoqërisë dhe mungesën e një opozite të vërtetë, jo vetëm politike, por edhe intelektuale, akademike dhe kulturore:

“Zero opozitë! Askush nuk ngre zërin. Askush nuk reagon. Jemi në diktaturën e njëshit.”

“Së treti, kryeministri Rama luan në këtë fushë, sepse nuk ka opozitë. Nuk e kam fjalën thjesht për opozitën politike. As ajo nuk reagon. Por e kam fjalën për opozitën kulturore, intelektuale, akademike, shkencore. Zero opozitë të tillë kemi. Askush nuk ndjehet. Në vitet e fundit të diktaturës, së paku u ndjenë tre-katër zëra opozitarë intelektualësh e figurash të njohura. Tani heshtje varri. Madje lexoj çdo ditë “intelektualë” që besojnë se ‘Edi Rama po bën shtet’! Edhe diktaturat shtete drejtojnë! Më mirë se ne shqiptarët këtë nuk e di askush tjetër. Por diktatura mbetet diktaturë.

Sot nuk kemi as diktaturën e ligjit. Shqipëria ka diktaturën e njëshit. Padishah i vërtetë. Në fakt edhe padishahët e Perandorisë Osmane kishin konsulencë, kishin ekspertizë, merrnin mendimin e të diturve. Ky padishahu ynë beson se i di të gjitha vetë. Bën vetëm si ia thotë mendja e tij. Po mos e dhashtë Zoti, ky të jetë agjent i ndonjë shërbimi anti-shqiptar dhe të jetë i orientuar për t’ia bërë gropën Shqipërisë dhe shqiptarëve?! Ky është i aftë ta bëjë edhe këtë. Kush e pengon? Askush! Atëherë pse mos t’i dëbojë shqiptarët nga Shqipëria? Pse mos t’u falë territore të Shqipërisë Melonit, Kushnerit e të tjerëve, pa ligj e pa asgjë, siç deshi të bënte me ndarjen e Kosovës?” – është shprehur ai.

“Bëmat e Edi Ramës janë dëmet më të mëdha në historinë e Shqipërisë. Kujtoni 38 mijë shqiptarët që burgosi në vitin 2015, pse nuk kishin paguar energjinë elektrike. Ndërkohë që kjo ishte vepër civile dhe jo penale. Ky i ka testuar shqiptarët. E di se ata janë dele. Janë të përçarë. Deshi ta shkatërronte edhe Kosovën me përçarje dhe ia arriti deri diku. Por falë guximit të Albin Kurtit i është ndalur turri. Po ta lejosh Edi Ramën, ua merr shqiptarëve edhe gratë nga shtrati!

Zoti i ruajtë Shqipërinë, Kosovën dhe shqiptarët prej tij,” përfundoi Bytyçi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *