Agim Çeku u dënua me burg – janë bërë veteranë edhe njerëz të palindur në kohë lufte
Prokuroria Speciale e Kosovës, në vitin 2018, kishte ngritur aktakuzë, të cilën e kishte dorëzuar në Gjykatën Themelore në Prishtinë, kundër 12 të pandehurve, për veprën penale “keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Tani, pas shtatë vitesh, u dhanë dënimet ndaj dhjetë personave me nga një vit burg. Në mesin e të dënuarve është edhe ish-kryeministri Agim Çeku, si dhe nëntë persona të tjerë.
Në bazë të aktakuzës së hartuar nga ish-prokurori special Elez Blakaj, thuhet se nga viti 2011 deri më 2017, persona që ishin pjesë e Komisionit Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Dëshmorit të Kombit, Invalidit, Veteranit, Pjesëtarit dhe të Internuarit të Luftës së UÇK-së, kanë keqpërdorur pozitën dhe kompetencat e tyre zyrtare. Ata dyshohet se me vetëdije kanë tejkaluar autorizimet dhe kanë neglizhuar përgjegjësitë, me synimin për të përfituar padrejtësisht individë të caktuar, duke shkaktuar dëme të vazhdueshme në buxhetin e shtetit.
Ky dënim simbolik, krahasuar me dëmin e madh që i është bërë shtetit, megjithatë është i rëndësishëm për të theksuar se ka pasur keqpërdorime të mëdha në këtë komision, duke e çuar në 60 mijë numrin e veteranëve – jashtë çdo logjike.
Agim Çeku le të jetë i turpëruar gjithë jetën, pavarësisht nëse dënohet me një ditë apo dhjetë vjet; me rëndësi është se nuk ka punuar drejt. Por edhe ata të tjerët që kanë futur në listë të veteranëve nipa e mbesa, në kohë lufte ende të palindur, kanë kryer një skandal të rëndë.
Është turp për të gjithë ata që e kanë keqpërdorur shtetin për interesa të ngushta, duke e zbehur edhe figurën e vetë veteranit të Kosovës.